Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 qershor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Mirditë, Lezhë – Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, pas një hetimi 3-javor. Vihet në pranga autori i dyshuar i tentativës për kultivimin e bimëve narkotike. Strukturat policore në DVP Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në fshatin Gziq, Mirditë, po kultivoheshin bimë narkotike, pas një hetimi disajavor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. Gj., 47 vjeç, banues në Mirditë. Ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës duke tentuar të kultivojë bimë narkotike në vendin e quajtur “Vau Shënkollë”, Njësia Administrative Rrëshen, Mirditë. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.

Poliçan – Ndezën zjarr në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit, Policia vë pranga 2 shtetas dhe procedon penalisht 3 shtetas të tjerë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Poliçan, pas njoftimit të marrë se në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit kishte rënë zjarr, i cili kishte dalë nga kontrolli, duke avancuar dhe duke përfshirë sipërfaqe të madhe me pisha, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë identifikuar dhe vënë në pranga autorët e zjarrvënies, shtetasit B. M., 50 vjeç dhe E. T., 32 vjeç, si dhe kanë proceduar penalisht shtetasit B. C., 41 vjeç, F. M., 44 vjeç dhe P. Sh., 30 vjeç, të gjithë banues në Lybeshë, Poliçan. Këta shtetas kanë ndezur zjarr gjatë kohës që kanë qenë duke mbledhur bimë medicinale në Malin e Tomorit. Si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe prej 10 ha pyll me pisha. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë banorët dhe për barinjtë që në asnjë rast të mos ndezin zjarr dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Divjakë – Informacion paraprak/Sot, rreth orës 06:10, në tokat bujqësore të fshatit Tërbuf, Divjakë, është gjetur pa shenja jete shtetasi S. L., 60 vjeç. Nga këqyrja paraprake në trupin e 60-vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkak se vuante nga sëmundja e epilepsisë. Po punohet për zbardhjen e plotë të shkakut të vdekjes.

Krujë – Më datë 29.06.2021, në orën 08:30., në Nikël, Krujë, shtetasi H. Xh., 72 vjeç, banues në Nikël, Krujë, duke drejtuar mjetin bujqësor tip “Zetor”, pa targa, ka humbur kontrollin dhe ka rënë në kanal. Si pasojë ka e plagëve të mara ka ndërruar jetë në spital shtetasi H. Xh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. B., 35 vjeç, pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, për mbylljen e lokalit të tij sipas orarit policor. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Q. D., 64 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: B. M., 56 vjeç, L. B., 48 vjeç dhe R. H., 36 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; B. H., 29 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Më datë 28.06.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin I. H., 28 vjeç, pasi ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin G. N., 22 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e shtetasit I. H. Më datë 28.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit G. Sh., 38 vjeç, pasi në rrugën “Xhanfizo Keko”,  për motive ende të paqarta, është konfliktuar me një shtetase 34-vjeçare. Më datë 28.06.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen M. B., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi në rrugën “Gjergj Legisi”, ka hedhur një bidon plastik me një sasi municioni (fishekë), në kazanët e mbetjeve të riciklueshme. Për shkak të temperaturës së lartë, kanë shpërthyer disa fishekë, duke dëmtuar lehtë M. B. dhe vajzën e saj të mitur 7 vjeçe, banuese në Tiranë.  Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 15 janë arrestuar në flagrancë dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 2 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Berat, 3 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Tiranë, ku autori është shpallur në kërkim.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 3 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 16 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.  Në Tiranë janë proceduar penalisht edhe 3 shtetas, 1 për “Përndjekja”, 1 për “Mbajtja pa leje e municionit luftarak” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 1 për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në Korçë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për “Falsifikimi i dokumenteve”.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Lezhë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe 1 për “Shpërdorim detyre”.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Berat janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. Gjithashtu është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër, për “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në Elbasan është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullit rrugor”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 13 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.