Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kavajë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Kavajë, operacioni policor i koduar “Property”. Vihet në pranga 1 shtetas që kanosi nipin e tij, për motive pronësie. Sekuestrohen një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, që u gjetën në banesën e të arrestuarit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi A. S., 30 vjeç, se xhaxhai i tij e kishte kanosur se do ta vriste, për motive pronësie, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Property”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit I. S., 57 vjeç, banues në Kavajë. 57-vjeçari ka kanosur për jetën nipin e tij, shtetasin A. S., 30 vjeç, për motive pronësie. Gjatë kontrollit të banesës së 57-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri automatik, dy krehra dhe municion luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasen R. Gj., 47 vjeçe, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë referuar materialet në prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetasit E. Sh., 18 vjeç, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ende të paidentifikuar, i kanë vjedhur aparatin celular, shtetasit D. Z., 18 vjeç, duke e kanosur me mjet prerës (thikë). Më datë 30.11.2022, në orët e para të mëngjesit, një shtetas 16 vjeç, dyshohet se aksidentalisht është vetëplagosur me armë zjarri, në këmbë. Aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Arma e zjarrit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Korcë/Informacion paraprak – Më datë 30.11.2022, rreth orës 10:20, në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, shtetasi A. A., rreth 43 vjeç, banues në Siri, ka humbur jetën. Nga këqyrja paraprake e trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se 43-vjeçari, ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 32 shtetas, konkretisht: 2 janë shpallur në kërkim, 10 janë arrestuar në flagrancë dhe 20 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 3 raste, me nga 1 autor të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 2 autorë të arrestuar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 rast me 1 autor të arrestuar dhe 1 rast me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Është shpallur në kërkim 1 shtetas, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të arrestuar.
Janë evidentuar 2 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, me 2 autorë të proceduar penalisht.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje është evidentuar 1 rast, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 1 autor që po procedohet penalisht.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, me 1 viktimë dhe 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.