Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Kimistja 2”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave sintetike. Sekuestrohen doza me heroinë, ekstazi, metadon dhe lëndë narkotike në formë të lëngët. Në pranga poseduesja, njëkohësisht dhe shpërndarësja e lëndës narkotike. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë zhvilloi dhe finalizoi me sukses operacionin e koduar “Kimistja 2”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetases D. Z., 24 vjeçe, banuese në Tiranë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dispononin informacion se kjo shtetase iu shiste drogë sintetike të llojeve të ndryshme në qytetin e Tiranës, kryesisht në lokalet me muzikë në zonën e Porcelanit, Pazarit të Ri dhe Bllokut, personave të ndryshëm, kundrejt çmimeve që varionin nga 1.000 lekë të rinj deri në 10.000 lekë të rinj për një dozë (kokërr). Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, 24-vjeçares iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar heroinë, ekstazi, metadon dhe një aparat celular. Gjithashtu, kësaj shtetaseje i është sekuestruar edhe një lloj droge në formë të lëngët, të cilën e shpërndante me shiringë, që zakonisht përdoret nga moshat e reja duke e tretur në pije. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Mirditë – I vuri zjarrin një zone të pyllëzuar, kapet pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet e Policisë, autori i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, pas njoftimit të marrë se në fshatin Simon, Mirditë, kishte rënë zjarr, i cili kishte dalë nga kontrolli, duke avancuar dhe duke përfshirë sipërfaqe të madhe me pyje, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë identifikuar autorin e dyshuar të zjarrvënies, shtetasin M. N., 66 vjeç, banues në fshatin Simon, Mirditë, i cili është larguar nga vendngjarja, por është kapur dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë, pas disa orësh ndjekjeje. Ky shtetas ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur pemët frutore të bahçes dhe më pas ka përfshirë edhe pyjet në lagjet “Laskaj”, “Hija e Laknave” dhe “Kodra e Muknezhës”. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 60 ha sipërfaqe pylli me dru lisi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për të gjithë banorët dhe për barinjtë që në asnjë rast të mos ndezin zjarr dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
DVP Berat – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim. Kapet 1 shtetas i shpallur në kërkim për mashtrim. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Dhuna në familje”. Në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të shpallur në kërkim, nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat u bë kapja e shtetasit A. Z., 32 vjeç, banues në Drenovic, Berat. Ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka dërguar urdhrin e ekzekutimit me vendimin “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”. Shtetasi A. Z. u dërgua në DVP Fier, për veprime të mëtejshme procedurale. Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 36 vjeç, banues në Uznovë, Berat, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Arrestohen në flagrancë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. M., 33 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike heroinë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Z. Z., 27 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 23 vjeç, për veprat penale “Shtyrja e të miturve në krim” dhe ”Vjedhje” e kryer në bashkëpunim, pasi ka shtyrë një shtetas të mitur për të vjedhur një biznes në rrugën “Thoma Koxhaj”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, i shtetasit A. Ç., 53 vjeç, me detyrë roje në një njësi administrative, pasi ka vulosur me vulën e gjendjes civile një certifikatë personale të një shtetasi të mitur. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. B., 30 vjeç, D. M., 33 vjeç dhe A. G., 28 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Gjatë ditës së djeshme, në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u procedua penalisht shtetasi D. K., 44 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Zvërnecit, Vlorë, u konstatua se ky shtetas kishte zënë hapësirën publike duke vendosur 90 shezlongë dhe 45 çadra pa lejen e organeve kompetente. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit: G. F., 34 vjeç, pasi është konstatuar nga shërbimet, duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi; A. I., 59 vjeç, pasi është konstatuar nga shërbimet, duke drejtuar automjetin në gjëndje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 105 penalisht shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 33 janë arrestuar në flagrancë dhe 70 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 5 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Elbasan; 3 raste të raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja mbetur në tentativë”, në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 9 raste, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë.
Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 për ‘Falsifikimi i dokumenteve” dhe 1 tjetër, për “Prishja e qetësisë publike”.
Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një funksion publik” dhe 1 tjetër, për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Prishja e qetësisë publike”.
Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në Berat janë proceduar penalisht 10 shtetas, për veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Organizmi i dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Në Shkodër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 1 në Fier dhe 1 në Dibër.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.