Raporti i ngjarjeve, 11 shkurt 2026

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 14:30, në aksin rrugor “Lezhë–Milot”, automjeti me drejtues shtetasin P. N., është përplasur me furgonin me drejtues shtetasin K. Gj., dhe me automjetin me drejtuese shtetasen E. Ll.. Si pasojë janë dëmtuar shtetasit K. Gj. dhe E. Ll., të cilët janë në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-R. H., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur produkte, në një tabakino në lagjen nr. 1;
-E. Q., 21 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, pasi mbante pa leje, në automjetin që drejtonte, 1 armë sportive, e cila u sekuestrua me cilesinë e provës materiale;
-G. S., 46 vjeç, banues në Durrës, pasi iu gjet me vete, një mjet prerës (thikë), i cili u sekuestrua me cilesinë e provës materiale.

Gjithashtu, këta specialistë shpallën në kërkim shtetasin S. Ll., 30 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka vjedhur produkte dhe një shumë parash, në një tabakino në lagjen nr. 17. Punohet për kapjen e 30-vjeçarit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh:
-kapën shtetasin e shpallur në kërkim, V. Z., 38 vjeç, pasi dyshohet se më datë 13.12.2025, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vjedhur pajisje me vlerë të konsiderueshme, në një banesë në sektorin “Iliria”. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë rast;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. D., 42 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë ndaj një 26-vjeçareje. Nga kontrolli i kryer në servisin në pronësi të tij, në fshatin Xhafzotaj, u gjetën 1 armë gjahu, 1 mjet prerës dhe municion luftarak, të cilat posedoheshin pa leje. Sendet e kundërligjshme u sekuestruan bashkë me 1 automjet që 42-vjeçari kishte në përdorim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. M., 47 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij;
-shpallën në kërkim shtetasin S. Ll., 30 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka vjedhur produkte dhe një shumë parash, në një tabakino në lagjen “Kodër”. Punohet për kapjen e 30-vjeçarit.

Më datë 10.02.2026:
-kallëzoi shtetasja Q. M., 73 vjeç, banuese në Kavajë, se ishte larguar nga banesa, vajza e saj, shtetasja B. M., 29 vjeçe, e cila sipas deklarimit të 73-vjeçares, është me probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e 29-vjeçares;
-u referuan materialet në Prokurori, për vlerësim të kallëzimit të shtetasit K. V., 53 vjeç, se partneri i ish-bashkëshortes së tij, ka ushtruar dhunë ndaj vajzës 6 vjeçe të 53-vjeçarit. E mitura ka deklaruar në prani të psikologut, se ky pretendim është i pavërtetë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 47 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Isa Boletini”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet të mprehtë (kaçavidë), shtetasin D. Z., 25 vjeç, banues në Vlorë. I dëmtuari po merr mjekim në spitalin e Vlorës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-L. Rr., 59 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj motrës së tij, për motive pronësie;
-A. F., 36 vjeçe, banuese në Vlorë, pasi ka kallëzuar bashkëshorti i saj, se ajo është larguar jashtë shtetit, bashkë me vajzën e tyre të mitur, pa miratimin e tij;
-M. A., 26 vjeç, banues në Vlorë, pas dyshohet se i ka vjedhur celularin një shtetaseje.

Specialistët e Stacionit të Policisë Orikum referuan materialet në Prokurori ku nisi pocedimi penal për shtetasin A. R., 40 vjeç, banues në Fier, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, në tejkalim të lejes së dhënë nga organet kompetente.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. T., 66 vjeç, banues në Sarandë, pasi ka shpërdoruar një sipërfaqe toke.

Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 29.01.2026, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në lagjen “Baba Rexhep”, Sarandë, bëjmë me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kapën shtetasin e shpallur në kërkim F. Gj., 22 vjeç, banues në Sarandë dhe ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i ka caktuar Gjykata e Sarandës. Gjithashtu, u ekzekutua e njëjta masë sigurie për 2 shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt, A. Gj., 27 vjeç dhe E. Q., 22 vjeç, të banues në Sarandë.

