Raporti i ngjarjeve, 14, 15, 16 shtator 2024
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor, dhe goditjen e veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre. Finalizohet operacioni policor i koduar “Joker”. Arrestohen në flagrancë 9 shtetas që u kapën në flagrancë duke organizuar lojëra fati në kundërshtim me ligjin, në një lokal në Sharrë. Sekuestrohen 1 tavolinë pokeri me çipsa, aparate celulare dhe një pajisje DVR. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Joker”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: D. Xh., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, parashikuar nga nenet 197 dhe 198 të Kodit Penal; O. M., 35 vjeç, E. H., 23 vjeç, A. Xh., 30 vjeç, L. Q., 22 vjeç, E. Gj. 33 vjeç, E. H., 24 vjeç, E. K., 33 vjeç, dhe J. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal. Gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë duke luajtur lojëra fati në kundërshtim me ligjin, 9 shtetasit e arrestuar, në një lokal në administrim nga shtetasi D. Xh., në rrugën “Llambi Zeçishti”, në Sharrë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri me çipsa, aparate celulare dhe një pajisje DVR. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Elbasan/Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, evidentohet dhe goditet një rast i paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit. Organizonin lojëra fati në lokal nëpërmjet celularëve, vihet në pranga pronari i lokalit, procedohet penalisht një shtetas që u kap në flagrancë në lokal. Sekuestrohen 2 celularë. Komisariati i Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e lojërave të fatit, kanë intensifikuar kontrollet dhe kanë goditur 1 rast të kësaj veprimtarie. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan: -arrestuan në flagrancë shtetasin Dh. K., 60 vjeç, banues në Elbasan. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e 60-vjeçarit, në lagjen “Shënkoll”, shërbimet e Policisë gjetën në celularin e tij, biseda dhe aplikacione për vënien e basteve sportive; -referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. P., 49 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap në ketë lokal, duke vënë baste sportive nëpërmjet celularit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 227 shtetas, konkretisht: 80 shtetas janë vënë në pranga, 140 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 23 raste. 4 prej tyre, në fushën e kultivimit, 3 janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastin tjetër është arrestuar 1 shtetas. Për rastet e tjera në këtë fushë, 27 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 23 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 26 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 3 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 15 raste. 12 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 14 raste, 8 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 24 raste – 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 22 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 12 raste- 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 20 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshë i kufirit”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 3 shtetas të arrestuar në flagrancë;
-1 rast i krimeve kibernetike, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të arrestuar;
-1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 11 aksidente, si pasojë e të cilëve janë dëmtuar 13 shtetas. Janë evidentuar në total 35 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 17 shtetas janë vënë në pranga dhe 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.