Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Fier/Qëlloi me armë zjarri automatik, në drejtim të banesës së vjehrrit të djalit të tij, vihet në pranga autori.
Sekuestrohet arma e zjarrit tip automatik.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, pas kallëzimit të marrë nga një shtetas se dikush ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së tij, menjëherë ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, dhe falë inteligjencës policore u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-P. S., 63 vjeç, banues në fshatin Karavasta e Re, Divjakë.
Ky shtetas dyshohet se pas konflikteve të vazhdueshme familjare me vjehrrin e djalit të tij, ka qëlluar drejt banesës së këtij të fundit me automatik duke kanosur atë dhe familjarët. Pas kontrollit të banesës së shtetasit P. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Tentoi t’i vidhte nën kërcënimin e thikës çantën një turisti italian, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 20-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit se një shtetas, duke përfituar nga errësira në një rrugë në lagjen nr. 13, Durrës, nën kërcënimin e thikës kishte tentuar të vidhte çantën e një turisti italian, i cili ishte duke lëvizur me automjetin e tij, por nuk kishte mundur t’ia merrte, pasi shtetasi italian ishte larguar me automjetin e tij, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Bazuar në rezultatet e hetimit dhe në provat e siguruara, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. D., 20 vjeç, banues në Bulqizë dhe rezident në Itali.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës është e angazhuar maksimalisht për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe turistët e huaj gjatë këtij sezoni turistik dhe i fton ata që të kallëzojnë çdo paligjshmëri që hasin.
Tiranë/Arrestohen 12 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin K. P., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin F. L., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasit L. A., 31 vjeç, Xh. A., 60 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 89/25 i Kodit Penal, dhe shtetasit J. D., 28 vjeç, dhe G. D., 33 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 89 dhe 278 e 25 të Kodit Penal. Këta shtetas, dyshohet se në Babrru, për motive të dobëta, janë konfliktuar me sende të forta. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve J. D., dhe G. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 fishekë arme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin A. H., 35 vjeç, banues në Kombinat, pasi gjatë kontrollit të aparatit celular, shërbimet e Policisë i gjetën të hapura faqe që shërbejnë për vendosjen e basteve sportive.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
-A. Xh., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Volksëagen” është përplasur me automjetin tip “Toyota” me drejtues shtetasin F. T., dhe më pas me dy automjete tip “Benz” me drejtues shtetasit E. G., dhe G. K. Si pasojë janë dëmtuar drejtuesit e automjeteve dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën;
-E. G., 25 vjeç, banues në Angli, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe gjatë ndalimit ka kundërshtuar punonjësit e Policisë;
-Xh. S., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Besim Alla”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar shtetasen F. S., 66 vjeçe e cila si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në spital;
-I. M., 25 vjeç, banues në Vorë, pasi në Rrugën e Dibrës, duke drejtuar automjetin tip “Opel”, ka aksidentuar shtetasen Xh. B., 24 vjeçe, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve;
-I. H., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi në aksin rrugor në drejtim të Lanabregasit, duke drejtuar motomjetin në sens të kundërt me lëvizjen, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin P. H., 41 vjeç. Si padojë janë dëmtuar të dy drejtuesit e motomjeteve dhe ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Pogradec
Konfliktohet për motive të dobëta me një shtetas dhe gjatë konfliktit i shkaktoi dëmtime me pasojë vdekjen, kapet dhe vihet në pranga nga Policia autori i dyshuar.
Në pranga edhe tre shtetas të tjerë për moskallzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi D. M., 29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. P., 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konflikt është larguar nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:
V. S., 40 vjeç, A. M., 55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.
Materialet proceduriale i kaluan Prokuroris pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i përbashkët mes Policisë Shqiptare dhe asaj Turke i koduar “TRACKING”.
Operacioni për kapjen e autorit kryesor të vjedhjes me anë të mashtrimit të një shume të madhe eurosh në një pikë të këmbimit valutor në Shkodër.
Mashtruan pronarin e një pike të këmbimit valutor, duke i marrë 140 000 euro, falë punës profesionale të strukturave për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, u identifikuan tre autorët e dyshuar, shtetas gjeorgjianë.
