Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Kapet dhe ndalohet një 25-vjeçar, me qëllim ekstradimi në Itali, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizata kriminale për trafik narkotikësh”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Shkelje e ligjit për armët”. Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Interpol Tirana, nga shërbimet e DVP Durrës është bërë lokalizimin i vendndodhjes, kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit shqiptar M. Gj., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Ravenës, Itali, më datë 31.08.2020, ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Pjesëmarrja në organizata kriminale për trafik narkotikësh”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Shkelje e ligjit për armët”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Qarku Berat – Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohet autori i tentativës për kultivim. Procedohen në gjendje të lirë dy kryepleq fshatrash dhe dy shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi. Shërbimet e Policisë Skrapar, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar bimë narkotike cannabis sativa të kultivuara në territorin e fshatit Tërpan. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. S., 44 vjeç, banues në fshatin Teman, Poliçan, pasi në afërsi të stanit të tij në fshatin Tërpan, u gjetën të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve hetimore filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit S. S., 40 vjeç, banues në fshatin Teman dhe B. L., 52 vjeç, banues në fshatin Tozhan, të dy me detyrë kryeplak, pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Moskallëzim krimi”. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit M. S., 41 vjeç dhe A. S., 29 vjeç., të dy banues në fshatin Teman, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme. Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Përndjekja”. Nga specialistët e seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat u kap dhe u ndalua shtetasi D. A., 38 vjeç, banues në lagjen Uznovë, Berat, pasi me vendimin e datës 11.06.2020, Gjykata e Shkallës së parë Berat e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Përndjekja”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme. Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Th., 36 vjeç., banues në fshatin Starovë, Berat, pasi në fshatin Velabisht, Berat, ka goditur për shkak të detyrës, me sende të forta, punonjësin e OSHEE-së, shtetasin Sh. M., 59 vjeç, banues në lagjen Barikadë, Berat. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Vlorë – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin G. I., 60 vjeç, banues në fshatin Armen, Selenicë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet policore kanë evidentuar disa bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.
Shkodër – Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit për humbjen e kontakteve të tre të rinjve me familjarët e tyre në Malësinë e Madhe, organizuan grupe kontrolli në të gjithë zonën duke përdorur edhe dronë. Njëkohësisht u ngrit një grup i posaçëm hetimor me specialistët më të mirë të Hetimit të Krimit në DVP Shkodër dhe në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijoi puna për zbardhjen e ngjarjes, pasi dyshohej se të rinjtë mund të ishin vrarë. Pas kërkimeve intensive në malet e fshatit Vrith, Malësi e Madhe, në vendin e quajtur “Rrenza e Grecajve”, u bë e mundur gjetja e trupave të pajetë të dy të rinjve, Vilson Çutaj, 37 vjeç dhe Klement Pepaj, 21 vjeç. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas ishin vrarë me armë zjarri. Gjithashtu, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe kontrollit përreth vendit të ngjarjes u gjetën të kultivuara 29 bimë kanabis. Në lidhje me këtë ngjarje u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, shtetasi Rrok Pepaj, lindur dhe banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe, pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij Danjel Pepaj, 25 vjeç, në fshatin Vrith, Malësi e Madhe janë personat që kanë kultivuar 29 bimët narkotike të gjetura në vendin e ngjarjes. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes, si rezultat i provave e informacioneve të grumbulluara dhe veprimeve të shpejta profesionale është bërë shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të vrasjes së dy të rinjve, konkretisht e shtetasit Danjel Pepaj, 25 vjeç, banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Vijon puna intensive, në bashkëpunim edhe me homologët e vendeve fqinjë, për të bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar Danjel Pepaj.
Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. H., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin që menaxhonte, shërbimet e Policisë kanë gjetur një laptop në të cilin kishte të hapur një faqe website për luajtjen e lojërave të paligjshme të fatit, e përdorur në mënyrë të vazhdueshme. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. M., 33 vjeç dhe N. D., 23 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në rrugën “Ali Baushi” i kanë vjedhur biçikletën shtetasit N. L. Gjithashtu, këta shtetas, më datë 27.09.2020, në rrugën “5 Maji” i kanë vjedhur biçikletën shtetasit A. L. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë ndalimi i shtetasit H. B., 45 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. T., 20 vjeç, pasi ka vjedhur disa veshje në një qendër tregtare. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshjet e vjedhura dhe një palë pinca që i përdorte për të hequr barkodet e veshjeve. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve I. V., 57 vjeç dhe R. Sh., 21 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse; R. K., 39 vjeç, pasi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.76 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, operacioni policor i koduar “Street”. Vihet në pranga poseduesi dhe shpërndarësi i lëndës narkotike. Sekuestrohen një sasi dozash me lëndë narkotike cannabis sativa, një shumë e konsiderueshme parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, 1 automjet dhe 1 aparat celular. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një 32-vjeçar merrej me shitjen e lëndëve narkotike dhe lëvizte me mjet nga zona e Parkut në drejtim të rrugës “Muhamet Gjollesha”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Street”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, poseduesi i lëndës narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po qarkullonte ky shtetas, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 4 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa, një shumë të konsiderueshme parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe një aparat celular, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasit A. B., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Kakavijë – Kontrolle të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve, Policia Kufitare ka goditur një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 30 800 euro. Procedohet penalisht 64-vjeçari, poseduesi i shumës monetare. Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe bazuar në analizën e riskut, mëngjesin e sotëm, në dalje të RSH-së, kanë ndaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip “SUZUKI” me drejtues shtetasin C. Z., 64 vjeç, lindur në Himarë dhe rezident në Greqi. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, i gjetën të fshehura në një çantë dore 30 800 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, u procedua penalisht shtetasi C. Z., për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 28 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Durrës dhe 1 në Fier; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Fier; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 2 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 në Elbasan dhe 1 në Dibër, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Korcë, 1 në Lezhë, 1 në Dibnër dhe 2 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 raste i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i fshehjes së të ardhurave, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Goditjet për shkak të detyrës”, në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Fier, 1 në Gjirokastër dhe 3 në Shkodër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.