Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë
Pika e Kalimit Kufitar Qafë Thanë
Nga kontakti i vazhdueshëm me autoritetet e policisë kufitare të Maqedonisë së Veriut, jemi njoftuar se, aksi rrugor “Strugë-Qafë Thanë”, i cili ishte i bllokuar që në datën 30.12.2025, për shkak të një aksidenti rrugor, aktualisht është zhbllokuar.
Lëvizja e mjeteve dhe e shtetasve, po kryhet lirisht si në hyrje dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, duke respektuar procedurat e verifikimit kufitar.
Ju faleminderit!
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare të DVP Korçë, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin B. H., 48 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi ky shtetas me detyrë administrator i një subjekti tregtar, nëpërmjet operatorit ekonomik të kontraktuar për mirëmbajtjen e aksit rrugor “Maliq-Lozhan”, dyshohet se nuk ka ofruar shërbimin e pastrimit dhe kriposjes së këtij aksi, duke sjellë rrezik dhe vështirësi për përdoruesit e rrugës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-G. H.; J. L.; D. R.; banues në Korçë, pasi në lokalin ku këta shtetas ndodheshin gjatë kontrollit të celularëve të tyre u gjetën faqe për baste sportive.
-R. Xh., 43 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 17, Korçë, u kap duke tregtuar lëndë piroteknike (fishekzjarre) në kundërshtim me ligjin, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku u shpall në kërkim shtetasi K. D., 27 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr.12, në ambientin e një lokali dyshohet se ka goditur fizikisht, për motive të dobëta, punonjësin e sigurisë shtetasin F. L., 53 vjeç, banues në Korçë, i cili po merr mjekim në spitalin e Korçës.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin R. D., 26 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 2, Pogradec, ku u konstatua duke lëvizur me automjetin e tij, gjatë kontrollit fizik iu gjet e sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit I. Ç., 55 vjeç dhe A. Ç., 27 vjeç, banues në fshatin Starovë, Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, në një lokal, dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me shtetasin E. M., për motive të dobëta.
Pogradec/Mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr.1, tek shkallët e një pallati në katin e tretë, është gjetur i pajetë, dyshohet i vetëvarur shtetasi E. Ç., 32 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq. Nga këqyrja e trupit të 32-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale operacioni policor i koduar “Fishat”.
Evidentohet një rast i përshtatjes së një godine trekatëshe për kazino dhe përdorim droge.
Sekuestrohen miliona lekë, euro dhe dollarë, kokainë, makineta, tavolinë pokeri, letra bixhozi etj.
Vihet në pranga përgjegjësi i kazinosë, si dhe shpallet në kërkim organizatori që kishte marrë me qira objektin trekatësh dhe e kishte përshtatur për kazino.
Procedohen penalisht 15 shtetas që u kapën në ambientet e kazinosë duke luajtur lojëra fati në makineta dhe në tavolinën e pokerit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë hetimin disiplinor për disa drejtues dhe punonjës policie, të cilët nuk kanë marrë masa për evidentimin dhe goditjen e kësaj paligjshmërie.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet se në Lezhë, në një godinë trekatëshe në bulevardin “Gjergj Fishta”, funksiononte një kazino për ushtrimin e lojërave të fatit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fishat”.
Gjatë kontrollit në një banesë trekatëshe, të marrë me qira nga shtetasi E. U., 24 vjeç, dhe të përshtatur katet e dyta dhe të treta për ushtrimin e lojërave të fatit dhe përdorim droge, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 15 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, disa doza kokaine, 725 000 lekë të rinj, si dhe euro e dollarë.
Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. A., 47 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion të lokaleve për lojëra të paligjshme”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. U., 24 vjeç, për të njëjtat vepra penale, pasi nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas ka marrë me kontratë qiraje objektin që ishte përshtatur si kazino. Vijon puna për kapjen e tij.
Po gjatë operacionit u proceduan penalisht edhe 15 shtetas që u kapën duke luajtur lojëra fati në kazino.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për të nxjerrë përgjegjësitë e personave që kishin për detyrë parandalimin dhe luftimin e lojërave të paligjshme të fatit.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
DVP Elbasan
I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet kosovare, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 34-vjeçari.
Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, lokalizuan, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin:
A. S., 34 vjeç, banues në Cërrik.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Pejës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, kreu procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit.
Kurbin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fokusi”. Goditet një tjetër rast i mbajtjes pa leje, të armës së zjarrit.
Sekuestrohet 1 armë zjarri automatik me krehër dhe fishekë.
Arrestohet shtetasi që e mbante armën, pa leje, në Laç.
Si rezultat i punës së mirorganizuar informative dhe operacionale, të intensifikuar gjatë ditëve festive të fundvitit, me objektiva parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe garantimin e rendit dhe qetësisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin finalizuan operacionin “Fokusi”.
Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u ndërhy menjëherë në banesën e shtetasit S. K., 29 vjeç, në lagjen nr. 4, Laç, ku nga kontrolli u gjet 1 armë zjarri automatik me krehër dhe fishekë, e cila posedohej pa leje, si dhe një palë doreza.
Në vijim të veprimeve procedurale mbi rastin, 29-vjeçari u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa sendet e kundërligjshme u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Tepelenë/Informacion paraprak
Rreth orës 03:18, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Bypass”, automjeti me drejtues shtetasin M. D., 25 vjeç, banues në Tepelenë është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi K. M., 24 vjeç, banues në Tepelenë.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi A. R., 27 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja A. D., 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
