Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lezhë – Policia e Lezhës godet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë. Finalizohet operacioni i koduar “Miloti”, pas një hetimi 3-javor. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, Njësia Operacionale, forca e posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin. Sekuestrohen 2 mina me telekomandë, një thikë dhe një sasi parash. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, pas një hetimi 3-javor, bënë të mundur parandalimin dhe goditjen e një tjetër rasti të tentativës për prodhim dhe trafikim të minave me telekomandë për shpërthim në distancë. Në kuadër të hetimit, në Fushë-Milot, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Miloti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. O., 38 vjeç, banues në Sukth, Durrës. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në çantën e shtetasit B. O. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, një thikë që plotëson kushtet e armës së ftohtë, 1000 euro dhe aparate celularë. Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
DVP Durrës/Kontrolle intensive për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve goditet një rast i armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e narkotikëve, 2 raste të tjera në fushën e narkotikëve, si dhe kapen 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Sekuestrohen 2 armë zjarri (pushkë), municion luftarak, 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, vihen në pranga 6 shtetas. Në zbatim të Planit të Masave “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve të veprave penale, personave që mbajnë armë zjarri pa leje dhe personave në kërkim”, gjatë kontrolleve të ushtruara nga strukturat e DVP Durrës janë goditur këto raste: Në Krujë, bazuar në informacionet e siguruara se 1 shtetas posedonte armë zjarri në banesë dhe kishte tendencë për kultivim të bimëve narkotike, strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Durrës dhe Krujë, lokalizuan dhe arrestuan në flagrancë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”, shtetasin M. D., 47 vjeç, banues në Krujë dhe për veprën penale “Moskallëzim krimi”, shtetasin M. N., 48 vjeç, banues në Manzë, Durrës. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. D., në Krujë, ku ndodhej dhe shtetasi M. N., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pushkë dhe 16 fishekë. Gjithashtu, gjatë kontrollit në oborrin e banesës së vjetër të këtij shtetasi u gjetën të kultivuar fidanë kanabis. Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., banues në Zallë, Fushë Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në oborrin e banesës së tij u gjetën bimë të kultivuara fidanë kanabis. Nga strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në bazë të informacioneve se një shtetas dispononte sende të kundërligjshme me vete, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin S. H., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë. Shërbimet e Policisë në Zallë, Fushë Krujë, pasi kanë ndaluar mjetin tip “Renault”, me drejtues shtetasin S. H., gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi prej 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, u ndaluan shtetasit e shpallur në kërkim: Mynyr Koçiu, 63 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 5 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”; I. T., 60 vjeç, banues në Larushkë, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
DVP Berat – Vijojnë kontrollet e pandërprera për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Vihet në prangat e Policisë, një 23-vjeçar që tentoi të shpërndante lëndë narkotike. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas një pune të pandërprerë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, goditën një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi: Xh. H., 23 vjeç, banues në fshatin Radësh, Skrapar. Ky shtetas u kap në rrugën e fshatit Ujanik-Gjerbës, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në të cilin gjatë kontrollit u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike dhe automjeti. Në kuadër të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si dhe në vijim të kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit, shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht shtetasin G. S., 50 vjeç, banues në Kuçovë, pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektin e tij në fshatin Kozare, Kuçovë u gjetën inerte (rërë), të cilën ky shtetas dyshohet se e ka nxjerrë në mënyrë të paligjshme në lumin Seman. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Pogradec – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. A., 60 vjeç, banues në fshatin Senishtë, Pogradec dhe shpallën në kërkim djalin e tij shtetasin N. A., 29 vjeç, pasi në fshatin Senishtë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se kanë goditur fizikisht shtetasin Ç. C., 45 vjeç, banues në fshatin Buzaishtë, Pogradec, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim të specializuar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Plagosja e rëndë”, kryer në bashkëpunim.
Vlorë – Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Arrestohet në flagrancë një 32-vjeçar që posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë. Sekuestrohet lënda narkotike kokainë, një pjesë e saj e ndarë në doza gati për shitje. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, arrestuan në flagrancë shtetasin: A. G., 32 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë. Arrestimi i tij u bë pasi, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij dhe gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
DVP Vlorë – Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, shtetasin V. H., 51 vjeç, banues në Orikum, pasi mesditën e djeshme, në vendin e quajtur “Përroi i Verandës”, Radhimë, dyshohet se ka djegur me zjarr, dy parcela me ullinj në pronësi të shtetasve B. Sh. dhe N. Sh. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin A. GJ., 38 vjeç, banues në Konispol, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion policor antikanabis. Operacioni i koduar “Dorëz” i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Sekuestrohen 3 armë gjahu, një automjet, 3 aparate celular dhe sende të tjera të kundërligjshme. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dorëz”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: M. V., 28 vjeç, Z. T., 42 vjeç dhe Q. T., 58 vjeç. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. P., 35 vjeç dhe K. T., 24 vjeç. Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në një sipërfaqe të pyllëzuar, në vendin e quajtur “Dorëz”, Pezë e Madhe. Gjatë kontrolleve në banesat e 3 shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme. Materialet u referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 90 penalisht shtetas, konkretisht:4 janë ndaluar, 28 janë arrestuar në flagrancë dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 9 autorë të arrestuar në flagrancë, 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë deh 2 të tjerë që janë shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Shkodër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Kukës dhe në Fier; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 bë Korcë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.; 1 rast i ‘Plagosja e rëndë me dashje”, në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë deh 1 autor të shpallur në kërkim.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 2 në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve” dhe 1 tjetër për “Përndjekja”.
Në Kukës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për veprën penale “Punësim i paligjshëm”.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.
Në Elbasan janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë ose sportive”.
Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Mashtrimi”.
Në Korçë është proceduar penalisht, për veprën penale “Pushtim toke”.
Në Shkodër është proceduar penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Në Gjirokastër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 raste aksidentesh, me 10 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.