Në vijim të veprimeve të thelluara, Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, nëpërmjet strukturës së specializuar në varësi të tij, bëri të mundur zbulimin e itinerarit të autorit kryesor të dyshuar për këtë ngjarje, i cili po lëvizte nga Sarajeva në Stamboll me destinacion kryeqytetin e Gjeorgjisë.
Informacionin e siguruar për vendndodhjen e autorit kryesor të kësaj ngjarjeje, Departamenti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në DPPSH, nëpërmjet Interpol Tiranës e ka shkëmbyer në kohë reale me Interpol Ankaranë.
Në kuadër të operacionit policor “TRACKING”, policia turke, bazuar në informacionin e marrë nga Policia Shqiptare e cila kishte ndjekur lëvizjet e autorit të dyshuar, bëri të mundur kapjen e shtetasit K. J., 40 vjeç, i cili është deportuar në Rinas mesditën e sotme. Në momentin e kapjes në aeroportin e Stambollit, Policia Turke, gjatë kontrollit fizik, i gjeti me vete një shumë prej 7500 euro.
Po në vijim të hetimeve të thelluara nga Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet strukturës së specializuar në varësi të tij, në bashkëpunim me DVP Shkodër, është bërë i mundur edhe lokalizimi i dy autorëve të tjerë, dhe bashkëpunohet ngushtësisht me homologët për kapjen e tyre.
Më datë 09.08.2024, rreth orës 18:00, në sheshin Zdrale, Shkodër, këta shtetas, nëpërmjet mashtrimit, i kanë marrë pronarit të një pike të këmbimit valutor, shtetasit E. I., shumën prej 140 000 euro dhe më pas janë larguar menjëherë nga Shqipëria.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Shkodër, pas kallëzimit nga pronari i një exchange, se 3 shtetas e kishin mashtruar në exchange, duke i marrë një shumë parash në euro, u bë i mundur identifikimi i 3 autorëve të dyshuar.
Në vijim të veprimeve, janë shpallur në kërkim edhe dy autorët e tjerë të dyshuar, shtetasit gjeorgjianë G. T., 45 vjeç dhe B. T., 36 vjeç, për veprat penale “Mashtrimi” i kryer në bashkëpunim.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Policia e Shtetit falënderon Policinë turke për reagimin në kohë dhe bashkëpunimin profesional që çoi në finalizimin e operacionit policor “TRACKING”.
Vlorë
Plagosi me mjet prerës (thikë) një 39-vjeçar dhe një 23-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta, Policia vë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes.
Procedohet penalisht dhe një 17-vjeçar, i cili, në bashkëpunim me autorin e plagosjes, u konfliktua fizikisht me një shtetas tjerër, që ishte së bashku me të dëmtuarit.
Sekuestrohet mjeti prerës (thikë) i përdorur nga autori i plagosjes.
Sot, rreth orës 04:00, në lagjen “1 Maji”, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, jashtë ambienteve të një club-i, shtetasi S. C., 19 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasit L. T., 39 vjeç, dhe D. T., 23 vjeç. Të dy këta shtetas ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasin S. C., për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, u procedua penalisht një 17-vjeçar, i cili dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin S. C., kanë goditur me grushte, duke i shkaktuar dëmtime shtetasin A. T., 24 vjeç, i cili ndodhej së bashku me shtetasit L. T dhe D. T ( të tre kushurinj me njëri-tjetrin).
Në cilësinë e provës materiale, Policia gjeti dhe sekuestroi mjetin prerës (thikë) të përdorur nga autori i dyshuar dhe një automjet tip “Benz” në pronësi të tij.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Repeat”.
Kishte përshtatur lokalin që administronte, për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike, vihet në pranga 27-vjeçari.
Në pranga dhe 1 shtetas i punësuar në mënyrë të paligjshme, si bodyguard, i cili ua shiste lëndën narkotike kokainë, klientëve të lokalit.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë dhe një përforcues grushti.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të megaoperacionit të koduar “Tempulli”, se një lokal në lagjen nr. 13, ishte përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës finalizuan operacionin policor të koduar “Repeat”.
