Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 31 gusht 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 31.08.2022, rreth orëve të para të mëngjesit, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, shtetasi D. T., duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij duke dalë nga rruga dhe ka hyrë në oborrin e një banese.Si pasojë është dëmtuar shtetasja M. S., 23 vjeçe, që ndodhej në oborrin e banesës së saj, e cila më pas, ka ndërruar jetë në spital.Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Tiranë-Vihen në pranga 6 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës arrestuan shtetasin A. M., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi A. M., ditën e djeshme, në rrugën “Islam Alla”, ka vrarë me armë zjarri shtetasit D. M., 44 vjeç dhe N. M., 33 vjeçe. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit e dyshuar e përdorur gjatë krimit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin R. D., 22 vjeç, si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një të mitur 16 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur një kondicioner, në pronësi të shtetasit A. L., 34 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin G. T. (M)., 43 vjeç, pasi është kapur duke vjedhur në banesën e shtetasit A. D., në rrugën “Shaban Jegeni”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 ndaluan shtetasin M. M., pasi Gjykata e Apelit Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Durrës/Informacion paraprak-Rreth orës 16:15, ka shkuar në Urgjencën e Spitalit Durrës, shtetasja A. D., 54 vjeçe, banuese në lagjen nr. 17 Durrës, e cila dyshohet është vetëplagosur me mjet prerës (thikë). Si pasojë e plagëve ka humbur jetën në spital.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Malësi e Madhe-Më datë 31.08.2022, në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Peraj”, në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të murit rrethues të banesës së shtetasit L. K., në të cilën ka qenë vetëm djali i tij, shtetasi L. K., 19 vjeç.Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin:

– A. O., 44 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, nën efektin e alkoolit;

– S. Th., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka hyrë në oborrin e një banese, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, duke aksidentuar shtetasen M. Ç., 25 vjeçe, e cila si pasojë ka ndërruar jetë në spital.

Tiranë/Më datë 30.08.2022, shtetasi Xh. B. ka kallëzuar se është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më, vëllai i tij, shtetasi A. B., 40 vjeç, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e tij.

Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 31.08.2022, në Mjull Bathore, një mjet tip kamionçinë me të cilën transportoheshin viça, është përplasur me trafikndarësen dhe si pasojë drejtuesi i mjetit, ende i paidentifikuar, ka ndërruar jetë.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit  dhe identifikimin e viktimës.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Fier / Kontrolle të befasishme ndaj personave me precedentë të mëparshëm kriminal, me qëllim parandalimin, evidentimin e goditjen e veprimtarive të kundërligjshme, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike.Finalizohet operacioni policor i koduar “Money”.Procedohet penalisht 28-vjeçari me precedent të theksuar kriminal, të cilit iu gjetën dhe iu sekuestruan në automjet, 97 540 euro dhe 3 000 paund, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.Si rezultat i kontrolleve të befasishme të ushtruara në të gjitha akset rrugore të vendit, si edhe monitorimit të vazhdueshëm të ambienteve që frekuentohen nga persona me precedentë kriminal, në vendin e quajtur “Kthesa e Verrisë”, Fier, u ndalua për kontroll, nga shërbimet e Policisë, automjeti tip “Nissan”, me drejtues shtetasin R. Ç. me precedent të mëparshëm për veprimtari kriminale në fushat e plagosjes dhe vjedhjes së pronës e pasurisë.Si rezultat, në automjetin e 28-vjeçarit u gjetën 97 540 euro dhe 3 000 paund, për të cilat ky shtetas nuk kishte dokumentacion që vërteton burimin e ligjshëm të tyre. Në kuadër të hetimeve për këtë rast, dyshohet se këto shuma parash janë përfituar nga aktivitete të kundërligjshme.Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Fier referuan materialet dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. Ç., 28 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shumat e parave, 3 aparate celulare dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky shtetas.Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të burimit të të ardhurave të shtetasit R. Ç., si dhe nëse ky shtetas është i implikuar në veprimtari të tjera kriminale.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 19 janë arrestuar, 68 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 8 të tjerë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 20 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 19 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 15 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të arrestuar, 4 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e tokës/pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, me 3 shtetas të arrestuar dhe me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” është evidentuar 1 rast dhe është proceduar penalisht 1 shtetas.

Për veprën penale “Dhuna në familje” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të arrestuar, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar gjithashtu:

-1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprave penale “Përkrahja e autorit të krimit”, me 2 shtetas të arrestuar dhe “Goditje për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të ndaluar.

Gjithashtu, janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetas ka humbur jetën dhe 19 të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 5 shtetas të arrestuar, si dhe me 13 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.