Raporti i ngjarjeve, 05.01.2026

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin E. K., 38 vjeç, banues në fshatin Cakran, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit E. S., 42 vjeç dhe M. S., 38 vjeçe (bashkëshortë), pasi 38-vjeçarja ka ushtruar dhunë ndaj vjehrrës së saj, ndërsa shtetasi E. S. ka ushtruar dhunë ndaj 38-vjeçares.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Finalizohet operacioni i koduar “New Start”.

Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, i ndjekur prej 1 muaji me metoda speciale të hetimit.

Gjatë operacionit arrestohet në flagrancë 1 shtetas, i cili posedonte lëndë narkotike kokainë, me qëllim shitjen në qytetin e Fierit.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin Y. E., 26 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që shtetasi Y. E. drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën një sasi prej 81 gramësh lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të cilën ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen.

Shtetasi Y. E. ka tentuar t’u ikë punonjësve të Policisë, por është neutralizuar dhe më pas vënë në pranga.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 1 automjet dhe 3 celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 59 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor “Peqin-Elbasan”, në fshatin Bradashesh, shtetasi A. H. dyshohet se ka përplasur me automjetin që drejtonte, shtetasen N. S., 46 vjeçe, këmbësore, e cila për shkak të dëmtimeve ka humbur jetën në spital.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. J., 56 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Në Komisariatin e Policisë Cërrik ka kallëzuar shtetasi B. R., 43 vjeç, se më datë 03.01.2026, është larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja E. R., 36 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.

Më datë 04.01.2026, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit M. V., 77 vjeç, në fshatin Murrash. Si pasojë, banesa është djegur plotësisht.

Peqin/Më datë 04.01.2026, ka kallëzuar shtetasi B. Ç., se në banesën e tij, në fshatin Pekisht, i kanë vjedhur DVR-në e kamerave të sigurisë dhe disa vegla pune. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 01.01.2026, për largimin nga banesa të shtetasit A. A., 82 vjeç, banues në lagjen “5 Maji”, i cili vuante nga demenca, informojmë se më datë 04.01.2026, si rezultat i kërkimeve në bashkëpunim me familjarët e 82-vjeçarit, është gjetur trupi i pajetë i tij, në një ullishtë në fshatin Vidhas. Ai dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Kukës

Specialistët e qarkullimit rrugor të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 49 vjeç, banues në fshatin Vranisht, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, pasi në qytetin e Krumës, automjeti që drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin M. G. Si pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi M. G.

Specialistët e qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. R., 29 vjeçe, rezidente në Zvicër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rugor”, pasi në aksin rrugor “Bajram Curri-Cërnicë”, ka përplasur me automjetin që drejtonte, automjetin me drejtues shtetasin Sh. G., 35 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Dhuna në familje” për shtetasit:

A. Ll., 43 vjeçe; A. Ll., 47 vjeç; G. K., 44 vjeçe dhe M. K., 50 vjeç, rezidentë në Athinë, Greqi, pasi në fshatin Vranisht, Devoll, dyshohet se janë konfliktuar dhe kanë ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj njëri-tjetrit, për motive pronësie.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
•arrestuan shtetasit E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë, u dëmtuan 2 punonjës policie, njëri prej të cilëve vijon ende në spital;
•referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. K. dhe A. P., pasi kanë pushtuar hapësirën publike përpara Kryeministrisë, duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera, pa leje dhe në kundërshtim me urdhrin e punonjësve të Policisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
•Z. D., 35 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka qëlluar me shuplakë një  shtetase;
•I. B., 25 vjeçe, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur një 29-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
•D. K. dhe M. L., pasi dyshohet se për motive të dobëta janë konfliktuar me njëri-tjetrin;
•Y. C., pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, për të lëvizur automjetin e parkuar në mënyrë të parregullt. Gjatë kontrollit fizik, shtetadit Y. C. iu gjetën një mjet prerës dhe një stemë policie.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. D., pasi dyshohet se nga pakujdesia ka dëmtuar automjetin e shtetasit K. C.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetasve:
•A. K. dhe E. P., pasi dyshohet se për motive të dobëta kanë goditur me grusht shtetasin M. B.;
•F. A., pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin L. T., nëpërmjet celularit.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin B. K., 55 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte ka aksidentuar shtetasin A. K., këmbësor, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Interpol Tirana

Plagosi disa herë, me mjet prerës (thikë), një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lagjen “Plazh”, Durrës, ekstradohet nga Greqia, 32-vjeçari.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të tyre në Athinë, u finalizua në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Greqia në Shqipëri, të shtetasit A. M., 32 vjeç, të lindur në Bulqizë.

32-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2024, Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Shtetasi A. M. akuzohet se mbrëmjen e datës 06.10.2022, për motive të dobëta, ka plagosur disa herë, me mjet prerës (thikë), shtetasin B. F., në lagjen nr. 13, Durrës.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. H., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj thjeshtrës së tij.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi në aksin rrugor “Ura e Leklit-Këlcyrë”, shtetasi K. J., 21 vjeç, banues në Përmet, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë pasagjeri në automjet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

DVKM Kukës

I dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim, nga autoritetet lituaneze, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në hyrje të RSh-së, 39-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe i verifikimeve në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar:

B. K., 39 vjeç, banues në Kosovë.

Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vilnius, Lituani, pasi Gjykata e Vilnusit e ka dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim, për veprën penale “Dëmtimi i papërfillshëm i shëndetit, kërcenimi për të vrarë ose për t’i shkaktuar një personi një dëmtim të rëndë shëndeti ose terrorizmi i një personi”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Lituani, vijon procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 53 vjeç, banues në Dibër, pasi në aksin rrugor Peshkopi–Maqellarë, duke drejtuar motomjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi drejtimin dhe është përplasur me një automjet tjetër.

Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i dëmtuar 53-vjeçari, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit L. D., 45 vjeç, banues në Dibër, pasi për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin L. M.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmë, mbi aksidentin në rrugën e re të portit, me pasojë vdekjen e shtetasit R. M., ju informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit që përplasi këmbësorin, shtetasit L. K., 28 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Në lidhje me kallëzimin e bërë nga shtetasi S. S., më datë 23.12.2025, për largimin nga banesa të babait të tij, shtetasit A. S., 51 vjeç, bëjmë me dije se 51-vjeçari është kthyer në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin N. D., 41 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.