Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 dhjetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Berat – Finalizohet me sukses operacioni “STOP”. Operacioni pas një hetimi 6-mujor, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Berat, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat. Vihen në pranga 3 shtetas për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Në vijim të zbatimit të planit të masave për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e krimit ekonomik dhe në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, është finalizuar me sukses operacioni “Stop”. Si rezultat, u bë ekzekutimi i Vendimit Penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, e cila më datë 04.12.2019 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit: L. S., 50 vjeç, banues në Dyshnik, Berat, E. V., 29 vjeç, banues në Berat dhe D.H., 45 vjeç, banues në Berat, të tre me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Berat. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 3 inspektorët, në kundërshtim me ligjin, kanë favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm për të kryer ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Berat.

Vlorë – Vijon operacioni policor i koduar “Gjurmimi”. Operacioni në Vlorë dhe në Itali. Shkon në 7 numri i personave të arrestuar. Gjatë vijimit të operacionit janë kapur dhe arrestuar 3 presona. Dy prej tyre janë kapur në Itali dhe një është kapur në Vlorë. Në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale kundër personit, të ndodhura më parë, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë ka bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në maj të vitit 2019, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të tre shtetasve në një lokal dhe si pasojë mbeti i plagosur aksidentalisht 63-vjeçari D. C. Në këtë kuadër gjatë orëve të fundit ka vijuar operacioni policor i koduar “Gjurmimi”, në Vlorë dhe në Itali. Në Vlorë, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Xh. M., 36 vjeç, lindur e banues në Vlorë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” . Operacioni ka vijuar në Itali, ku si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma, bashkëpunimit të shkëlqyer mes Zyrave Ndërlidhëse të Policisë shqiptare në Bari e Romë në Itali dhe të Policisë italiane në Tiranë, me angazhimin e Skuadra Mobile në Romë është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në afërsi të Romës, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë dhe konkretisht: I. M., 31 vjeç dhe G. D. (Z.), 42 vjeç, të dy banues në Vlorë. Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit F. H. dhe vijon puna për kapjen e tij. Ndaj shtetasve I. M., G. D. dhe F. H., Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 14.11.2019 janë arrestuar edhe 4 shtetas, ndërsa 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë. Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të shtetasve I. M dhe G. D, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa Leje” dhe në ngarkim të shtetasit Xh. M, për veprat penale  “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .

 

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 8 janë ndalur dhe 55 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 2 raste në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Durrës, 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Fier dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 17 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Elbasan.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.