Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale nëpërmjet mashtrimit kompjuterik. Operacioni policor i koduar “PLATFORMA”, i zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vihet në pranga një shtetas, për përfitime të shumave të mëdha nëpërmjet mashtrimit kompjuterik. 32-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Njësia  për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është organizuar dhe finalizuar një tjetër operacion policor i koduar “PLATFORMA”. Pas një hetimi 6-mujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota në lidhje me kallëzimin e marrë nga një bankë e nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Njësia për Hetimin e  Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kryer ndalimin e shtetasit D. T. , 32 vjeç, banues në Durrës, i dënuar me gjobë për kryerjen e veprës penale “Vetëgjyqësia”, nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës; I dënuar me 3 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës; I dënuar me 9 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat (aktualisht në proces në Gjykatën e Apelit Vlorë); Aktualisht i ndaluar si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”. Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e  Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas, duke përfituar dhe nga situata e pandemisë COVID-19 për hapjen e llogarive bankare për përfitimin e “Pagës së luftës”, kishte hapur një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo llogari ishte hapur që ky shtetas të shfrytëzonte një hapësirë që gjendej në shërbimin bankar dixhital. Pas kësaj, ky shtetas ka arritur të kryejë 36 transaksione financiare në një vlerë 15.533.510 lekë të reja, në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Pas transferimit të shumave të ndryshme ky shtetas kryente tërheqje nga bankat ku ishin transferuar këto fonde, nëpërmjet kartave bankare ose duke u paraqitur vetë në bankë.  Gjithashtu, ky shtetas ka tentuar t’i tërheqë këto fonde dhe nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Tiranë – Kapet dhe ndalohet 40-vjeçari i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”. Arrestohen në flagrancë edhe 7 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve I. Q., 40 vjeç, sepse me Vendimin Penal, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 2 muaj burgim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.  Forcat e posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. M., 24 vjeç, pasi në rrugën “Lord Bajron” u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.68 mg/l. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjet dhe u sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 59 vjeç, pasi në rrugën “Llazar Shapatini”, ka ushtruar dhunë të vazhdueshme psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve V. C., 23 vjeç, F. T., 29 vjeç, H. K., 28 vjeç, N. D., 39 vjeç dhe T. K., 58 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Kurbin – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjorëm”. Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 51-vjeçari. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, shërbimet e Policisë kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin. Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me armë zjarri me vete, forca e posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Kurbinit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjorëm”. Në kuadër të operacionit, është bërë lokalizimi i personit të dyshuar i cili ishte futur në një lokal në fshatin Gjorëm, Kurbin. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit O. R., Policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një krehër me 7 fishekë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. R., 51 vjeç, banues në Kurbin. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Vlorë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Ndalohet një 48-vjeçar i shpallur në kërkim për vjedhje.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin K. M., 48 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në datën 23.12.2020, në lagjen “29 Nëntori”, dyshohet se ka vjedhur një sasi të konsiderueshme parash në banesën e një shtetasi. Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. M. janë gjetur dhe sekuestruar disa sende të cilat dyshohet se i përdorte për të kryer vjedhje. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin G. A., 45 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 50 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 16 janë arrestuar dhe 32 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 rast ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 5 për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Gjirokastër.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 në Lezhë dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar  11 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 14 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.