Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 qershor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier-Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Shënjestra 2″, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.Kapen dhe vihen në pranga babë e bir, të shpallur në kërkim kombëtar për prodhim dhe shitje narkotikësh, të dënuar përkatësisht me 5 vjet e 4 muaj burgim dhe 1 vit e 6 muaj burgim.Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Sektorin Operacional në DVP Fier dhe Komisariatin e Policisë Fier, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore, pas lokalizimit të vendndodhjes, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacion policor të koduar “Shenjestra 2”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: Ilir Tafa, 50 vjeç, banues në Bishanak, Fier (i dënuar më parë për vjedhje me dhunë) dhe Gledis Tafa, 25 vjeç, banues në Bishanak, Fier.Në vitin 2019, gjatë operacionit policor të koduar “Shënjestra”, në banesën e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde narkotike heroinë dhe kokainë. Gjatë këtij operacioni është arrestuar në flagrancë edhe shtetasja T. T., si dhe është shpallur në kërkim bashkëshorti i saj, shtetasi Z. T., bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur masën “Detyrim paraqitje” për këta shtetas, ndërsa Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin e datës 30.05.2022, ka revokuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e dënuar shtetasin Ilir Tafa, me 5 vjet e 4 muaj burgim dhe shtetasin Gledis Tafa, me 1 vit e 6 muaj burgim.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkodër/Informacion paraprak-Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.Gjithashtu në livadh, në  lagjen  “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Më datë 02.06.2022, shtetasja V. K., 60 vjeçe, banuese në Tiranë, ka kallëzuar se rreth orës 07.30, në Rrugën e Qelqit, në hyrje të pallatit, ka gjetur një kuti me municion luftarak, një sasi lënde plasëse dhe 3 fitila, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin G. P., 36 vjeç, banues në Tiranë, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. S., 31 vjeç, banues në Kosovë dhe S. M., 31 vjeç e U. S., 26 vjeç, banues në Zvicër, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasi të vogla lënde narkotike me vete. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Durrës-Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për shtetasen R. T.,  55 vjeçe, banuese në Durrës, pasi ka kanosur me fjalë, për shkak të detyrës, shtetasen A. D., punonjëse në spitalin e Durrësit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Mallakastër-Finalizohet pas një hetimi 1-mujor, operacioni policor i koduar “Gryka”, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.Gjenden dhe sekuestrohen 200 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i kultivimit, procedohet në gjendje të lirë babai i tij.Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, efektivët e Komisariatit të Policisë Mallakastër kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit. Si rezultat i një hetimi njëmujor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, është finalizuar operacionin policor i koduar “Gryka”.Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 55 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë, babai i tij, shtetasi S. Ç., 72 vjeç, banues në Klos, Mallakastër, pasi në fshatin Klos, në një parcelë rrushi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 200 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 13 janë arrestuar, 60 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 4 shtetas të arrestuar dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, prej këtyre janë 2 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 8 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 7 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 9 raste, prej këtyre janë 4 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 5 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e Policisë, si dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Ne fushën e veprave penale me objekt trafiqet e paligjshme janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor janë evidentuar 12 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 10 rastet e tjera rezultojnë me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për ngjarjet me objekt zjarrvënien janë evidentuar 3 raste, për të cilat vijon puna e Policisë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e tyre.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Prishja e qetësisë publike”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mbajtja pa leje e uniformës”, me 4 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të ndaluar.

Janë evidentuar 2 raste të veprave penale në fushën e mosbindjes/kundërshtimit ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale me objekt kundërshtimin e vendimit të gjykatës janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 aksidente, si pasojë e të cilëve 24 shtetas janë dëmtuar, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 8 shtetas të arrestuar me 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.