Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 4 shkurt 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Pogradec – Finalizohet operacioni policor i koduar “Korani”. Operacioni pas një pune hetimore nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, për goditjen e aktivitetit kriminal të peshkimit të paligjshëm. Shpërdoruan detyrën me qëllim përfitimin personal, duke detyruar peshkatarët të kryenin peshkim të paligjshëm të peshkut koran, ndalohen kryetari dhe dy punonjës të Shoqatës së Peshkimit në Pogradec. Sekuestrohet një sasi peshku i llojit koran dhe një sasi lekësh. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e veprave penale kundër lirisë së personit, kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga vetë punonjësit shtetërorë dhe veprave penale kundër mjedisit, pas një pune hetimore finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Korani”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve A. D., 49 vjeç, banues në Hudënisht, Pogradec (me detyrë kryetar i Shoqatës së Peshkimit Pogradec); M. D., 47 vjeç, banues në Hudënisht (me detyrë punonjës në këtë shoqatë); E. P., 43 vjeç, banues në Memëlisht, Pogradec (me detyrë punonjës në këtë shoqatë). Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka urdhëruar ndalimin e këtyre tre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga hetimet e kryera rezultoi se në bashkëpunim mes tyre ata kanë shpërdoruar detyrën, duke detyruar peshkatarët në Pogradec që të kryenin peshkim të paligjshëm të peshkut koran dhe më pas këtë sasi e tregtonin në lokalet e qytetit të Pogradecit, për të siguruar përfitime personale. Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre u gjetën një sasi peshku e llojit koran dhe një sasi lekësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Tregtimi i specieve të mbrojtura të faunës dhe florës së egër” kryer në bashkëpunim.

Berat – Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 21 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Kuçovë. Arrestimi i tij u bë pasi, për motive të dobëta, e ka goditur me mjet prerës (thikë) në trup duke i shkaktuar plagë të rënda, shtetasin F. K., 34 vjeç, banues në Kuçovë, i cili po merr ndihmën mjekësore në spitalin rajonal Berat. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale ‘’Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë.

Vlorë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. M., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka dalë nga banesa duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor është arrestuar në flagrancë shtetasi T. J., 41 vjeç, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër – U referuan materialet në Prokurori në ngarkim të shtetasve A. G.41 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër , V.H.50 vjeç, lindur dhe banues në Delvinë  dhe N.B67 vjeç,  lindur dhe banues në Gjirokastër.  Nga shërbimet policore kufitare në bashkëpunim me ato FRONTEX, këta shtetas janë kapur duke udhetuar me automjetin e markes Benc Mercedes, ku brenda të cilit janë gjetur 11 armë gjahu(çifte), si dhe një sasi mishi i vendosur në dy qese plastike. Pas shoqërimit të personave u bë verifikimi i armëve te gjahut dhe rezultoi se armët e gjahut ishin me lejet përkatese në emër të personave të lartëpërmendur. Po për këtë rast u njoftua dhe Inspektoriati i Mjedisit për vazhdimin e procedurave të mëtejshme administrative. Armët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Forca e posaçme “Shqiponjat”, në zbatim të Planit të Masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe evidentimin e personave që lëvizin me sende të kundërligjshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë konstatuar dhe ndaluar shtetasin L. Rr. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi farash të dyshuar kanabisi. Në përfundim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. Rr., 23 vjeç, banues në Tropojë.    Nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit, shtetasja N. P., 61 vjeçe, banuese në Fier dhe shtetasi O. B., 29 vjeç, banues në Tiranë, sepse në bulevardin “Zogu i Parë”, në ambientet e një hoteli, shtetasja N. P. është kapur në flagrancë duke kryer marrëdhënie seksuale me shtetasin O. B., kundrejt shpërblimit. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan në gjendje të lirë shtetasin F. H., 46 vjeç, pasi është konfliktuar me shtetasin A. M., për motive të dobëta.

Më datë 03.02.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin P.  M., 55 vjeç, banues në Tiranë, sepse nëpërmjet mashtrimit i ka përvetësuar një shumë parash shtetasit B. K.

Më datë 03.02.2021, shtetasi E. B., 30 vjeç, ka kallëzuar se nëpërmjet një mesazhi në telefonin e tij është kanosur nga një person i panjohur. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Pogradec – Vihen në pranga 2 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ndalimin e shtetasit në kërkim E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec. Ky shtetas, në datën 28.01.2021, dyshohet se në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, shtetasit M. M., 64 vjeç. Në lidhje me këtë rast u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për shtetaset M. M., 31 vjeçe dhe E. M., 28 vjeçe, banuese në fshatin Buçimas, Pogradec, pasi shtetasi M. M. (vjehrri i tyre) ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj tyre. Gjithashtu, nga të njëjtat struktura u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. T., 59 vjeç, banues në Pogradec (i dënuar më parë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”). Ky shtetas, mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 1, Pogradec, për motive të dobëta, ka goditur me grushte në kokë shtetasin M. M., 47 vjeç, banues në Pogradec, dhe gjatë shoqërimit për në ambientet e Komisariatit ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë. Materialet  i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Elbasan – Vijon puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.  Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar një nga autorët e vrasjes së trefishtë të ndodhur në vitin 2018, në Elbasan. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore bënë të mundur identifikimin e një prej autorëve të ngjarjes së ndodhur në datën 29.12.2018, në fshatin Bradashesh, Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit E. A., A. D. dhe T. D. Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasi M. Q., 35 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Bulqizë – Goditën me sende të forta një shtetas, Policia identifikon dhe shpall në kërkim dy autorët (vëllezër). Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë u shpallën në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e shtetasve I. XH., 49 vjeç, banues në Durrës;  M. Xh., 38 vjeç, banues në Bulqizë (vëllezër). Këta shtetas, më datë 03.02.2021, pas një konfliktit për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta në ambientet e servisit të tij, shtetasin B. K., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Nga shërbimet e Policisë vijon kontrolli i zonës për kapjen e tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje,” kryer në bashkëpunim”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 10 janë arrestuar dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 rast në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Berat dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste: 1 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen  në gjendje të lirë dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prostitucioni”, në Tiranë, me 2 autorë të ndaluar.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” , në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

 Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kallëzim i rremë”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kanosja për shkak të detyrës”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 “Braktisja e fëmijëve të mitur”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 në Tiranë dhe 2 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.