Më datë 10.02.2026, rreth orës 22:30, në fshatin Armen, ka rënë zjarr në një stallë bagëtish në pronësi të shtetasit B. H. dhe si pasojë kanë ngordhur disa bagëti. Po punohet për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-I. M., 41 vjeç, banues në Ersekë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-K. H., 35 vjeç, banues në fshatin Menkulas, Devoll, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin O. B., banues në Ersekë dhe M. S., banues në fshatin Borovë, Kolonjë, pasi në aksin rrugor “Borovë-Ersekë”, automjeti me drejtues shtetasin O. B. është përplasur me mjetin bujqësor me drejtues shtetasin M. S., i cili ishte në gjendje të dehur. Të dy shtetasit kryen kontrollet mjekësore në spital dhe u larguan në banesa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin G. E., 30 vjeç, banues në fshatin Floq, Korçë, pasi në bulevardin “Republika”, Korçë, është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasin K. K., 25 vjeç, banues në fshatin Dvoran, Korçë, të cilin e ka kanosur me mjet prerës dhe i ka dëmtuar kabinën e automjetit. Gjatë konfliktit është penguar qarkullimi i mjeteve të tjera dhe është prishur qetësia publike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës i dyshuar i përdorur nga 30-vjeçari, për kanosjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Komisariati i Policisë Lezhë

Specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për:

-shtetasin N. D., 68 vjeç, banues në fshatin Spiten, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka goditur me send të fortë, nipin e tij;

-një 16-vjeçar, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një 22-vjeçar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin A. Z., 55 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. S., 18 vjeç, banues në Fier, pasi drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan shtetasin A. P., 23 vjeç, banues në fshatin Sopëz, Divjakë, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa materiale pune, në dy ambiente të ndryshme në Divjakë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. S., 56 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ushtronte aktivitetin në një servis automjetesh, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin O. M., 43 vjeç, banues në Fier, pasi ka kanosur një shtetas, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. L., 71 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe mbante në banesë, një armë gjahu, pa leje. Arma e gjahut u sekuestrua.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Roskovec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. P., 34 vjeç, banues në fshatin Kuman, pasi në celularin e tij u konstatuan faqe për lojëra fati.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Dje, është dërguar nga familjarët, në Spitalin Rajonal Fier, një 15-vjeçare, pasi kishte konsumuar detergjent. 15-vjeçarja u dërgua në Spitalin e Traumës, për ndihmë mjekësore të specializuar, dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni i koduar “Stairs”. Goditet një tjetër rast i mbajtjes pa leje, të armës së zjarrit.

Kishte fshehur pistoletën, në papafingon e banesës së tij, arrestohet 28-vjeçari.

Sekuestrohen arma e zjarrit dhe celulari i të arrestuarit.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, me fokus kapjen e shtetasve që cenojnë sigurinë e qytetarëve, duke mbajtur pa leje, armë zjarri, operacione këto të zhvilluara si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 u finalizua operacioni i koduar “Stairs”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në fshatin Pezë e Vogël.

Nga kontrolli në banesën e tij, u gjet e fshehur në papafingo, 1 armë zjarri pistoletë që mbahej pa leje, nga i arrestuari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Qarku Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A. D., 58 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit L. S., 61 vjeç, banues në fshatin Kullaj, G. P., 67 vjeç, banues në fshatin Paçram dhe I. A., 77 vjeç, banues në fshatin Vukatanë, pasi u kapën duke drejtuar motomjete, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për shtetasin R. H., 22 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të paguhet akcizë”, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, në kufi, duke transportuar me automjet, mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara. Mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 39 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shkelja e të drejtave industriale” dhe “Punësimi i paligjshëm”, pasi gjatë kontrollit në subjektin e tij tregtar (servis automjetesh), u konstatuan pjesë të ndryshme automjetesh, të dyshuara të kontrabanduara/pa fatura tatimore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 50 pjesë automjetesh.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. M., 19 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike;
-B. O., 38 vjeç, banues në fshatin Vukatanë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Dje, në fshatin Vermosh, ka humbur jetën, në rrugë, dyshohet për shkak të arrestit kardiak, shtetasi E. S., 40 vjeç, banues në fshatin Vermosh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Bulqizë

Kapet dhe vihet në pranga një 28-vjeçar, i cili 1 vit më parë, pas një konflikti dhunoi fizikisht një 51-vjeçar nga Bulqiza, i ka marrë automjetin dhe më pas e ka dëmtuar atë.

