Tiranë/Finalizohet nga komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 7, operacioni policor i koduar “Lokacioni”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim.
Në vitin 2023, kultivoi në një ambient të mbyllur (magazinë), në fshatin Marikaj, rreth 2000 bimë dhe fidanë narkotikë, kapet 48-vjeçari.
Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te puna informative, për përcaktimin e vendndodhjes së shtetasve në kërkim dhe për kapjen e tyre, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 3 dhe Nr. 7 finalizuan operacionin “Lokacioni”, gjatë të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. K., 48 vjeç.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, atij i duhet të vuajë dhe 2 vjet, 2 muaj e 17 ditë burgim, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Në vitin 2023, në fshatin Marikaj, në një ambient të mbyllur (magazinë), ai kultivoi 1035 bimë narkotike, në vazo, dhe 907 fidanë narkotikë, në kubikë, duke shfrytëzuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Vijon operacioni policor i koduar “Stolen line”, kundër trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit.
Shkon 5 numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja e operacionit.
Sekuestrohet 1 automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani.
Procedohet penalisht blerësi i automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë.
Identifikohet dhe shpallet shtetasi kosovar që dyshohet se ka trafikuar këtë automjet, në Shqipëri.
Si rezultat i punës hetimore, të kryer në kuadër të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze, të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua 1 automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.
Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin në Shqipëri, me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar), si dhe u procedua penalisht blerësi i automjetit (njëkohësisht drejtues i automjetit, në momentin e ndalimit), shtetasi E. D., 39 vjeç.
Punohet për kapjen e 42-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan shtetasin M. T., 43 vjeç, banues në Divjakë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij të mitur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi ka goditur me grushte një bashkëmoshatar, për motive të dobëta.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi F. K., 39 vjeç, banues në fshatin Grecalli, pasi i ka pushtuar një sipërfaqe toke dhe i ka dëmtuar një banesë të vjetër, kushërirës së tij, shtetases A. V., 53 vjeçe.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Lushnjë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:40, në aksin rrugor “Kurtinë-Yzgjokaj”, shtetasi B. D., 60 vjeç, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak, gjatë drejtimit të motomjetit, dhe për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të vdekjes dhe të rrethanave të rastit.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës:
-arrestuan në flagrancë shtetasin O. L., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me mjet të fortë, shtetasin A. M., i cili mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe u largua në banesë;
-shpallën në kërkim shtetasin E. Sh., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se nuk ka kthyer një automjet të marrë me qira, i cili u gjet në lagjen nr. 18, i dëmtuar si pasojë e reshjeve të shiut. Punohet për kapjen e 36-vjeçarit.
-shpallën në kërkim shtetasin L. L., 35 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se ka kanosur një shtetas 44 vjeç. Punohet për kapjen e 35-vjeçarit;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 21 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. K., 53 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.
Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. L., 55 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në efektin e alkoolit, dhe si pasojë automjeti është përplasur me një automjet. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. Xh., 52 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me mjet të fortë, në dorë, një shtetas 64 vjeç;
-I. S., 38 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj fëmijës së tij të mitur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Rrjeti”, për zbardhjen e një sërë vjedhjesh të kryera në një rrjet supermarketesh, gjatë 2 muajve të fundit.
Vihet në pranga 31-vjeçari që kreu 4 vjedhje në këto subjekte.
Ai u kap duke vjedhur në një supermarket, pjesë e të njëjtit rrjet.
31-vjeçari, i dënuar më parë, për të njëjtin krim.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera pas kallëzimit të administratorit të një rrjeti supermarketesh në qytetin e Durrësit, se një shtetas, disa herë, kishte vjedhur produkte, në supermarketet e këtij rrjeti, duke u larguar me vrap, pa paguar, pas kalimit të produkteve, në kasa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin “Rrjeti”.
Në kuadër të operacionit, u identifikua, u kap gjatë tentativës për të vjedhur në supermarket, dhe u vu në pranga shtetasi K. M., 31 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës 06.11.2025-31.12.2025, ka vjedhur 4 herë, produkte në supermarkete të të njëjtit rrjet, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për:
-një shtetas i mitur, 14 vjeç, banues në Gjoricë, pasi në rrugën dytësore të fshatit Gjoricë, teksa drejtonte një automjet tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin dhe automjeti është përplasur me një automjet tjetër. Si pasojë, mbeti i lënduar lehtë shtetasi D.R., 66 vjeç, i cili po udhëtonte me 14-vjeçarin. Gjithashtu, për 66-vjeçarin ka filluar procedimi penal, pasi ka bërë deklarim të rremë përpara oficerit të policisë, në lidhje me rrethanat e ndodhjes së aksidentit.
