Raporti i ngjarjeve, 12 nëntor 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Tiranë/Arrestohen 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 ndaluan shtetasin T. Z., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin H. Ç., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 ndaluan shtetasin R. D., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi, pa lejen e organeve kompetente, në mënyrë të përsëritur.

Gjithashtu, po nga këta specialistë u ndalua shtetasi K. S., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për një të mitur 14 vjeç, banues në Tiranë. Ditën e djeshme, më datë 11.11.2024, në ambientet e shkollës “Kolë Jakova” 14-vjeçari është konlfiktuar me një bashkëmoshatarin tij dhe gjatë konfliktit, ky i fundit është dëmtuar me mjet prerës. Aktualisht ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Krujë/Informacion paraprak-Më datë 12.11.2024, rreth orës 02:45, pranë një bankomati në afërsi të Kalasë (në rrugë), është dëgjuar një shpërthim, i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

DVP Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë ndaluan shtetasin në kërkim F. Xh., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se më datë 31.10.2024, ka vjedhur kabllo elektrike të shtyllave të ndriçimit në Spille, ndërsa më datë 01.11.2024, ka tentuar të vjedhë kabllo të tjera elektrike të shtyllave të ndriçimit në të njëjtën zonë.

Komisariati i Policisë Durrës referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. D., 34 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Seksioni për Hetimin e Krimeve Kibernetike referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen M. P., 26 vjeçe, banuese në fshatin Lëpushë, pasi ka kallëzuar bashkëshorti i saj, shtetasi V. D., se 26-vjeçarja ka ndërhyrë dhe ka keqpërdorur rrjetin e tij social “Messenger”.

Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për  shtetasit M. C., 19 vjeç, banues në fshatin Kullaj dhe Sh. Rr., 39 vjeç, banues në fshatin Bleran, pasi janë kapur në akse të ndryshme rrugore, duke drejtuar motomjetet, pa leje drejtimi.

Më datë 11.01.2024, ka kallëzuar shtetasi A. B., 39 vjeç, se është larguar nga banesa, djali i tij 15 vjeç. Punohet për gjetjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë

Qarkullonte i armatosur, falë inteligjencës policore lokalizohet dhe arrestohet në flagrancë 42-vjeçari.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Driver 2” nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në rrugën “Dine Hoxha”, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Driver 2”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. V., 42  vjeç, banues në Paskuqan, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në rrugën “Dine Hoxha”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. V., dhe gjatë kontrollit fizik të tij, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 38 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste. Është ndaluar 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste. Është ndaluar 1 shtetas, është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të krimeve ekonomike. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve kibernetike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të vjedhjeve/tentativave për vjedhje, 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për 1 vjedhje të mëparshme, është ndaluar 1 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 1 shtetas është ndaluar, 2 shtetas janë arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për raste të tjera në këtë fushë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 9 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 12 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.