Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë/Ekzekutohet vendimi i Gjykatës për 36-vjeçarin e shpallur në kërkim, për tentativën e vrasjes së shtetasit E. B, të ndodhur më 29 maj 2021, në fshatin Kaninë. Nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasin M. P, 36 vjeç, banues në Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. B, 41 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur. Vihen në pranga dhe 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, u arrestua në flagrancë shtetasi A. V, 57 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi me datë 29.09.2021, në vendin e quajtur “Bypass”, Himarë, është kapur në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij një emigrant të paligjshëm. Nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor u arrestua në flagrancë shtetasi A. Q., 28 vjeç, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. U., 56 vjeç, pasi ka goditur me grusht shtetasin B. B, 66 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. N, 63 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe A. P(S), 30 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Më datë 29.09.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për shtetasin B. B, 66 vjeç, me detyrë Topograf i Njësisë Administrative Golem, Kavajë, sepse në harkun kohor të viteve 2018-2021 dyshohet se ka shpërdoruar me detyrën në dëm të disa shtetasve në njësinë administrative ku punon. Paraprake: Me datë 29.09.2021, është dërguar për ndihmë mjekësore në spital një shtetas sirian rreth 23 vjeç, i cili dyshohet se është dëmtuar me sende të forta. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Paraprake: Gjatë natës, dy persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vjedhur një shumë të papërcaktuar parash në një firmën e shtetasit A. D. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
DVP Lezhë – Kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje. Kurbin/Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje, vihet në pranga poseduesi. Lezhë/Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, vihet në pranga një shtetase, shpallen në kërkim bashkëshorti dhe djali i saj. Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një automjet. Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në automjet, në vendin e quajtur ” Ura e Milotit”, kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin e dyshuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Peugeot”, me drejtues shtetasin R. Ll., është gjetur një armë zjarri pistoletë, më krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. Ll., 22 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në fshatin Gocaj, Një Administrative Balldre, po kultivoheshin bimë narkotike, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetases A. C., 52 vjeçe, banuese në Gocaj, Lezhë. Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit F. C., 55 vjeç dhe A. C., 22 vjeç, bashkëshorti dhe djali i shtetases A. C. Shtetasja A. C. është kapur në kushtet e flagrancës, duke kultivuar bimë narkotike në tokën në pronësi të tyre, në fshatin Gocaj, Lezhë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Kurbin, veprime të mëtejshme.
Fier – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Trajektorja”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier. Gjatë operacionit goditen 2 raste, një për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe një për shpërndarje të drogave të forta në doza. Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa dhe doza me kokainë gati për shitje. Vihen në pranga 2 shtetas. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Trajektorja”. Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Hoxharë, në lokalin në pronësi të shtetasit K. F., u gjetën 44 doza me lëndë narkotike kokainë dhe 21 doza me lëndë narkotike cannabis sativa, gati për shitje. Gjithashtu, kontroll u ushtrua edhe në fshatin Lalar, ku në banesën e shtetasit T. Q., u gjetën 125 kg lëndë bimore cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. F., 48 vjeç, banues në Hoxharë, Fier dhe T. Q., 45 vjeç, banues në Lalar, Patos. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
DVP Durrës – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Porositësit”, i zhvilluar nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve dhe Forcat Operacionale në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Sekuestrohen rreth 21 kg lëndë narkotike cannabis sativa, që do shitej kundrejt vlerës monetare 38.800 euro. Arrestohen në flagrancë 4 poseduesit e lëndës narkotike, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Në vijim të kontrolleve të ushtruara, goditet dhe një rast i kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa, në pronën e njërit prej shtetasve të arrestuar. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcat Operacionale në DVP Durrës, bazuar në informacione të mara në rrugë operative se disa shtetas ushtronin veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, kanë mirorganizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar të koduar “Porositësit”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: Admir Dedja, 25 vjeç, Beart Ismailaj, 24 vjeç, Hismet Toro, 33 vjeç dhe Misim Koldashi, 55 vjeç (i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike), të gjithë banues në Durrës. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pas vëzhgimit të pandërprerë dhe informacioneve të siguruara nga specialistët e Seksionit të Narkotikëve dhe agjentët e Forcave Operacionale. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po tentonin të shisnin, kundrejt shumës 38.800 euro, rreth 21 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u gjet në garazhin e banesës së shtetasit Misim Koldashi dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, në vijim të kontrolleve, në pronën e shtetasit Misim Koldashi, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të kultivuara disa bimë narkotike cannabis sativa. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 12 janë arrestuar në flagrancë dhe 60 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Durrës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, dhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Vlorë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për shkatërrim prone.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, 1 për “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, 1 për “Pushtim toke”, 1 për “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 1 për “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht 18 shtetas, për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”.
Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 1 për “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 1 tjetër për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe 1 për “Prishja e qetësisë publike”.
Në Kukës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.