Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Shkodër – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë 31-vjeçari. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë zastava. Shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponjat, në DVP Shkodër , në vijim të punës për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, kanë intensifikuar punën dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara kanë arrestuar në flagrancë shtetasin M. M., 31 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër (i dënuar më parë). Kapja e tij u bë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Dobraç, ku po qarkullonte me automjet, dhe nga kontrolli i imtësishëm iu gjet e fshehur një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit M. M., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Rinas – Policia Kufitare e Rinasit ka ndëshkuar 6 shtetas, me masën administrative 700.000 lekë secili, për shkelje të vetëkarantinimit të detyrueshëm 14-ditor që duhet të kryejnë shtetasit që vijnë nga Britania e Madhe. Në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, datë 21.12.2020, për ndalimin e lëvizjes përmes rrugëve ajrore me Britaninë e Madhe, ku në pikën 2 të këtij urdhri thuhet se personat që kanë udhëtuar nga Britania e Madhe dhe hyjnë në Shqipëri, janë të detyruar të vetëkarantinohen për 14 ditë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë mbajtur një regjistër të veçantë për këta persona dhe kanë njoftuar komisariatet përkatëse të qyteteve ku këta shtetas kanë vendbanimet. Prej datës 01.01.2021 deri më datën 05.01.2021, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë intervisitimit dhe verifikimit të personave që dalin nga Shqipëria, kanë konstatuar 6 shtetas që kanë shkelur vetëkarantinimin e detyrueshëm dhe kanë tentuar të largohen nëpërmjet Rinasit për në destinacionin e tyre. Shërbimet e Policisë Kufitare nuk i kanë lejuar këta shtetas të udhëtojnë dhe secilin prej tyre e kanë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë. Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata shtetas që kanë hyrë në Shqipëri gjatë javës së fundit të dhjetorit 2020, nga Britania e Madhe, nëpërmjet rrugës tokësore, detare apo ajrore, të mos tentojnë të shkelin vetëkarantinimin e detyrueshëm, pasi do ndëshkohen me masë administrative sipas Aktit Normativ dhe nuk do lejohen të lëvizin në drejtim të destinacionit të tyre pa kryer vetëkarantinimin e detyrueshëm. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat anticovid, duke vendosur maskën dhe ruajtur distancimin social, të respektojnë oraret kufizuese për ndalimin e qarkullimit te këmbësorëve dhe të automjeteve, ndërsa pronarët e bizneseve të respektojnë orarin për mbylljen e detyrueshme të bizneseve.
Tiranë – Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 22 vjeç, pasi duke qarkulluar me mjet, ka aksidentuar këmbësoren me iniciale M. M., 53 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Lezhë – Ndërhyrja e Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale. Kanosën me armë zjarri 4 shtetas, vihet në pranga 18-vjeçari, shpallen në kërkim 3 shtetas të tjerë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 18 vjeç, banues në Lezhë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit L. T., 22 vjeç (i dënuar më parë), E. S., 22 vjeç dhe K. S., 30 vjeç, banues në Lezhë. Këta shtetas, duke udhëtuar në qytet Lezhë, me mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin L. D., kanë qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta, në drejtim të shtetasve E. Gj., H. N., D. Gj. dhe V. C., banues në Lezhë. Shërbimet e Policisë, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, kanë bërë të mundur bllokimin e mjetit tip “Benz”, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S. Policia po punon intensivisht për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 37 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 4 janë arrestuar dhe 31 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 2 në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendej të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Armëmbajtja pa leje”, në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës dhe 1 në Fier.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.