Raporti i ngjarjeve, 14 gusht 2025

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Pas denoncimit të një qytetari, për një automjet që kryente parakalim të gabuar në kushtet e fushëpamjes së kufizuar, në aksin rrugor “Librazhd–Qafë Thanë”, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë kryer verifikimet përkatëse.
Si rezultat, u bë identifikimi i drejtuesit të mjetit dhe për shkeljen e konstatuar u vendos masa administrative 10.000 lekë, bazuar në nenin 146, pikat 10 dhe 16 të Kodit Rrugor, në zbatim të VKM nr. 153, neni 350.
⚠️ Parakalimet e rrezikshme janë ndër shkeljet më të rënda që mund të çojnë në aksidente fatale.
Policia Rrugore falënderon qytetarët për kontributin dhe bashkëpunimin, duke i ftuar të raportojnë çdo sjellje të rrezikshme në rrugë, në numrin 112, ose në faqet zyrtare të Policisë së Shtetit.
Respekto rregullat e qarkullimit rrugor, ruaj jetën tënde dhe të tjerëve!
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, arrestuan në flagrancë shtetasin F.P., 33 vjeç, banues në Peshkopi, pasi në lagjen “Llixha”, teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe ka goditur një automjet të parkuar, duke shkaktuar dëme materiale.
-U referuan materialet në Prokurori dhe punohet për kapjen e shtetasit S.B., 39 vjeç, banues në Klos, pasi duke drejtuar një automjet tip “Audi”, pa targa dhe pa dokumentacion, ka aksidentuar shtetasin H.B., 30 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. 30-vjeçari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec ndaluan shtetasin D. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Buçimas, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit A. L., 40 vjeç dhe R. O., 33 vjeç, të dy banues në Pogradec, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. D., pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Xh. K. 40 vjeç, banues në fshatin Boboshticë, pasi u kap duke prerë një sasi lënde drusore, dyshohet në mënyrë të kundërligjshme.
Më datë 13.08.2025:
-kallëzoi shtetasi J. J., 73 vjeç, se i kanë vjedhur në banesën e tij, në fshatin Drenovë, disa orendi shtëpiake. Punohet për indetifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të vjedhjes;
-është paraqitur në spital, për ndihmë mjekësore, shtetasi J. A., 58 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, i cili dyshohet se është goditur nga një kafshë samari (kalë), në kokë. 58-vjeçari është aktualisht në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. H., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 i gjetën 39 doza me lëndë të dyshuar kanabis. Dozat narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. D., 26 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur dhe kanosur nëpërmjet rrjeteve sociale një 34-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar:
-arrestuan shtetasin A. S., 24 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin me nje leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar dhe me qëllim shmangien e përgjegjesisë ligjore i ka ofruar punonjësit të policisë shumën prej 3000 lekësh;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. L., 40 vjeç, pasi ndaj tij ka kallëzuar shtetasi F. L., 35 vjeç, se në bazë të një prokure dyshohet e falsifikuar ka bërë shitjen e automjetit të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit D. S., 24 vjeç dhe M. H., 32 vjeç, pasi në rrugën “Agush Gjergjovica” për motive të dobëta shtetasi D. S,  ka goditur me grushte shtetasen M. N, 37 vjeçe, e cila mori ndihmë mjekësore në spital, ndërsa shtetasi M. H (vëllai i 37-vjeçares) ka tentuar të hyje me forcë në ambientet e Komisariatit duke goditur me grusht punonjësin e policisë në detyrë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin R. S., 38 vjeç, pasi dyshohet se vazhdimisht ka ushtruar dhunë ndaj nënës dhe motrës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin D. P., 39 vjeç si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj., 63 vjeç, babë e bir, pasi në banesë janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Gjatë shoqërimit të tyre, 63-vjeçari ka kundërshtuar punonjësit e policisë për shkak të detyrës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-K. K., 23 vjeçe dhe J. B, 27 vjeçe, pasi për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëra-tjetrën;
-E. N., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një 36-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. M., 21 vjeç, pasi ka ndezur lëndë piroteknike duke prishur rendin dhe qetësinë publike.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan shtetasit D. Y., 55 vjeç dhe E. H., 43 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur;
-arrestuan shtetasin A. L., 29 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjëndje të dehur dhe për tu shmangur përgjegjesisë ligjore i ka ofruar punonjësit të policisë një kartëmonedhë 50 euro.
-Tiranë/Në lidhje me një video të publikuar në një portal, në të cilen shfaqet një i mitur me shenja në trup, për të cilat pretendohet se janë pasojë e dhunës, ju informojmë se menjëherë pas publikimit, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore dhe në përfundim të këtyre veprimeve, rezultoi se shenjat në trupin e të miturit janë pasojë e një problemi shëndetësor që ka ai (infeksion në lëkurë). Gjithashtu, babai i të miturit, gjatë marrjes së deklarimit, nuk kishte asnjë pretendim për dhunë ndaj fëmijës së tij. Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për vlerësim të mëtejshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin L. Dh., 45 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. D., 25 vjeç, banues në fshatin Lumas, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një shtetas 40 vjeç.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-E. A., 57 vjeç, banues në fshatin Moravë, pasi u kap duke vjedhur disa pllaka guri, në një subjekt;
