Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me sektorin e shërbimeve operacionale në DVP Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. R., 35 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit personal“Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Devoll – Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, vihet në pranga 41-vjeçari. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me shërbimet e “Frontex”, gjatë patrullimit të tyre në afërsi të fshatit Kurilë, Devoll, kanë ndaluar me qëllim verifikimi automjetin tip “Benz” dhe gjatë kontrollit u konstatua si pasagjer në mjet shtetasi K. H, 41 vjeç, banues në Devoll. Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll, rezultoi se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Shtetasi K. H., u arrestua në flagrancë dhe materialet shtesë në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.
Tiranë – I shpallur në kërkim për dy vjedhje nën kërcënimin e armës, tenton të kryejë sërish vjedhje, por vihet në pranga nga Policia, 22-vjeçari. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve me dhunë apo me armë, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, evidentimin dhe kapjen e autorëve, si rezultat i një pune intensive dhe të mirorganizuar, nga shërbimet e Komisariatit Nr. 4 u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit K. Ç., 22 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me armë”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 4, si autor i dyshuar për vjedhjen e një filiali të një institucioni për dhenie kredie, për vjedhjen e një farmacie, si dhe për tentativë vjedhje të një pike UKT-je, konkretisht: I vjedhjes me pistoletë çakmak të një sasie vlere monetare në filialin e një institucioni për dhenie kredie, ngjarje e ndodhur më datë 23.01.2021, rreth orës 13:40, në rrugën “Bardhyl”; I vjedhjes me pistoletë çakmak të një sasie vlere monetare në një farmaci, ngjarje e ndodhur me datë 21.01.2021, në bulevardin Zhan D’ark; I tentativës për vjedhje të zyrave të UKT-së, ngjarje e ndodhur më datë 08.02.2021, në rrugën “Sitko Çiço”. Gjatë kontrollit të banesës iu gjetën dhe iu sekuestruan një pistoletë çakmak, e cila është përdorur për kryerjen e vjedhjeve(fiksuar nga kamerat e sigurisë), dokumente të ndryshme dhe një kartë identiteti e shtetit kosovar, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Vjedhja” e mbetur në tentativë dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Tiranë – Arrestohen në flagrancë 9 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim kombëtar. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit J(E). R., 26 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur biçikletën e shtetasit Q. D. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua biçikleta. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. M., 21 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ngacmim seksual”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. B., 42 vjeç dhe M. A., 54 vjeç, pasi ditën e djeshme kanë aksidentuar këmbësoret shtetasen A. A., 25 vjeçe dhe shtetasin S. R., 58 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën në spital shtetasja A. A., 25 vjeçe, ndërsa shtetasi S. R., 58 vjeç, ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; G. Sh., 35 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.76 mg/l, është përfshirë në një aksident vetëm me dëme materiale. Specialistët për Hetimin e Korrupsionit bënë ekzekutimin e urdhrave të Prokurorit për ndalimin e shtetaseve: M. B., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mashtrimi”; S. Ç., 28 vjeçe, banuese në Elbasan, me detyrë infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mashtrimi”; Sh. K., 61 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mashtrimi”; R. H., 57 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë sanitare në spitalin ”Shefqet Ndroqi”, për veprën penale “Mashtrimi”. Këto shtetase, në bashkëpunim me shtetasen T. A. (e cila hetohet me masë sigurie “Arrest në burg”), kanë siguruar përfitime të padrejta materiale, në mospërmbushje me detyrën e tyre funksionale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për monitorimin e zbatimit të masave anticovid. Policia e Durrësit ka goditur brenda muajit shkurt, rastin e tretë të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Sekuestrohen 4 doza me lëndë narkotike kokainë dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari një lokali që vijonte të ushtronte aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, organizuan punën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin: R. V., 30 vjeç, banues në Maminas, Durrës. Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar në Maminas, shtetasin R. V., i cili po drejtonte mjetin tip “Peugeot” dhe nga kontrolli i ushtruar në mjet iu gjetën 4 doza me lëndë narkotike kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, mjeti tip “Peugeot”, 3 aparate celularë dhe një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pronarin e një lokali: Shtetasin S. C., pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke ushtruar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët e lokaleve që të respektojnë me korrektësi masat anticovid, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer burim rreziku për qytetarët.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar,19 janë arrestuar dhe 34 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 2 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste: 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Shkodër, autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Tiranë, me 4 shtetase të ndaluara.
Është evidentuar 1 rast i “Kontrabanda me mallra të tjera”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 në Gjirokastër, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në Lezhë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.