Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas turq, pasi tentuan të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara. Gjithashtu ndalohet 1 shtetas në kërkim, për veprën penale “Dhuna në familje”. Shërbimet e Policisë Kufitare në portin e Durrësit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, konkretisht atë të kalimit të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit: I. Y., 44 vjeç dhe A. S., 67 vjeç, të dy shtetas turq, pasi më datë 05.03.2020, në P. K. K. Durrës, kanë tentuar të kalojnë kufirin në drejtim të Italisë, me dokumente bullgare dhe greke të dyshuara si të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale ndaluan shtetasin: L. M., 44 vjeç, banues në Shkallnur, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i vulave stampave ose formularëve” dhe “Dhuna në familje”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 13 janë ndaluar dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “plagosja me dashje”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar dhe goditur 2 raste të ngacmimit seksual dhe marrëdhënieve seksuale me dhune, në Gjirokastër dhe Përmet, me 8 autorë të arrestuar dhe ndaluar.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë, si edhe 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 5 raste, 1 në Elbasan, 2 në Gjirokastër dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara, në Lezhë, ku autori është proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Dibër.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.