Raporti i ngjarjeve, 10 korrik 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Tiranë

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, ndjekur me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, dhe Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Big Match”.

Në kuadër të këtij operacioni, pas një pune hetimore të mirorganizuar, janë identifikuar subjekte dhe shtetas të dyshuar, që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambienteve për lotari sportive.

Gjatë kontrolleve në këto subjekte janë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit:

– A. M., 49 vjeç, A. S., 50 vjeç, D. S., 48 vjeç, F. K., 22 vjeç, H. M., 28 vjeç, I. S., 46 vjeç, K. L., 25 vjeç, Sh. B., 60 vjeç, K. B., 31 vjeç, R. Xh., 36 vjeç, dhe M. D., 21 vjeç.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit F. S., 23 vjeç, dhe L. K., 28 vjeç.

Po në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasi I. R., 40 vjeç.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në lokale të ndryshme në Tiranë, të cilat ishin përshtatur për organizimin e lotarive të palejuara, këta shtetas janë kapur në flagrancë duke ushtruar veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.  

Gjatë operacionit janë sekuestruar 13 celularë që shërbenin për ushtrimin e lojërave të fatit, 224 000 lekë të rinj dhe 2720 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kurbin/Kontrolle intensive të territorit dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”.    

Finalizohet operacioni policor i koduar “Corn”, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike. Gjenden dhe asgjësohen 900 bimë narkotike cannabis sativa.      

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 61-vjeçari, autori i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike.    

Ky shtetas kishte krijuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike për të furnizuar sistemin e vaditjes së bimëve narkotike.       

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar edhe në inteligjencën policore, kanë intensifikuar kontrollet në terren.     

Në këtë kuadër, u finalizua operacioni i koduar “Corn”, si rezultat i të cilit u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi P. Gj., 61 vjeç, banues në fshatin Laç.   

Ky shtetas dyshohet se ka kultivuar në një sipërfaqe toke në pronësi të tij, të mbjellë me misër, 900 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Gjithashtu, ky shtetas kishte krijuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike për të furnizuar sistemin e vaditjes së këtyre bimëve.

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Gjirokastër/Kontrolle intensive të territorit, në kuadër të planeve operacionale kombëtare të koduara “Territor i pastër” dhe “Tempulli”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e  narkotikëve.     

Vihet në pranga 1 shtetas që kishte kultivuar bimë cannabis sativa, në oborrin e banesës së tij, në Lazarat, si dhe posedonte 600 gramë cannabis sativa, në banesë.

I arrestuari, me precedent të mëparshëm penal për kultivim të bimëve narkotike.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale kombëtare “Territor i pastër” dhe “Tempulli”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë intensifikuar kontrollet në terren.   

Si rezultat i kontrolleve, u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Lazarat. Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., banues në fshatin Lazarat, pasi dyshohet se ka kultivuar në oborrin e banesës së tij, 10 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilët u asgjësuan nga Policia.

Në vijim të kontrolleve, në banesën e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 600 gramë cannabis sativa. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

DVP Tiranë

Seksioni për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin dhe Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Virtual shade”.

Gjatë këtij operacioni është ndaluar shtetasi L. G., 25 vjeç, banues në Francë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal.  

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë qëndrimit në qytetin e Tiranës, nëpërmjet kartave virtuale, ka tentuar të bëjë blerje dhe të kryejë pagesa të ndryshme, në intitucione të ndryshme financiare që operojnë vendin tonë.  

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 automjet, 2 celularë, 1 lap-top dhe 420 euro.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kukës

Qëlloi me armë zjarri pistoletë, në drejtim të banesës së bashkëjetueses së tij dhe familjarëve të saj, me qëllim kanosjen, shpallet në kërkim 28-vjeçari.

Arrestohet babai i tij, pasi tentoi të pengojë zbulimin e së vërtetës për këtë rast.

Policia gjeti dhe sekuestroi pistoletën me të cilën qëlloi 1 herë, 28-vjeçari. Në vijim, në banesën e babait të tij, u gjetën 1 kallëp tritol, 1 armë gjahu, municion dhe 1 përforcues grushti, që u sekuestruan bashkë me 2 automjete.

Menjëherë pas njoftimit se me qëllim kanosjen, 1 shtetas kishte qëlluar 1 herë, me armë zjarri pistoletë, në drejtim të banesës së bashkëjetueses së tij dhe familjarëve të saj, në fshatin Bicaj, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e rastit.

Si rezultat i hetimeve u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti shtetasi B. H. (A)., 28 vjeç, banues në fashtin Shtiqen, për kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë babai i 28-vjeçarit, shtetasi B. A., 54 vjeç, sepse duke fshehur gëzhojën, tentoi të pengojë zbulimin e së vërtetës në lidhje me rastin, si dhe sepse gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 1 kallëp tritol, 1 armë gjahu, municion  dhe 1 përforcues grushti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal për shtetasin V. M., 23 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë.   

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., 34 vjeç, banues në Sarandë, pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektin e tij dhe nga verifikimet e kryera, rezultoi se kishte punësuar punonjës të paregjistruar në organet kompetente dhe nuk lëshonte kupona tatimorë për shërbimin që ofronte.   

Sektori i Policisë Rrugore arrestoi shtetasin M. B., 61 vjeç, banues në Vlorë, pasi në aksin rrugor “Vlorë-Zvërnec”, është konstatuar duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.  

Seksioni i Policisë Rrugore në Sarandë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. L., 35 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë natës, në rrugën “Butrinti”, në vendin e quajtur “Manastiri”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar pasagjerja e këtij automjeti, shtetasja Xh. B., e cila është jashtë rrezikut për jetën.        

Materialet iu referuan prokurorive, për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Si rezultat i veprimeve hetimore për rastet e zjarrvënies, Policia zbardh 2 raste të tilla të ndodhura në fshatrat e njësisë administrative Papër dhe identifikon 2 autorët.     

Ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe toke me ullinj, në pronësi të një shtetasi tjetër, vihet në pranga 54-vjeçari.  

Procedohet penalisht pronari i tokës me ullinj, për moskallëzim të krimit.  

Ndezi zjarr në tokën e tij, për djegien e mbeturinave dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën pjesërisht disa pemë ulliri në pronësi të një tjetër shtetasi, procedohet penalisht 62-vjeçari.

Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, si dhe si rezultat i informacioneve dhe provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Elbasan, për 2 raste të zjarrvënieve, u bë identifikimi i autorëve të këtyre rasteve. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste:   

-u arrestua në flagrancë shtetasi B. H., 54 vjeç, banues në fshatin Papër. Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, në fshatin Pajun, për djegien e mbeturinave, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me 267 pemë ulliri, në pronësi të shtetasit J. V. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal ndaj pronarit të tokës, shtetasit J. V., pasi nuk ka kallëzuar për këtë rast; 

-referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. S., 62 vjeç, banues në fshatin Bizhutë, pasi ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur disa mbeturina, dhe nga përhapja e flakëve janë djegur pjesërisht 7 pemë ulliri në pronësi të një 58-vjeçari. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. 

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 118 shtetas, konkretisht: 45 shtetas janë vënë në pranga, 63 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste. Për 9 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste- 4 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomike- me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 4 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 17 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 1 shetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kibernetike, me autor/ë të paidentifikuar;

-1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, me nga 1 shtetas të vënë pranga;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Përndjekja”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Fyerja” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

11 shtetas u vunë në pranga, 2 shtetas u proceduar në gjendje të lirë dhe 1 tjetër u shpall në kërkim, në kuadër të operacionit “Big match”, për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në Tiranë.

Kanë ndodhur 7 aksidente rrugore, me 9 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 20 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.