Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVP Vlorë – Si rezultat i kontrollit të territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë dhe të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Vranisht. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. H., pasi dyshohet se ka kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa në një sipërfaqe toke në fshatin Vranisht. Paraditen e djeshme, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur gjetja e shtetasit të mitur R. T., 12 vjeç, i cili ishte larguar disa ditë më parë, nga banesa e tij në Tiranë. I mituri aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, shtetasja B. M., 50 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi është konstatuar duke shfrytëzuar 12-vjeçarin për të lypur. Gjatë ditës së djeshme, në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u procedua penalisht shtetasi S. T., 50 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Zvërnecit, Vlorë, u konstatua se ky shtetas kishte zënë hapësirën publike duke vendosur 140 shezlongë dhe 80 çadra pa lejen e organeve kompetente. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Rreth orës 03:10, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht një lokal, në pronësi të shtetasit K. Sh., ku ka vetëm dëme të vogla materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Durrës – Bien në prangat e Policisë 8 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Forcat Operacionale në DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin E. Ç., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 2 vite burg, për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjera”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikim i dokumenteve”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, arrestuan në flagrancë shtetasin algjerian H. B., 29 vjeç, pasi në lagjen nr. 13, Durrës, dyshohet se ka vjedhur sende të ndryshme në automjetet e parkuara të shtetasve A. Xh., Z. Gj. dhe Sh. I. Nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Durrës, pasi në PKK, Port, Durrës, u konstatua nga shërbimet e Policisë Kufitare duke tentuar të kalojë në mënyrë të paligjshme shtetasin V. Sh., 33 vjeç, banues në Kukës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. Gj., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi mbrëmjen e djeshme, në banesë, gjatë një konflikti për motive të dobëta me bashkëshorten e tij, shtetasen A. Gj., 24 vjeçe, banuese në Durrës, dyshohet se kjo e fundit është vetëhedhur nga ballkoni i banesës dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasi Xh. D., 54 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme, në gomisterinë në pronësi të tij, si pasojë e një shpërthimi të një gome, humbi jetën shtetasi R. T., 23 vjeç (punonjës). Për këtë rast është proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi T. L., 37 vjeç, banues në Durrës (shoferi i ambulancës), pasi dyshohet se është vonuar për të shkuar në vendngjarje, duke sjellë vonesë për dhënien e ndihmës së parë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin K. M., 26 vjeç, banues në Xhafzotaj, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: D. M., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur; E. T., 24 vjeç, banues në Sukth, Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe ka kundërshtuar urdhrin e Policisë për ndalim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ekzekutimin e urdhrit të prokurorit për ndalimin e shtetasit Arsen Maka, 38 vjeç (i kapur nga Seksioni i kërkimit), pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 9 muaj burg, për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. D., 43 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 23 vjeç, pasi në rrugën ”Qazim Daja”, në banesë, punonjësit e OSHEE-së kanë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. K., 43 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit dhe bashkëshortes së tij (e cila ka qenë e pajisur me urdhër-mbrojtje). Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve S. D., 39 vjeç dhe Sh. P., 37 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 4 Kavajë, kanë goditur për motive të dobëta, me mjet prerës (thikë), shtetasin K. L., 35 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. Xh., 49 vjeç, V. D., 42 vjeç dhe G. K., 52 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; O. S., 19 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Më datë 06.07.2021, shtetasja B. M., 40 vjeçe, ka kallëzuar se i kanë vjedhur portofolin me një shumë parash dhe kartën e identitetit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Më datë 06.07.2021, në rrugën “Taulantia”, në derën e jashtme të banesës së shtetasit O. T., 47 vjeç, dyshohet se kanë hedhur lëndë djegëse. Si pasojë ka marrë flakë dera, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Fier – Goditet një rast i tentativës për kultivimin e bimëve narkotike, vihet në pranga autori i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, si rezultat i kontrollit të territorit kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. Sh., 46 vjeç, banues në Rreth Libofshë, pasi në oborrin e banesës së tij u gjetën të kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Lushnjë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin G. S., 42 vjeç, banues në Lushnjë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, gjatë pasdites së djeshme, në vendin e quajtur “Kodrat e Vainit”, Lushnjë, ka ndezur zjarr për djegien e barërave të thatë dhe si pasojë e përhapjes së zjarrit janë djegur edhe 500 rrënjë ullinj të mbjellë në rreth 10 ha sipërfaqe toke në pronësi të shtetasve S. K., B. R. dhe E. T. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Morinë, Kukës – Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja në rrethana rënduese” dhe “Grup i organizuar kriminal”. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar: A. B., 34 vjeç, banues në Podujevë, Kosovë. Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar, pasi NCB Interpol Ëiesbaden Gjermani i ka caktuar urdhër-arrestin për veprat penale “Vjedhja në rrethana rënduese” dhe “Grup i organizuar kriminal”, parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.
Tepelenë – Shpërdoroi detyrën duke vjedhur energjinë elektrike dhe ushtronte aktivitet tregtar të paregjistruar në organet tatimore, vihet në pranga elektricisti. Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. Sh., 61 vjeç, banues në Tepelenë, me detyrë punonjës i OSHEE Tepelenë. Shtetasi A. Sh. u arrestua në flagrancë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, si dhe u gjet një ambient në të cilin ushtronte aktivitet tregtar (rrobaqepësi) të paregjistruar në organet tatimore. Materialet në ngarkim të shtetasit A. Sh. i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Ushtrim aktiviteti i paregjistruar në organet tatimore”.
Fier – Plagosi me armë gjahu një shtetas, falë reagimit në kohë të Policisë, prangoset autori. Sot, rreth orës 09:00, në fshatin Vreshtas, Fier, shtetasi H. N., 66 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë gjahu shtetasin K. N., 37 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë, të cilët bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar dhe shoqërimin e tij në Komisariatin e Policisë Fier. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e gjahut. Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. N., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Materialet do i kalojnë Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 77 penalisht shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 23 janë arrestuar në flagrancë dhe 49 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Korçë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Shkodër, ku autori është shpallur në kërkim; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 1 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Shkodër, 1 në Lezhë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe 1 për “Braktisja e fëmijëve të mitur”.
Në Korçë janë proceduar penalisht 2 shtetas për “Organizimi lotarive të palejuara” dhe 1 për “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularëve”.
Janë evidentuar 2 raste të “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Berat janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Organizmi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme. Gjithashtu është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.