Në kuadër të punës për gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kapën dhe ndaluan shtetasin:

D.T., 28 vjeç, banues në Bulqizë,
i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Vjedhja” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Ky shtetas, në muajin shkurt 2025, pranë rrethrrotullimit të fshatit Fshat, ka dhunuar fizikisht shtetasin I.A., 51 vjeç, i ka marrë automjetin dhe e ka dëmtuar.

Gjithashtu, Gjykata e Dibrës ka vendosur ndaj 28-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat e lartpërmendura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.

DVP Kukës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Oficerin e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Kukësit, arrestuan në flagrancë shtetasin G. Sh., 40 vjeç, banues në Kukës, pasi dje, në rrugën “1 Qershori”, në qytetin e Kukësit, ka kundërshtuar me dhunë, punonjësin e Policisë në shërbim, shtetasin G. S., i cili i ka kërkuar 40-vjeçarit, dokumentacionin e automjetit që e kishte parkuar gabim.
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen B. G., 69 vjeçe, pasi në aksin rrugor “Bajram Curri-Qafë Morinë”, automjeti që drejtonte është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë dëme materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Berat/Finalizohet operacioni i koduar “Çmontimi”.

Zbulohen në Dimal, 2 subjekte ku çmontoheshin dhe shiteshin pjesë automjetesh të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Sekuestrohen 68 automjete (pjesërisht të çmontuara).

Arrestohet pronari i njërit subjekt, shpallet në kërkim pronari i tjetrit.

Si rezultat i kontrolleve, punës operative dhe asaj hetimore, me fokus konstatimin dhe goditjen e rasteve të kryerjes së aktiviteteve ekonomike, në informalitet dhe/ose me produkte të kontrabanduara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Beratit, finalizuan operacionin e koduar “Çmontimi”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. D., 30 vjeç, banues në Dimal, dhe u shpall në kërkim shtetasi R. S., 31 vjeç, banues në Kuçovë.

Gjatë kontrolleve në subjektin e tyre (servise për automjete/subjekte për shitje pjesësh për automjete), u gjetën përkatësisht 55 dhe 13 automjete (pjesërisht të çmontuara), për të cilat nuk posedoheshin dokumente blerjeje dhe as doganore.
Automjetet dyshohet se janë të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Punohet për kapjen e shtetasit R. S..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi tubimin e zhvilluar më datë 10.02.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:

-arrestuan në flagrancë shtetasit: K. Ç., 36 vjeç; K. B., 24 vjeç; L. T., 21 vjeç; K. S., 26 vjeç; Xh. V., 18 vjeç; R. N., 28 vjeç; S. D., 48 vjeçe, F. N., 32 vjeç; A. K., 24 vjeç; F. A., 22 vjeç; G. D., 21 vjeç; D. K., 27 vjeç; J. K., 18 vjeç; A. K., 20 vjeç; O. H., 18 vjeç; S. P., 18 vjeç; A. U., 24 vjeç, dhe katër shtetas 17 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”;

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë shtetasin E. K., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-E. M., sekretar organizativ i Partisë Demokratike, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtytja e të miturit në krim”;
-B. K., K. B., L. B. dhe F. N., anëtarë të Partisë Demokratike, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Shtytja e të miturit në krim”;
-u shpall në kërkim shtetasi L. P., 41 vjeç. Po punohet për kapjen e tij.

Pasditen e djeshme, protestuesit janë mbledhur fillimisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Më pas, ata janë zhvendosur drejt Kuvendit, ku gjatë gjithë kohës së zhvillimit të tubimit, kanë hedhur lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve publike.

Si pasojë e sulmeve me sende të forta, mjete piroteknike dhe molotov ndaj punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve shtetërore, janë dëmtuar 16 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse benzinë, që janë gjetur nga shërbimet e Policisë, afër Kuvendit.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme gjatë tubimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.