Fier/ Informacion paraprak
Rreth orës 18:20, në aksin rrugor “Fier-Libofshë”, automjeti tip Benz që drejtohej nga shtetasi N. Sh., 55 vjeç, ka përplasur 2 këmbësorë, shtetasit A. M., 62 vjeç, dhe H. M., 55 vjeçe, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi N. Sh., u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Tiranë/Informacion paraprak
Në fshatin Selitë-Mal, Zall Bastar, dyshohet se gjatë tentativës për të kaluar lumin, shtetasja B. P., rreth 44 vjeçe, është marrë nga rrjedha e tij dhe për pasojë ka humbur jetën. Trupi i pajetë i 44-vjeçares është gjetur dhe nxjerrë nga lumi.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan shtetasin O. A., 22 vjeç, banues në Vlorë, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Demokracia”, duke drejtuar automjetin e markës Audi, ka aksidentuar në vijat e bardha këmbësorin shtetasin P. O., 96 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin F. B., 56 vjeç, banues në fshatin Bërdenesh, Sarandë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin T. D., 31 vjeç, banues në Durrës.
31 vjeçari me automjetin që drejtonte, në aksin Sallmone–Shijak, ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen E. H., 51 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin S. H., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasin A. K., 31 vjeç, banues në Durrës, i cili është person me masë sigurimi “arrest në shtëpi”, pasi nga kontrolli i ushtruar mbrëmjen e djeshme nuk është gjetur në banesë.
Punohet për kapjen e 31-vjeçarit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin S. Sh., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.
Më datë 02.01.2026 është paraqitur shtetasja M. Ç., 19 vjeçe, banuese në Durrës, e cila kallëzon se është larguar nga banesa vëllai i saj, shtetasi G. Ç., 31 vjeç. Punohet për gjetjen e 31-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan shtetasin K. H., 31 vjeç, banues në Shkodër, pasi duke drejtuar automjetin e tij në gjendje të dehur, automjeti është përplasur me një automjet tjetër, duke shkaktuar vetëm dëme materiale, dhe është larguar nga vendi i aksidentit;
-referuan materialet në Prokurori, për vlerësim fakti, pasi dje në lagjen “Skënderbeg”, shtetasi P. A., 30 vjeç, duke drejtuar motomjetin e tij, pa leje drejtimi dhe nën efektin e alkoolit, ka humbur kontrollin e motomjetit dhe është vetërrëzuar. Si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-arrestuan shtetasin P. F., 41 vjeç, banues në fshatin Oblikë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. L., 52 vjeç, pasi u kap duke transportuar 3 m³ lëndë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme. Lënda drusore u sekuestrua si provë materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. B., 40 vjeç, pasi në biznesin e tij është konstatuar duke tregtuar lëndë piroteknike pa dokumentacionin përkatës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 32 vjeç, banues në Pukë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi K. A., 24 vjeç, se 32-vjeçari e ka fyer dhe kanosur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë
Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale me pasoja për jetën, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë.
Vihen në pranga dy shtetas, njëri prej të cilëve qëlloi me armë zjarri në ajër, gjatë një konflikti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit:
• A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë;
• M. A., 25 vjeç, banues në Orikum.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis 2 shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
DVP Elbasan
I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet kosovare, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 34-vjeçari.
Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, lokalizuan, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin:
A. S., 34 vjeç, banues në Cërrik.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Pejës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, kreu procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit.
