Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 31 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Policia e Lezhës zbardh ngjarjen e ndodhur më datë 19.11.2020, në Shëngjin, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në objektin në pronësi të shtetasit L. Gj. Finalizohet operacioni policor i koduar “Eksplozivi”. Operacioni nga DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Gjatë operacionit kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vendosjes së eksplozivit. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një pune profesionale hetimore, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të vendosjes së eksplozivit në një objekt në ndërtim në Shëngjin. Si rezultat i provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Eksplozivi”, si rezultat i të cilit, në bashkëpunim më Komisariatin e Policisë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. P., 21 vjeç, banues në Larushk, Krujë.  Ky shtetas, më datë 19.11.2020, në Shëngjin, Lezhë, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit E. P., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 51 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 10 janë arrestuar dhe 38 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 3 raste të“Plagosja e lehtë me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë: 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë;

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, në Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.