Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Square”, për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.
Lëvizte me armë zjarri pistoletë, në qytet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 44-vjeçari.
Sekuestrohet pistoleta me krehër me fishekë. Pistoleta do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertizë.
Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, duke evidentuar dhe goditur veprimtaritë kriminale, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri, në qytet, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Square”, për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi I. M., 44 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë operacionit, në sheshin “Isa Boletini”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin në të cilin qarkullonte shtetasi I. M., i dyshuar për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit fizik, atij i është gjetur një armë zjarri pistoletë me një krehër me 14 fishekë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Kukës
Po kryenin punime ndërtimi, pa leje nga organet kompetente, procedohen penalisht 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasit:
- G., 38 vjeç, banues në Kukës, pasi po kryente punime ndërtimi, pa leje, në një objekt banimi në lagjen nr. 6;
- D., 59 vjeç, banues në Kukës, pasi po kryente punime ndertimi, pa leje, në një objekt banimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Librazhd/Dhunoi kunatën e tij, për motive të dobëta, e kanosi që të mos bënte kallëzim dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit, vihet në pranga 45-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, pas kallëzimit të një 37-vjeçareje se bashkëshorti i motrës së saj e kishte dhunuar dhe e kishte kanosur për të mos kallëzuar, kanë organizuar menjeherë punën dhe kanë kapur autorin e dyshuar, shtetasin N. P., 45 vjeç, banues në Librazhd. Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, 45-vjeçari ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Në përfundim të veprimeve, shtetasi N. P., 45 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja për të mos kallëzuar” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. Ç., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. S., 60 vjeç, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Papër-Peqin”, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. M., 32 vjeç, i cili është dëmtuar lehtë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Repeater”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Gjatë 48 orëve, kreu 7 vjedhje (3 prej tyre me thyerje), identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në kallëzimet e disa qytetarëve, për vjedhje në pronat e tyre, gjatë ditëve të fundit, kanë organizuar punën për zbardhjen e tyre, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Si rezultat i një pune profesionale hetimore të kryer bazuar në inteligjencën policore, u finalizua operacioni policor i koduar “Repeater”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi O. T., 23 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 08.04.2025, ka vjedhur me thyerje, në 3 markete/dyqane, dhe më datë 09.04.2025, ka vjedhur në banesa ose në rrugë, 5 biçikleta, në pronësi të 4 shtetasve.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit:
-K. A., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën një sasi Kanabisi;
-Z. B., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 i gjetën një sasi Kokaine;
-A. T., 38 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, dhe posedonte një sasi Kanabisi.
Lëndët narkotike u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare referuan materialet në Prokurori për shtetasit R. Xh., 35 vjeç dhe M. L., 34 vjeç, me detyrë inspektorë të IMT, Tiranë, pasi u shfaqën në pamje filmike në emisionin “Fiks Fare”, duke i kërkuar një shumë parash, një 48-vjeçari, me pretendimin se do t’i legalizonin shtesën e një objekti që kishte në pronësi. Gjithashtu, 48-vjeçari ka kallëzuar në Policinë e Tiranës, për këtë rast. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos procedimi në gjendje të lirë i shtetasve R. Xh. dhe M. L., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin V. B., 63 vjeç, pasi ka kanosur me një mjet prerës, bashkëshorten e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. Ll., 40 vjeç dhe A. N., 47 vjeç, pasi në rrugën “Dritan Hoxha”, dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, shtetasin F. B., 40 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. B., 37 vjeç dhe A. K., 28 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin A. M., 49 vjeç, pasi u kap jashtë banese, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Dhuna në familje”. Gjithashtu, ky shtetas, dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, ka dëmtuar kamerat e sigurisë në një banesë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 48 vjeç, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka goditur me grushte, një 22-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë:
-arrestuan shtetasin M. A., 40 vjeç, pasi dyshohet se me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur 1 automjet. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 52 vjeç, me detyrë drejtues teknik në një mobilieri, pasi dyshohet se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, ka dëmtuar lehtë, dorën, punonjësi në mobilieri, shtetasi A. K., 51 vjeç.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasit:
-A. M., 38 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje dhe në gjendje të dehur;
-Dh. P., 46 vjeç, pasi me automjetin që e drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur 1 automjet. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Kanë kallëzuar shtetaset:
-E. M., 37 vjeçe, se shtetas të paidentifikuar i kanë publikuar në rrjete sociale, postime me përmbajtje fyese;
-A. G., 45 vjeçe, se më datë 07.04.2025, është larguar nga banesa e tyre në Lushnjë, djali i saj, 16 vjeç. Po bashkëpunohet me Komisariatin e Policisë Lushnjë, për të gjetur shtetasin e mitur;
-M. A., 40 vjeçe, se më datë 07.04.2025, është larguar nga banesa, vajza e saj, shtetasja M. A., 20 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj;
-N. Z., 55 vjeçe, se gjatë natës është larguar nga banesa, motra e saj, shtetasja N. H., 46 vjeçe. Punohet për gjetjen e saj.
Mesditen e djeshme, ka njoftuar shtetasja B. K., 44 vjeçe, se ishin larguar pa komunikuar me familjarët, djali i saj 13 vjeç, së bashku me shokun e tij, bashkëmoshatar. Si rezultat i kërkimeve të pandërprera të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, të miturit janë gjetur në Durrës dhe iu janë dorëzuar familjarëve, në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë deklaruar se janë larguar, me dëshirën e tyre.
Informacion paraprak/Rreth orës 11:45, në bulevardin “Zhan D’ark”, dyshohet se si pasojë e një defekti teknik, ka marrë flakë në lëvizje, një autobus i linjës së unazës së re. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Shërbimet zjarrfikëse po punojnë për fikjen e zjarrit, ndërkohë grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin E. D., banues në fshatin Krahës, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, pasi ka mbjellë pemë ulliri në një sipërfaqe toke shtetërore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen A. V., 18 vjeçe, banuese në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka keqpërdorur të dhënat e një 18-vjeçareje, për të hapur një llogari false me emrin e saj, në rrjetin social “Tik Tok”, në të cilën janë publikuar foto dhe tekste fyese.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 61 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 2 raste. 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 9 raste, për të cilat Policia vijon punën për të identifikuar dhe/ose kapur autorët. Për vjedhje të mëparshme, janë ndaluar 2 shtetas dhe është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste. 1 shtetas është arrestuar dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të krimeve kibernetike. 2, me autorë të paidentifikuar. Rasti tjetër, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të vetëgjyqësisë, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të peshkimit të ndaluar, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të shpërdorimit të detyrës, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të arrestuar dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me 2 shtetas të arrestuar;
-1 rast i kanosjes për të mos kallëzuar, me 1 shtetas të arrestuar;
-1 rast i dhunimit të banesës, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për 2 raste të mëparshme të trafikimit të mjeteve motorike, është vënë në pranga 1 shtetas dhe janë referuar materiale shtesë për 1 shtetas tjetër.
Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 4 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.