Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Vihet në pranga për shkelje të rregullave në punë, administratori dhe inxhinieri i firmës ndërtuese të një pallati, ku në orët e mbrëmjes së djeshme humbi jetën një 62-vjeçar, rojë i këtij objekti. Policia e Durrësit, menjëherë pas njoftimit të marrë se një shtetas kishte rënë aksidentalisht nga kati i dytë dhe për pasojë humbi jetën, menjëherë ka kryer gjithë veprimet hetimore, në bashkëpunim me prokurorinë dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. J., 47 vjeç, banues në Durrës, administratori i firmës dhe E. R., 43 vjeç, banues në Durrës, inxhinier i firmës që ndërton objektin. Këta shtetas akuzohen për shkelje të rregullave në punë, pasi më datë 28.01.2020, rreth orës 23:18, në një objekt në ndërtim, humbi jetën aksidentalisht shtetasi Th. R., 62 vjeç, i punësuar si rojë pranë këtij objekti. Këta shtetas rrezikojnë të dënohen deri në 10 vjet burg. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Lezhë – Policia parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe e kërcënonte se do ta vriste, por arrestohet në flagrancë nga Policia. Sekuestrohet një armë zjarri dhe municion luftarak. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin B. L., 54 vjeç, banues në Dragushë, Lezhë. Ky shtetas, në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në banesë, duke e kërcënuar se do ta vriste me armë zjarri, e cila mbrëmjen e djeshme ka njoftuar Policinë. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në banesën e shtetasit B. L., ku gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri tip “Pushkë” dhe 19 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, mbajtja e armëve në automjete, në banesë apo në mjedise publike, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim deri në 7 vjet.
Tiranë – Shkon në 5 numri i të arrestuarve në lidhje me pengmarrjen, me pasojë vdekjen e shtetasit J. P. Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes mbi rrëmbimin e shtetasit J. P., të ndodhur në rrugën “London”, Kamzë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, ka bërë ndalimin e shtetasit F. B., 30 vjeç, banues në Kavajë. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me 4 shtetasit e ndaluar më parë dhe me shtetas të tjerë, e kanë rrëmbyer për ta mbajtur peng, shtetasin J. P., më datë 17.01.2020, në Kamzë. Në cilësinë e provës materiale shtetasit F. B. i janë sekuestruar dy telefona dhe një sasi prej 850 eurosh. Për shkak të rëndësisë së hetimit, nuk bëhen të ditura detaje të tjera. Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe gjetjen e trupit të shtetasit J. P. Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Tiranë – Qarkullonin me armë zjarri me silenciator me vete, nuk iu bindën urdhrit të Policisë për të ndaluar, por pas ndjekjes nga forcat “Shigjetat” vihen në pranga një 24-vjeçar dhe një 29-vjeçar. Sekuestrohen armë zjarri me silenciator dhe aparat telefon, i cili dyshohej se do të përdorej për prodhim të minave me telekomandë. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë shtuar kontrollet, sidomos në orët e vona të mbrëmjes dhe në orët e para të mëngjesit, me qëllim kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, por dhe dyshimit të krijuar nga shërbimet e Policisë “Shigjetat” për lëvizjet e kryera nga një drejtues mjeti me automjetin e tij në momentin që ka parë forcat e Policisë, atij i është dhënë shenjë për të ndaluar, me qëllim ushtrimin e kontrollit fizik të personave dhe të automjetit, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka vijuar lëvizjen. Forcat “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të automjetit tip “BMË”. Drejtuesi i automjetit, kur ka parë se po ndiqej nga forcat “Shigjetat”, ka hedhur nga dritarja e makinës një armë zjarri pistoletë me silenciator, si dhe një aparat celular që përdoret për shpërthime në distancë. Policia ka bërë të mundur bllokimin e automjetit dhe të dy personave që udhëtonin me këtë automjet. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tyre, konkretisht E. Z., 29 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe E. A., 24 vjeç, banues në Fushë Krujë. Në vendngjarje grupi hetimor gjati dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, një silenciator, 13 fishekë luftarak dhe një aparat celular që dyshohej se do përdorej për shpërthim të lëndës eksplozive në distancë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, të kryera në bashkëpunim.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 63 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje: 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 2 në Tiranë, 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen ne gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autori po procedohet ne gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Durrës, ku autori po procedohet ne gjendje të lirë.
Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Dibër, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.