Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 korrik 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Livadhja, Sarandë – Finalizohet operacioni i përbashkët policor i koduar “Kamitsiani”, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Operacioni policor i zhvilluar nga Policia Kufitare, Policia e Rendit dhe Policia Kufitare greke. Vihen në pranga 3 shtetas të cilët dyshohet se kryenin vjedhje me armë në fshatrat greke dhe në zonën e Livadhjasë. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë dhe disa materiale që përdoreshin për të kryer vjedhjet. Policia Kufitare Sarandë dhe Policia e Rendit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare greke, falë shkëmbimit të shpejtë të informacionit se në fshatin Kamitsiani të Greqisë ishte vjedhur një banesë nga disa shtetas shqiptar, të cilët dyshohet se e kryenin këtë veprimtari në mënyrë të përsëritur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kamitsiani”. Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Rendit në Livadhja, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve E. P., 30 vjeç, M. B., 33 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të tre me banim në Burrel. Këta shtetas janë kapur nga Policia shqiptare në hyrje të Livadhjasë, në tentativë për t’u larguar nga fshatrat greke, duke përdorur një automjet për t’u futur në Shqipëri. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet policore kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 laptop, dylbi, doreza duarsh dhe materiale të tjera që dyshohet se janë përdorur për të kryer vjedhjet. Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer disa vjedhje të tjera në fshatrat përreth dhe Policia po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të tyre. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprat penale “Vjedhja”e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Durrës – Shpërndanin lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas informacioneve të marra se një shtetas dispononte lëndë narkotike, menjëherë kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë arrestuar në flagrancë shtetasit R. S., 21 vjeç, banues në Tiranë dhe E. J., 17 vjeç, banues  në Tiranë. Gjatë kontrollit të kryer nga ana e uniformave blu, në Plepa, Durrës, në sediljen e pasme të mjetit tip Benz, me drejtues shtetasin R. S., dhe pasagjer shtetasin E. J., u gjetën dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale: rreth 1 kg e 400 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit marijuanë në formë çokollate, mjeti tip Benz dhe vlera monetare. Gjithashtu gjatë kontrollit  kryer në banesën e shtetasit R. S., u gjetën dhe sekuestruar rreth 16 gr. lëndë narkotike e llojit marijuanë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën  penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Berat – Finalizohet operacioni “Rruga e fundit”, kundër informalitetit dhe krimeve mjedisore. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Procedohen penalisht edhe 2 përgjegjës të pyjeve dhe kullotave pranë Bashkisë Berat. Seksioni për Krimin Ekonomik e Financiar, pas një pune procedurale një mujore për goditjen e paligjshmërisë në fushën e informalitetit dhe krimeve mjedisore, finalizoi me sukses plan – operacionin “Rruga e fundit”, si i rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasit M. M, 59 vjeç dhe A. M., 31 vjeç, banues në Mbreshtan, Berat. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi, në vendin e quajtur “Shtëpia e Pyjores” në fshatin Sinjë, Berat, janë kapur me furgonin e ngarkuar me 10 m3 me lëndë drusore, të cilën e kishin prerë në mënyrë të paligjshme në pyllin e fshatit Velçan, Berat.  Për transportimin e kësaj lënde drusore në destinacione të ndryshme, këta shtetas përgatisnin dokumentacione të falsifikuara. Gjithashtu, në vijim të këtij plan – operacioni filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, për shtetasit K. B., 31 vjeç dhe A. F., 33 vjeç të dy banues në Berat, me detyrë përgjegjës të pyjeve dhe kullotave pranë Bashkisë Berat, pasi kanë lejuar prerjen e paligjshme të  pyjeve, në kundërshtim me ligjin dhe detyrën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Dibër/U referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për ngjarje aksidentale, pasi në banesën e tij, në fshatin Lishan i Poshtëm, njësia administrative Luzni, Dibër, nga pakujdësia ka rënë në kontakt me rrjetin e energjisë elektrike dhe si pasojë ka gjetur vdekjen një shtetas i mitur i moshës 3 vjeç. Nga veprimet hetimore të kryera nga policia, ngjarja ka rezultuar si aksidentale.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 23 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Korcë dhe 1 në Berat; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 ën Vlorë dhe 1 në Shkodër; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Fier dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Vrasja”, 2 në Elbasan, 1 rast me 2 autorë të arrestuar dhe 1 rast për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve; 1 në Durrës, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Lezhë dhe 2 ën Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 3 në Vlorë, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Shkodër, ku autori ëshët arrestuar në flagrancë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 2 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, në Shkodër, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Berat, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, në Berat, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kallëzimi i rremë”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 2 në Durrës dhe 1 në Lezhë.

Në të gjithë vendin është evidentuar 1 rast aksidenti, me 1 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.