Nga ndërhyrja e menjëhershme në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasit D. T., 27 vjeç dhe D. Sh., 33 vjeç, të dy banues në Durrës. 27-vjeçari kishte përshtatur lokalin që administronte, për përdorim dhe shitje të kokainës, ndërsa shtetasi D. Sh., i punësuar në kundërshtim me ligjin, bodyguard në këtë lokal, ua shiste këtë lëndë narkotike, klientëve të lokalit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Komisariati i Policisë Elbasan arrestoi në flagrancë shtetasin N. Gj., 36 vjeç, si dhe referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. B., 50 vjeç dhe R. M., 33 vjeç, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, 36-vjeçari ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës, shtetasin L. B., ndërsa 50-vjeçari dhe shtetasi R. M. (të afërm të njëri-tjetrit) kanë goditur me grushte dhe send të fortë, 36-vjeçarin.
Komisariati i Policisë Cërrik arrestoi në flagrancë shtetasit:
-L. D., 50 vjeç, banues në Belsh, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën vepër penale;
-P. H., 62 vjeç, banues në Belsh, pasi ka goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë Bashkiake, të cilët kanë shkuar për të hapur një rrugë që ky shtetas e ka bllokuar me pretendimin se është pronë e tij.
Komisariati i Policisë Librazhd arrestoi në flagrancë shtetasin B. A., 31 vjeç, banues në Prrenjas, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Më datë 11.08 2024, rreth orës 11:45, dyshohet se si pasojë e temperaturave të larta dhe mbetjeve prej qelqi të hedhura në tokë, ka rënë zjarr në fshatin Bardhaj, Prrenjas. Si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe me barishte , si dhe është djegur pjesërisht një banesë aktualisht e pabanuar në pronësi të shtetasit P. B..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
PKK Rinas/Policia Kufitare, plan të detajuar masash për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të vjedhjes së sendeve me vlerë, nga bagazhet e pasagjerëve.
Si rezultat i kontrolleve intensive, Policia Kufitare ka vënë në pranga njërin prej autorëve të dyshuar të vjedhjeve dhe ka nisur procedimi penal për tjetrin, të dy punonjës bagazhesh në aeroport.
Sekuestrohen një shumë eurosh dhe bizhuteri, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.
Në zbatim të një plani të posaçëm masash, të hartuar nga Policia Kufitare e PKK Rinas, me qëllim parandalimin e rasteve të vjedhjes së sendeve me vlerë nga bagazhet e pasagjerëve dhe zbardhjen e rasteve të kryera më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas kanë konstatuar pranë kontenierëve ku ndërrohen punonjësit e bagazheve, njërin nga punonjësit, shtetasin L. Z., teksa fshihte bizhuteri të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.
Më tej, është kryer kontroll në hapësirën ku mbanin sendet personale, shtetasi L. Z. dhe punonjësi tjetër i bagazheve, shtetasi M. S.. Aty janë gjetur 1250 euro dhe bizhuteri të tjera, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja”, shtetasi L. Z., 19 vjeç, dhe është proceduar në gjendje të lirë, për të njëjtën vepër penale, shtetasi M. S., 24 vjeç, të dy banues në Krujë.
Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove dhe bizhuteritë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia Kufitare e Rinasit apelon për të gjithë pasagjerët, që për arsye sigurie, paratë dhe sendet me vlerë t’i mbajnë në çantat e dorës, jo në bagazhet e stivës, pasi kompanitë ajrore nuk mbajnë përgjegjësi për to.
Gjithashtu, fton të gjithë pasagjerët që të denoncojnë te punonjësit e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në njësinë fizike të Policisë së Rinasit dhe në numrin pa pagesë 112, çdo indicie që kanë për këtë paligjshmëri dhe për çdo paligjshmëri tjetër. Reagimi i Policisë për parandalimin dhe goditjen e tyre do të jetë i menjëhershëm.
Qarku Shkodër/Vijojnë kontrollet dhe hetimet proaktive, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Territor i pastër”.
Si rezultat, në të gjithë territorin e qarkut, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, asgjësuan 11 637 bimë dhe 6832 fidanë narkotikë cannabis sativa, si dhe sekuestruan 10.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa në proces tharjeje.
Në Vaun e Dejës është kapur në flagrancë, pas një hetimi me metoda proaktive, një 24-vjeçar, si dhe është proceduar penalisht një 57-vjeçar, autorë të dyshuar të 2 rasteve të kultivimit.
Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, 3 kryetarë fshatrash dhe 2 specialistë pyjesh.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejes gjetën dhe asgjësuan 300 bimë narkotike cannabis sativa. Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i kultivimit të 86 bimëve në këtë zonë, shtetasi K .P., 24 vjeç. Gjithashtu, u identifikua dhe u procedua në gjendje të lirë, autori i dyshuar i një rasti tjetër kultivimi në Vaun e Dejës, shtetasi A. P., 57 vjeç. Më tej, nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, për kryetarin e fshatit Mnelë e Madhe, shtetasin Z. B..
-Shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë Arrëz asgjësuan 6832 fidanë narkotikë të mbjellë në kubikë dhe 1280 bimë narkotike në proces tharjeje, si dhe sekuestruan 10.5 kg të kësaj lënde narkotike, gjithashtu në proces tharjeje. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Y. S., kryetar i njësisë administrative Fierzë dhe A. M., specialist pyjesh në këtë njësi.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 4407 bimë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Gj. Gj., kryetar i fshatit Bratosh dhe L. B., specialist pyjesh në këtë fshat.
-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe ato të Stacionit të Policisë Theth gjetën në territoret e njësive administrative Shosh, Pult dhe Postribë, dhe asgjësuan 5650 bimë dhe fidanë narkotikë cannabis sativa.
Në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të këtyre rasteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Ndezën zjarre në fshatrat Arrëz dhe Bogovë, të cilat si pasojë dogjën sipërfaqe toke dhe 110 rrënjë ulliri, Policia identifikon dhe nxjerr përpara përgjegjësisë penale, autorët.
-Stacioni i Policisë Dimal arrestoi shtetasin A. J., 45 vjeç, banues në fshatin Arrëz, pasi si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në afërsi të tokës së tij, për të djegur mbeturina, janë djegur 110 rrënjë ulliri në pronësi të disa shtetasve të tjerë;
-Komisariati i Policisë Skrapar referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. L., 44 vjeç, banues në Skrapar, pasi si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ky shtetas ka ndezur në vendin e quajtur “Rrasa e Dobrushës”, Bogovë, për të djegur mbeturina, është djegur një sipërfaqe toke, pronë publike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon sërish për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Drejtoria e Policisë Rrugore
Fluksi shumë i lartë i automjeteve drejt zonave bregdetare, turistike dhe qendrave të mëdhaja të banimit, Policia Rrugore shton masat me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Monitorime intensive 24/7, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë, dragera dhe teleskopë.
Si rezultat i monitorimit në të gjitha akset rrugore, gjatë javës që lamë pas:
-janë pezulluar 154 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;
-janë arrestuar 41 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vendosur 24 231 masa administrative, nga këto:
-6701 për shpejtësi tej normave të lejuara;
-1014 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
-1306 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
-2357 për parakalime të gabuara;
-267 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
-117 për manovra të rrezikshme në rrugë;
– 201 për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit;
-10034 për parkim të gabuar;
-2234 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Më tej, gjatë javës që kaloi, janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e konstatuara.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, për qëndrim në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes së automjeteve në raste fluksi, për përdorim të rrugëve alternative, që t’iu japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në qendrat urbane dhe në akset nacionale.
Gjithashtu, për drejtuesit e kamionëve që të zbatojnë me rigorozitet kufizimet e lëvizjes gjatë fundjavës dhe festave zyrtare.
Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 246 shtetas, konkretisht: 83 shtetas janë vënë në pranga, 145 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 18 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 24 raste. 10 prej tyre, në fushën e kultivimit, janë me autorë të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në këtë fushë, 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 26 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 12 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 33 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 10 raste- 12 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 10 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit kibernetik janë evidentuar 3 raste, 3 shtetas janë shpallur në kërkim. Gjithashtu, Policia e Tiranës zbardhi 62 raste të përndjekjes online, kryer nga një shtetas që aktualisht vuan dënim në një IEVP në Francë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 15 raste, 5 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 8 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 40 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera 8 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 35 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 27 raste- 19 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 45 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-6 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të falsifikimit, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të shpërdorimit të detyrës, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 3 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe 1 rast i largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, “Kanosja për të mos kallëzuar” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Dhunimi i banesës” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 20 aksidente, si pasojë e të cilave 3 shtetas kanë humbur jetën dhe 27 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 60 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 29 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 32 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.