Raporti i ngjarjeve, 12,13,14 prill 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 243 shtetas, konkretisht: 54 shtetas janë vënë në pranga, 171 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 27 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste. 5 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 30 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 5 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 36 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 11 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 14 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 31 raste, 18 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 6 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 36 raste, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 38 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 17 raste. 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 13 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 30 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Janë evidentuar:

-5 raste të prishjes së qetësisë publike. 2 shtetas janë arrestuar dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit me dhunë të urdhrave të punonjësve me funksione publike. 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të përndjekjes. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-4 raste të trafikimit të mjeteve motorike. 1 shtetas është arrestuar dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të falsifikimit. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të moskallëzimit të krimit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të krimeve kibernetike. Njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të vjedhjes së energjisë elekrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit. 1 shtetas është arrestuar dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i vetëgjyqësisë dhe përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”, me 1 shtetas të arrestuar;

-1 rast i veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 2 shtetas të arrestuar;

-1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të arrestuar;

-nga 1 rast i kalimit të kundërligjshëm të kufirit, dhunimit të banesës, kallëzimit të rremë, ndërhyrjes së padrejtë në të dhënat kompjuterike, pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale, shpërdorimit të detyrës dhe keqtrajtimit të kafshës, me 12 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe prishje të qetësisë publike, të kryera në bashkëpunim, është ndaluar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 13 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 17 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 50 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 26 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 23 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.