Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 6 prill 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i 3 shtetasve të shpallur në kërkim: Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë ndalimin e shtetasve G. B., 49 vjeç dhe S. B., 22 vjeç, të shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, sepse me datë 04.04.2021, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me thikë shtetasin E. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Nga specialistët e Krimit Ekonomik-Financiar u ndalua shtetasi Elvis Shira, 31 vjeç, banues në Tiranë, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 9 muaj burg, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve L. H., 30 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shigjetat” iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kokainë; E. K., 33 vjeç,pasi në bulevardin “Bajram Curri” gjatë ndalimit të mjetit për kontroll, ky shtetas ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, duke hedhur në tokë një sasi me lëndë të dyshuar kokainë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. K., 33 vjeç,  pasi ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një 32 vjeçare, si dhe në mënyrë të vazhdueshme e ka përndjekur duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. H., 49 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur; A. B., 50 vjeç, pasi ka aksidentuar shtetasen e mitur me iniciale O. V., 15 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë, së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. R., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 4, Durrës, duke dëmtuar dhe tentuar të vjedhë një makinetë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Lushnjë – Informacion paraprak / Sot, rreth orës 03:25, në lagjen “Skënder Libohova” Lushnjë, në derën e jashtme të një ambienti që ka shërbyer më parë si dyqan, në pronësi të shtetasit A. A., ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lëndë plasëse. Për pasojë është dëmtuar vetëm dera (qepeni) i këtij ambienti. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë, po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Lushnjë – Janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lushnjë, në ngarkim të shtetasit N. B., 42 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 50 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 6 janë arrestuar në flagrancë dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat dhe 1 në Shkodër; 1 rast i ‘Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Berat, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste, 4 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Mbajta pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Fyerja”.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 8 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar dhe arrestuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, ndërsa 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.