Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë
Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Immediate”.
Sekuestrohen pasuri me vlerë 750 000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 37-vjeçari.
Në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë,u zhvillua operacioni policor i koduar “Immediate”.
Në zbatim të këtij procedimi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme e të luajtshme, në emër të shtetasve O. H., 37 vjeç, dhe I. H., 41 vjeç, konkretisht 6 apartamente dhe 6 automjete.
Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e kryer nga shtetasi O. H., i cili në vitin 2020 ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Britaninë e Madhe.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
DVP Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Poicisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. G., 41 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë të paidentifikuar, ka vjedhur materiale inoksi, në një subjekt privat.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasen D. M., 30 vjeçe, banuese në Kavajë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, jashtë banesës, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Durrësit.
Në Komisariatin e Policisë Durrës ka kallëzuar shtetasja Sh. K., 55 vjeçe, banuese në fshatin Katund i Ri, se më datë 27.09.2024, është larguar nga banesa, vajza e saj, shtetasja M. K., 33 vjeçe, me probleme të shëndetit mendor. Po punohet për gjetjen e saj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Qarku Shkodër/Në vijim të megaoperacionit policor anticannabis “Territor i pastër”, asgjësohen 2532 bimë cannabisi dhe 23.5 kg cannabis në proces tharjeje.
Në kuadër të këtij megaoperacioni që ka si objektiva parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit:
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësisë administrative Shllak dhe asgjësuan 1115 bimë cannabisi, si dhe 23.5 kg cannabis (pjesë bimësh) në proces tharjeje;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësive administrative Pult, Shalë dhe Postribë, dhe asgjësuan 1118 bimë cannabisi;
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën në territorin e njësisë administrative Kastrat dhe asgjësuan 122 bimë cannabisi;
-shërbimet e Statcionit të Policisë Fushë Arrëz gjetën në territorin e njësive administrative Fierzë dhe asgjësuan 177 bimë cannabisi.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Kontrollet vijojnë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 24 shtetas janë vënë në pranga, 61 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste. Për 1 rast të kultivimit të bimëve narkotike, autori/ët janë të paidentifikuar, ndërsa për 3 rastet e tjera në fushën e narkotikëve, është vënë në pranga 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike, me 2 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të vjedhjes, 3 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për vjedhjet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 5 raste, 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i krimeve kibernetike dhe 1 rast i veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me autorë të paidentifikuar;
-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Vetëgjyqësia”, “Dhunimi i banesës”, “Braktisja e fëmijëve të mitur”, “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit” dhe “Keqtrajtimi i kafshës”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
5 shtetas janë arrestuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
3 shtetas të shpallur në kërkim përkatësisht për falsifikim, thyerje të masës së sigurisë dhe krime seksuale, janë kapur dhe ndaluar.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 7 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.