-një shtetas i mitur, 15 vjeç, banues në fshatin Krajkë, pasi në rrugën dytësore të këtij fshati, teksa drejtonte një automjet tip “Audi”, pa u pajisur me leje drejtimi, ka humbur kontrollin mbi drejtimin dhe automjeti është përplasur me automjetin e shtetases E.H. Si pasojë, mbetën të lënduar dy pasagjerë që udhëtonin me shtetasen E.H., të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Klos referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi më datë 06.01.2026, rreth orës 19:00, në fshatin Shkallë, dyshohet se, si pasojë e rrjetit elektrik të amortizuar të banesës, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa e shtetasit B.M.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Tropojë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me DVP Kukës, operacioni policor i koduar “Start 2026”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Kapen në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Astë, duke kryer shitblerjen e 5 kilogramëve kanabis, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike, automjeti me të cilin ishte transportuar dhe një shumë parash.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara për shitblerjen e një sasie lënde narkotike, Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës, organizoi dhe finalizoi në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Start 2026”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
– I. M., 22 vjeç, banues në fshatin Astë dhe S. A., 22 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Astë, në momentin kur shtetasi I. M. po i shiste lëndën narkotike, shtetasit S. A.
Qesja me lëndë narkotike kanabis, me peshë 5 kilogramë, që u gjet gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit I. M., u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe një shumë parash.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. B., 30 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. R., 39 vjeç, banues në fshatin Obot, pasi ka bërë kallëzim bashkëshortja e tij, shtetasja K. R., 31 vjeç, se gjatë zbatimit të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për të marrë pasurinë personale të saj, bashkëshorti nuk i ka dhënë pasaportën e djalit të tyre të mitur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Fier/ Finalizohet pas një muaji hetime me metoda proaktive operacioni policor i koduar “New Start 2”.
Zbulohet një arsenal armësh dhe një sasi droge.
Sekuestrohen armë zjarri, granata luftarake, municion luftarak dhe drogë.
Vihet në pranga një shtetas 34-vjeçar që ushtronte veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Në pranga edhe babai i tij, pasi në banesë u gjet arsenali i armëve dhe një sasi tjetër e lëndës narkotike.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një pune hetimore 1-mujore, me mbështetjen e Forcave Operacionale dhe “Shqiponjat”, finalizoi operacionin policor të koduar “New Start 2”.
Si rezultat, u vu në pranga shtetasi A. H., 34 vjeç, banues në fshatin Suk, Roskovec.
Bazuar në informacionet e siguruara gjatë hetimit për 34-vjeçarin që shiste drogë dhe posedonte armë zjarri, shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, kapën në dalje të fshatit Suk, Roskovec, shtetasin A. H., ku në automjetin e tij gjetën rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis sativa, të ndarë në doza gati për shitje.
Në vijim të operacionit, nga kontrolli i banesës dhe i lokalit në pronësi të tij dhe babait të tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 17.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, e përpunuar dhe e ndarë në doza gati për shitje, 2 armë zjarri pistoletë, 2 armë zjarri automatike, 2 granata luftarake, 1110 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 2 aparate celularë dhe 1 motomjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi edhe i shtetasit A. H., 61 vjeç.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Vau i Dejës/Zbulohen 2 ambiente (banesa) në fshatin Barbullush, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Finalizohet faza e pestë e operacionit policor të koduar “Neonët 5”. Shkon në 9 numri i ambienteve të zbuluara dhe të goditura në kuadër të këtij operacioni.
Vihet në pranga një 31-vjeçar dhe shpallen në kërkim 4 të tjerë.
Ndalohen edhe 3 punonjës të OSHEE-së.
Sekuestrohen 583 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 7 kg e 490 gr kanabis, 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 3 celularë.
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, dhe të mbështetura nga Forca Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Në këtë kuadër u organizua dhe u finalizua faza e pestë të operacionit policor të koduar “Neonët”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 31 vjeç, banues në Shkodër, dhe u shpallën në kërkim shtetasit Gj. G., 46 vjeç, L. G., 53 vjeç, E. G., 43 vjeç dhe M. G., 51 vjeç, të gjithë banues në fshatin Barbullush.
Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit F. H., 31 vjeç, banues në fshatin Ashtë, A. Gj., 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush, dhe Z. N., 27 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Nga kontrollet në dy ambiente (banesa), në fshatin Barbullush, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 583 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 7 kg e 490 gr kanabis, 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 3 celularë.
Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
