Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Poliçan – Vijon zbatimi i planit të masave për goditjen e paligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Konstatohet nga Policia, lëndë drusore që dyshohet të jetë prerë në mënyrë të paligjshme. Procedohen penalisht poseduesit e lëndës drusore. Në zbatim të planit të masave për goditjen e paligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke në vendin e quajtur “Shullër i Hadajve”, kanë konstatuar se shtetasit M. T., L. G dhe D. B. kishin grumbulluar lëndë drusore që dyshohet të jetë prerë në mënyrë të paligjshme. Shtetasit M. T., 29 vjeç, banues në fshatin Zhitom, L. G., 31 vjeç, banues në Remanicë dhe D. B., 27 vjeç, banues në Velabisht, në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Parandalimin e Krimit i kanë proceduar penalisht, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
Fier – Pas videos së publikuar në emisionin investigativ “Stop” në mbrëmjen e datës 3 qershor 2021, të dy rasteve korruptive të kryer nga dy mjek në Spitalin Rajonal Fier, strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me Task Forcën e Prokurorisë Fier, morën masa të menjëhershme policore e procedurale me qëllim, identifikimin dhe shoqërimin e tyre si edhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë korruptive të dy mjekëve. Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasve A. S., 54 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek psikiatër pranë Spitalit Rajonal Fier dhe E. Sh., 47 vjeç, banues në Kuçovë, me detyrë mjek ORL pranë Spitalit Rajonal Fier. Këta shtetas, në data të ndryshme gjatë ushtrimit të funksionit ju kanë marrë një sasi lekësh qytetarëve të ndryshëm që shkonin për vizita mjekësore. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për hetime të mëtejshme. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin B. G., 27 vjeç, banues në Fier, pasi në vendin e quajtur “Vija e ngjalës” gjatë kontrollit të mjetit tip “Benz”, me të cilin ky shtetas udhëtonte, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 15 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve” shtetasin L. P., 52 vjeç, banues në Roskovec, pasi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke drejtuar automjetin me një rimorkiator mbi të cilin kishte ngarkuar një skrep, ka kaluar në urën e rrugës automobilistike Fier-Darzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike, duke e shembur urën.
DVP Vlorë – Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas. Shërbimet e Policisë Sarandë dhe të Stacionit Livadhja, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit masiv të territorit, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Leshnicë, Finiq. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 53 vjeç dhe I. Xh., vjeç, banues të dy në Delvinë. Këta shtetas, dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike cannabis sativa në një hapësirë të pyllëzuar në vendin e quajtur “Koçat”, në fshatin Leshnicë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme. Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Sarandë u ndalua shtetasi K. T., banues në fshatin Xarrë, Konispol, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Po nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Sarandë u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. R., 34 vjeç, banues në Delvinë, për veprën penale ”Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi ditën e djeshme, punëtori i tij, shtetasi K. K, është rrezuar duke kryer punime në një ndërtesë, në Ksamil. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Kurbin, Lezhë – Shërbimet e Policisë, kontrolle të shtuara në territor, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit. Arrestohet në flagrancë autori i tentativës për kultivim. Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit, në bregun e lumit Mat, Kurbin. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin E. Ç., 30 vjeç, banues në Kurbin. Arrestimi i tij u bë pasi është kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojë bimë narkotike cannabis sativa në vendin e quajtur “Bregu i lumit Mat”, në fshatin Fushë Kuqe, Kurbin. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin e këtij shtetasi u gjet dhe u sekuestrua një dorezë metalike që plotëson kushtet e armës së ftohtë. Nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim dhe ” Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta “.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë ndalimin e shtetasit Damiano (Dorian) Remi, 37 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së parë Tiranë e ka dënuar me 3 vite burg për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: G. A., 24 vjeç dhe E. A., 32 vjeç, pasi janë kapur duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; B. E., 58 vjeç, pasi ka aksidentuar këmbësoren shtetasen D. B., 34 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. •Më datë 03.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasin S. P., 30 vjeç, pasi në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, në Fushë Mëzez, duke punuar në objektin në pronësi e këtij shtetasi është dëmtuar punëtori shtetasi S. L., 46 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.•Më datë 04.06.2021, shtetasi R. F., 26 vjeç, kallëzon se në orën 00:30, në rrugën “Gramoz Pashko”, e kanë goditur me grusht, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për saktësimin e gjeneraliteteve të autorit, kapjen dhe shoqërimin e tij. •Në Kamzë, në një magazinë, kanë vjedhur 50 litra vaj transformatori. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 11 janë arrestuar në flagrancë dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Fier; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 10 për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste në të gjithë vendin, 1 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 raste i veprës penale “Mashtrimi”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Po në Korçë është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Trafikimi i mjeteve motorike”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 rast për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të prerjes së paligjshme të pyjeve, 1 në Berat me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Elbasan ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Në Dibër janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për “Goditje për shkak të detyrës”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 6 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 22 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.