-M. K., 68 vjeç, banues në Berat, pasi ka dhunuar dhe ka kanosur me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij. Gjithashtu, ai ka dëmtuar veten me mjetin prerës, dhe si pasojë është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën;
-L. M., 52 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një shtetas 67 vjeç.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen J. K., 42 vjeçe, banuese në Skrapar, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetas 30 vjeç.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. V., 42 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka publikuar fotografi të një 34-vjeçareje, në rrjetin social “TikTok”, me mbishkrime fyese.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 27 vjeç, banues në Rrëshen, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-V. N., 39 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-N. V., banues në fshatin Alk, pasi dyshohet se kishte kultivuar disa bimë narkotike, në tokën e tij, në këtë fshat. Një pjesë e bimëve u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua.
Më datë 13.08.2025, deklaruan shtetasit:
-N. B., 52 vjeç, banues në fshatin Domgjon, Mirditë, se shtetasi L. Ç., 68 vjeç, i ka penguar vaditjen e tokës së tij, duke i bllokuar linjën e kanalit;
-K. R., 36 vjeç, banues në Elbasan, se në aksin rrugor “Milot–Morinë”, ka humbur portofolin dhe dokumente.
Punohet për sqarimin e rrethanave të të dyja rasteve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan:
-shtetasin E. H., 23 vjeç, banues në Bosnje Hercegovinë, pasi në dalje të RSh-së, në PKK Muriqan, iu gjet një sasi e vogël Cannabisi;
-një 17-vjeçar, pasi në Velipojë, iu gjet një sasi e vogël Cannabisi;
-një 15-vjeçar, pasi iu gjet me vete dhe në banesë, një sasi e vogël Cannabisi.
Lënda narkotike në të treja rastet u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. H., 48 vjeç, banues në fshatin Pistull, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte në aksin “Shelqet–Pistull”, dhe si pasojë është rrëzuar. 48-vjeçari është dëmtuar dhe aktualisht është në kujdesin e mjekëve;
-L. Q., 32 vjeç, banues në fshatin Golem, pasi në këtë fshat, me automjetin që drejtonte, përplasi automjetin që drejtonte shtetasi E. B., 28 vjeç, dhe u largua nga vendi i aksidentit. Si pasojë u dëmtua lehtë, një pasagjere në automjetin e këtij të fundit;
-J. M., 30 vjeç, banues në Koplik dhe K. K., 21 vjeç, banues në Velipojë, pasi automjeti që drejtonte 30-vjeçari, u përplas në aksin “Velipojë-Shkodër”, me motomjetin pa dokumente, që drejtonte shtetasi K. K.. Si pasojë u dëmtua lehtë, ky i fundit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim:
-të kallëzimit të shtetases A. B., 29 vjeçe, se gjatë kohës që po lëvizte në trotuar, shtetasja S. L., 47 vjeçe, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka hedhur sende të forta, nga ballkoni. Nga sendet e hedhura nuk u dëmtua asnjë shtetas. Ndërkaq, shtetasja S. L. u shoqërua në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës, ku po merr asistencën e nevojshme.
-pasi dje, u konstatuan gërmime me qëllim ndërtimin, në një sipërfaqe toke, në aksin “Shkodër – Muriqan”. Vijojnë verifikimet për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësinë në lidhje me këtë rast.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar automjet në fshatin Pulaj-Plazh, si dhe posedonte 1 armë sportive.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Postës të Policisë Theth referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit T. K. dhe L. M., pasi u kapën duke kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ditën e djeshme, në fshatin Rrash Kullaj, dyshohet se si pasojë e amortizimit të rrjetit elektrik të fshatit, ka rënë zjarr. Nga përhapja e flakëve është djegur një sipërfaqe toke.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Xh., 49 vjeç, banues në fshatin Barbullush, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur vëllanë e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Gj. N., 49 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke transportuar 3 m3 lëndë drusore të dyshuar të prerë në mënyrë të kundërligjshme. Lënda drusore u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Berat/Vijon plani operacional policor anticannabis, i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Kultivuan bimë Cannabisi, në fshatin Osmëzezë, kapen në parcelë dhe vihen në pranga 2 shtetas (kushërinj).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Berat, si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve me metoda proaktive, të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të territorit, në vendin e quajtur “Moçali”, në fshatin Osmëzezë, u zbulua një parcelë ku ishin kultivuar 64 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan.
Gjatë ndërhyrjes, u kapën në flagrancë në parcelë, shtetasit S. M., 29 vjeç dhe R. M., 26 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të cilët në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. M, u gjet dhe sekuestrua një armë gjahu çifte dhe disa fishekë të armës së gjahut.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit ✅
