Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 9 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Skrapar – Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Skrapari”. Sekuestrohen 2 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 armë gjahu, 3 automjete, 4 aparate celular, municion luftarak dhe dy thika.  Arrestohen në flagrancë 5 shtetas. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas një hetimi disamujor, si rezultat i provave të grumbulluara, organizuan punën dhe finalizuan operacionin e koduar “Skrapari”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 5 shtetas: A. G., 46 vjeç, A. Ç., 22 vjeç, B. G., 28 vjeç, E. H., 31 vjeç dhe Z. Q., 18 vjeç ( i cili drejtonte mjetin pa leje drejtimi).  Arrestimi i tyre i bë pasi u kapën në flagrancë në qytetin e Çorovodës, duke transportuar lëndë narkotike cannabis sativa, armë gjahu, armë të ftohta dhe municione luftarake, me tri automjete.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 armë gjahu, fishekë, 2 thika, 3 automjete dhe 4 aparate celular. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat  penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, kryer në bashkëpunim.

Rinas – Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Policia Kufitare dhe autoritetet doganore sekuestrojnë 20.000 paund.    Procedohet penalisht 29-vjeçarja që nuk i deklaroi. Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, në bashkëpunim me specialistët e Drejtorisë së Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë ndaluar për kontroll në vijën e dytë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shtetasen V. D., 29 vjeçe. Gjatë kontrollit fizik dhe në valixhen e saj janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20.000 paund, të cilat kjo shtetase nuk i kishte deklaruar. Në përfundim të veprimeve hetimore, shtetasja V. D. u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.

Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni i koduar “Aplikacioni”. Evidentohen dhe goditen 2 raste të zhvillimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, si dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Aplikacioni,  si rezultat i të cilit, gjatë kontrolleve të ushtruara në lokale dhe ambiente të ndryshme, janë evidentuar dy raste të zhvillimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u arrestuan në flagrancë shtetasit: T. D., 25 vjeç dhe E. M., 19 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. D., pasi në Rrugën e Dibrës, në lokalin me pronar shtetasin T. D. dhe punonjës shtetasin E. M., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 aparat celular, 3 aparate dixhitale dhe një sasi valute, që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Gjithashtu u bë arrestimi i shtetasit S. D., 25 vjeç, pasi në rrugën “Njazi Meka”, në lokalin në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan 1 aparat celular dhe tre aparatura të cilat i përdorte për të ushtruar veprimtarinë e kundërligjshme të organizimit të lotarive të palejuara. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës dhe në këtë kuadër Policia e Tiranës fton cilindo të denoncojë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Pogradec – Më datë 08.12.2020 është paraqitur në Komisariatin e Policisë Pogradec, shtetasja V. O., 65 vjeçe, banuese në Pogradec, e cila ka deklaruar se që prej datës 07.12.2020, ora 21:00, i janë larguar nga banesa dy djemtë e saj, shtetasit A. O., 33 vjeç dhe M. O., 31 vjeç, mbi vendndodhjen e të cilëve nuk ka dijeni. Nga ana e Policisë po punohet për gjetjen e tyre. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për hetime të mëtejshme.

Kukës – Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të monedhave. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Buyers”. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës dhe Komisariatin e Policisë Has, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën falsifikimit të monedhave, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Buyers”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: Sh. J. 23 vjeç, U. B. 18 vjeç dhe B. D. 18 vjeç, të tre banues në fshatin Vilë, Kukës. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit Sh. J., U. B. dhe B. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer aktivitet të shtrirë në periudha kohore dhe vende të ndryshme, në qytetin e Krumës dhe Kukësit, pranë pikave të karburanteve, marketeve dhe subjekteve të ndryshme tregtare, duke përfituar me anë shkëmbimit me kartëmonedha të falsifikuara, mallra dhe shërbime të tjera. Gjatë kontrollit të dokumentacionit të mjetit rezultoi se shtetasi Sh. J. drejtonte mjetin i papajisur me leje drejtimi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet tip “Benz” dhe “Toyota”, 8 kartëmonedha me prerje 100 euro të dyshuara të falsifikuara, si dhe dy aparate celularë. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që kanë rënë pre e mashtrimit dhe janë të dëmtuar nga kjo veprimtari kriminale të paraqiten pranë Komisariatit dhe të bëjnë kallëzim. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës do të vijojë punën për goditjen e paligjshmërisë dhe vënien e shkelësve të ligjit para përgjegjësisë ligjore.

Berat – Nga specialistët e Sesionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. M., 57 vjeç, banues në Kuçovë. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur 10 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 58 shtetas, konkretisht: 26 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 30 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë; 2 rast të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Falsifikimi i monedhave”, në Kukës, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 2 në Vlorë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Gjirokastër, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Marrëdhënie seksuale me të mitur, në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar  4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.