Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 4 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, gjurmimit dhe identifikimit të aseteve që janë përfituar nga veprimtari kriminale u finalizua operacioni policor i koduar “Kuadrati”. Vendoset sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 1.500.000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit. Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Kuadrati”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, datë 26.11.2020, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të shtetases R. H.,(Z)., 49 vjeçe, banuese në Fier. Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, ku vlera totale e pasurive të sekuestruara në Vlorë dhe Pogradec shkon rreth 1.500.000 euro, konkretisht: një bar restorant në Skelë, Vlorë; një apartament në Vlorë; një apartament në Pogradec dhe një automjet tip “Benz”. Shumat e konfiskuara dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Shaban Zenaj, i ekstraduar në Itali, është dënuar nga autoritetet italiane me 14 vjet burg. Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal, ndaj shtetasit Shaban Zenaj, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Vijojnë hetimet dhe verifikimet për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe personave të lidhur me të.

Lushnjë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë ndaluan shtetasin V. F., 35 vjeç, banues në Savër, Lushnjë, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase 26-vjeçare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Sekuestrohen lëndë narkotike kanabis dhe disa sende të vjedhura. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. O., 24 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin e shtetasit A. Xh., 23 vjeç, pasi më datë 02.12.2020, ka vjedhur disa sende në banesën e shtetasit F. P. Gjithashtu, ky shtetas më datë 25.10.2020, ka vjedhur 7 aparate celular në një dyqan. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar sendet e vjedhura në banesën e shtetasit F. P.  Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë kapjen dhe ndalimin të shtetasit të mitur me iniciale A. C., 17 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Xh. K., 38 vjeç, A. S., 58 vjeç, B. O., 38 vjeç dhe L. K., 36 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Tiranë/Informacione paraprake – Më datë 04.11.2020, rreth orës 06:20, në Institutin Bujqësor, është gjetur pa shenja jete, roja security i një kompanie private, shtetasi Xh. Gj., 66 vjeç. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune dhe paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.

Më datë 03.12.2020 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë dhe punohet për kapjen e shtetasve D. B., 41 vjeç dhe R. H., 24 vjeç, pasi për shkak të një mosshlyerje borxhi, kanë goditur me grushte shtetasin E. J., 42 vjeç. Punohet për kapjen e tyre dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

DVP Lezhë – Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Bllokohen nga Policia, 4 automjete që transportonin lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.  Procedohen penalisht drejtuesit e mjeteve që po transportonin lëndën drusore. Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore për Autostradën Milot-Morinë, kanë konstatuar dhe ndaluar në Rubik, Mirditë, Skuraj dhe Kurbin, 2 mjete tip furgon dhe 2 kamionçina që transportonin sasi të konsiderueshme lënde drusore.  Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesit e këtyre mjeteve po transportonin rreth 25 m3 lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë dhe Kurbin kanë proceduar penalisht shtetasit: A. B., 56 vjeç, banues në Thumanë, F. N., 48 vjeç, banues në Tiranë, K. C., 34 vjeç dhe P. T., 56 vjeç, banues në Lezhë. Materialet në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Kurbin, për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Muzgu 5”. Operacioni nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohet një automjet. Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 5”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve S. D., 34 vjeç, banues në Maminas, Durrës dhe S. B., 25 vjeç, banues në Kuçovë. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve S. D. dhe S. B, të cilët u kapën në afërsi të fshatit Vanistër, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, 6 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Volksëagen”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një 46-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”. Nga forca e posaçme “Shqiponjat”, falë një pune të mirorganizuar, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim A. B., 46 vjeç, banues në Fushë Milot, Kurbin. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, në vitin 2016, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Mashtrimi”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rendë me dashje”, shtetasin I. B., 24 vjeç, banues në Grabjan, Vlorë, pasi ka goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin G. M., 26 vjeç, i cili ndodhet në spitalin rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin L. B., 48 vjeç, banues në Gorishtë, Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Informacion paraprak – Më datë 04.12.2020, në orën 00:15, në Xhafzotaj, Durrës, ka marrë flakë dhe është djegur mjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit S. R., 34 vjeç, në oborrin e banesës së tij. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit.

Durrës/Informacion paraprak – Më datë 03.12.2020, rreth orës 23:30, në lagjen nr. 13, Plazh, është goditur me mjete të mprehta (shishe qelqi), një shtetas maroken, ende i paidentifikuar, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe po punojnë për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 84 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë të ndaluar.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste: 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 3 në Durrës, 2 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Shkodër dhe 2 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Elbasan, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.