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve
#denonconë112
Rinas
Vijon bashkëpunimi i pandërprerë ndërmjet Policisë Kufitare, ZQK Interpol Tiranës dhe partnerëve europianë.
Si rezultat, një tjetër person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u vu në pranga nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin, një shtetas belg, i kërkuar ndërkombëtarisht, për disa vepra penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i kontrolleve të shtuara me pajisjet bashkëkohore dedektuese, analizës së riskut, intervistimit të thelluar, verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin, shtetasin belg të kërkuar ndërkombëtarisht, A. K., 20 vjeç, banues në Belgjikë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Malta, pasi Gjykata e Magjistratëve Maltë ka nxjerrë urdhër arresti për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Komploti për kryerjen e një vepre penale”, “Vjedhja”, “Posedimi ,shpërndarje ose prodhimi i materialeve pornografike që përfshijnë të mitur” dhe “Mosrespektimi i kushteve të vendosura nga Gjykata për lirimin me kusht”, parashikuar nga legjislacioni penal i Maltës.
Interpol Tirana do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Maltës.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin K. S., 26 vjeç, banues në Itali, pasi gjatë kontrollit fizik dhe atij në banesë, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike të llojit kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe:
•ekzekutuan vendimin për ndalimin e shtetasit në kërkim E. B., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
•shpallën në kërkim shtetasin E. D., 36 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim babai i tij, se ky shtetas e ka dhunuar psikologjikisht duke shkelur dhe urdhrin e mbrojtjes.
•shpallën në kërkim shtetasin L. V., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim bashkëjetuesja e tij se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj.
Po këta specialistë referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 13.08.2025, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, në rrugë, është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore shtetasi P. R., 70 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se ka konsumuar alkool dhe vuan gjithashtu nga sëmundja e diabetit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:
•L. G., 45 vjeç, Sh. Sh., 40 vjeç, dhe R. Sh., 32 vjeç, banues në Çukë, Sarandë, pasi më datë 13.08.2025, ora 21:00, në zonën e ish-parkut të autobusëve në Ksamil, janë konfliktuar me sende të forta, për motive të dobëta, me shtetasit M. Sh., 23 vjeç, A. Sh., 44 vjeç, dhe F. G., 19 vjeçe, banues në Çukë, Sarandë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike.
•F. D., 55 vjeç, A. D., 21 vjeç, dhe H. F., 46 vjeç, pasi dyshohet se më datë 11.08.2025, për motive të dobëta, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, në fshatin Berdenesh.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Livadhja referuan materiale në Prokurori për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës” me pasojë vdekjen e kafshës, për shtetasin M. I., 62 vjeç, banues në Konispol, pasi dyshohet se më datë 10.08.2025, në malin “Stillo”, Vrinë, Konispol, ka hedhur ushqim të helmuar për dhelprat, por si pasojë kanë ngordhur 3 qen të shtetasit B. D., që lëviznin në atë zonë.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë dhe Sarandë:
•në vijim të veprimeve lidhur me aksidentin rrugor të ndodhur në rrugën Xarrë–Shkallë, ditën e djeshme, midis dy motomjeteve, ku si pasojë humbi jetën njëri prej drejtuesve, shtetasi U. Ç., 74 vjeç, banues në Konispol, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, drejtuesin e motomjetit tjetër, shtetasin B. Y., 46 vjeç, banues në Konispol.
•arrestuan shtetasin A. K., 24 vjeç, banues në Suedi, pasi u konstatua në Ksamil duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
•nisën procedimin penal për shtetasin E. J., 50 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 13.08.2025, në rrugën “Ismail Qemali”, Vlorë, duke drejtuar automjetin “Daimler Chrysler”, është përplasur me automjetin “Porsche” të parkuar, duke shkaktuar dëme materiale. Ky shtetas është larguar nga vendi i aksidentit dhe ka refuzuar kryerjen e testit të alkoolit.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Vlorë

Policia Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, ndihmon dy shtetas që mbetën në det gjatë natës, për shkak të një defekti të mjetit lundrues.

Pas marrjes së njoftimit se një skaf me 2 shtetas në bord kishte pësuar defekt brenda Gjirit të Vlorës, u organizua menjëherë puna për t’u ardhur në ndihmë.

Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me efektivët e Guardia di Finanza, lokalizuan skafin në zonën e “Plazhit të Vjetër” dhe pas ndërhyrjes, u bë i mundur riparimi i defektit dhe shoqërimi i tij në mënyrë të sigurt drejt stacionit.

Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i mjetit nuk dispononte në bord dokumentacionin përkatës për lundrim, ndaj tij u vendos masa administrative prej 10 000 lekësh, në zbatim të ligjit në fuqi.

✅ Policia Kufitare, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, vijon të qëndrojë në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë në hapësirat detare dhe për të reaguar me profesionalizëm në çdo situatë emergjente.

#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit✅
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve