Raporti i ngjarjeve, 13 shtator 2024

Raporti i ngjarjeve, 13 shtator 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Vlorë/Vodhi një shumë parash në ambientet e një kazinoje në Vlorë, identifikohet dhe arrestohet 25-vjeçari. Ky shtetas, i dyshuar dhe për plagosjen me thikë të një 41-vjeçareje, kryer në bashkëpunim me një shtetase tjetër.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së kallëzimit, më datë 12.09.2024, se në ambientet e një kazinoje në Vlorë, disa ditë më parë ishte vjedhur një shumë parash, kryen të gjitha veprimet hetimore dhe, bazuar në pamjet filmike dhe në provat e tjera të siguruara, finalizuan operacionin policor të koduar “Storm 25”. Si rezultat, u bë identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit D. Z., 25 vjeç, banues në Vlorë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 25-vjeçari, më datë 01.09.2024, ka vjedhur 150 000 lekë në ambientet e një kazinoje. Gjithashtu, shtetasi D. Z. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasen Xh. Th., 23 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal, më datë 12.09.2024, në ambientet e një lokali, në lagjen “Hajro Çakërri”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasen E. D., 41 vjeçe, e cila është jashtë rrezikut për jetën.     Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 17 shtetas janë vënë në pranga, 55 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste– 6 prej tyre raste kultivimi, me autorë të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë ne pranga, 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste – 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 5 raste, 1 prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste – 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Përndjekja”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 3 shtetas të arrestuar në flagrancë;

-nga 1 rast i veprave penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Prostitucioni”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Kanosja për të mos kallëzuar”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.