Raporti i ngjarjeve, 13 nëntor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Gjirokastër/Vijon operacioni policor i koduar “Andromeda”.

Operacioni, rezultat i një hetimi disajavor, me metoda proaktive, të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, me objektiv goditjen e një grupi kriminal të implikuar në shitjen e lëndëve narkotike, në doza, në Gjirokastër dhe në Sarandë.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 pjesëtarë të tjerë të grupit.

Sekuestrohen sasi Cannabisi të ndara në doza dhe një certifikatë false që iu gjet njërit prej të arrestuarve.

Procedohet në gjendje të lirë babai i të arrestuarit tjetër, pasi iu gjetën 2 thika luftarake.

Në vijim të hetimit të kryer në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Andromeda”, në drejtimin e prokurorisë së qarkut, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër, vunë në pranga shtetasit B. L., 24 vjeç dhe E. Dh., 31 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.

Nga hetimet rezulton se 2 shtetasit, në bashkëpunim me 3 të tjerë të arrestuar më datë 25.10.2024, të organizuar si grup, janë implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, kryesisht në Gjirokastër.

Gjatë kontrolleve, 2 të arrestuarve iu gjetën sasi Cannabisi të ndara në doza. Më tej gjatë kontrolleve, shtetasit B. L. iu gjet dhe një dokument (certifikatë) e dyshuar e falsifikuar.

Në përfundim të veprimeve procedurale nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. Dh., 68 vjeç, banues në Gjirokastër (babai i 31-vjeçarit të arrestuar), sepse iu gjetën 2 thika luftarake, të cilat i mbante pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. B., 41 vjeç, A. B., 42 vjeç dhe M. B., 31 vjeç, pasi kanë ushtuar dhunë fizike ndaj shtetasit S. Q., 39 vjeç, për motive të dobëta.

Më datë 12.11.2024, në fshatin Dragostunjë, ka humbur jetën në banesën e saj, shtetasja V. B., 77 vjeçe, dyshohet për shkaqe natyrale, pasi vuante nga disa sëmundje.

Elbasan/Informacion paraprak-Në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, automjeti me drejtues shtetasin S. Gj., 39 vjeç, ka përplasur shtetasen B. B., 63 vjeçe, këmbësore. 63-vjeçarja është transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Elbasanit dhe është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Fier

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shpërndarësi”, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Fier.

Arrestohet në flagrancë një shtetas që shiste në qytet, doza të lëndës narkotike cannabis sativa.

Sekuestrohen dhjetëra doza të kësaj lënde, që iu gjetën atij, gjatë kontrollit fizik.

Në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin e shitjes së lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, pas një pune të mirëfilltë hetimore të kryer bazuar në inteligjencën policore, kanë goditur një tjetër rast, për të cilin u arrestua shtetasi A. Ç., 18 vjeç, banues në Fier.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas siguronte lëndë narkotike cannabis sativa dhe e ndante në doza të cilat më pas i shiste në ambiente dhe lagje të ndryshme të qytetit.

Gjatë kontrolli fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 18-vjeçarit, dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 celularë.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me shtetasin A. Ç., për këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kurbin

Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në terren, për evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, zbulohet një subjekt në Milot, ku kryhej në kundërshtim me ligjin, veprimtaria e përpunimit të inerteve që merreshin pas gërryerjes së shtratit të lumit Mat.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me IKMT, operacioni policor i koduar “Riverside”.

Vihet në pranga pronari i subjektit. Gjithashtu, ndëshkohet me masë administrative 2 000 000 lekë.

Sekuestrohen 3 mjete të rënda (1 kamionë, 2 ekskavatorë) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Si rezultat i kontrolleve dhe patrullimeve të vazhdueshme, të mbështetura te puna e inteligjencës policore dhe që kryhen në të gjithë territorin, me fokus prandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me IKMT Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Riverside”.

Gjatë operacionit, në Milot, është ushtruar kontroll në një subjekt për përpunimin e inerteve, në pronësi të shtetasit P. K. Nga verifikimet e kryera rezultoi se veprimtaria në këtë subjekt kryhej në kundërshtim me ligjin, sepse përveç se dëmtonte mjedisin, kryhej pa dokumentacionin përkatës, punonjësit ishin të paregjistruar dhe fshiheshin të ardhurat e përfituara.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 mjete të rënda (1 kamionë, 2 ekskavatorë) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestua në flagrancë pronari i këtij subjekti, shtetasi P. K., 48 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin.

Gjithashtu, iu vendos masa administrative 2 000 000 lekë, për veprimtarinë e kundërligjshme në këtë subjekt.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet, që veprimtarinë e marrjes së inerteve, në shtretërit e lumenjve, ta kryejnë sipas kushteve dhe kufijve të përcaktuar në dispozitat ligjore dhe në lejet përkatëse. Në çdo rast të konstatimit të shkeljes së këtyre akteve, do t’iu sekuestrohen mjetet dhe do t’iu ndalohet vijimi i kësaj veprimtarie.

Policia e Shtetit

Akuzohet se 6 muaj më parë, kreu një plagosje me armë zjarri, te rrethrrotullimi i Plepave, në Durrës, ekstradohet nga Frankfurti, 25-vjeçari.

Si rezultat i koordinimit të vazhdueshëm të punës me homologët e Interpol Ëiesbaden, Interpol Tirana finalizoi procedurat për ekstradimin e shtetasit E. K., 25 vjeç, të lindur në Kavajë, nga Gjermania në Shqipëri.

Më datë 25.05.2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ai akuzohet se më datë 15.05.2024, pas një konflikti për motive të dobëta, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plepave”, Durrës, ka plagosur me armë zjarri, shtetasin R. B..

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 25 shtetas janë vënë në pranga, 54 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Janë vënë në pranga 10 shtetas, janë shpallur në kërkim 3 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të krimeve ekonomike. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar disa raste të krimeve kibernetike në Korçë, për të cilat vijojnë hetimet për të zbardhur autorësinë dhe rrethanat.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjeve. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 14 raste. 1 shtetas është arrestuar dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të ngacmimit seksual, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të trafikimit të mjeteve motorike, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i përndjekjes, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-nga 1 rast i mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, pastrimit të parave, prishjes së qetësisë publike dhe veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.