Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 27 gusht 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Goditet një tjetër rast i mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak.    Finalizohet operacioni policor i koduar “Kallmeti”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lezhë.  Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, një armë gjahu dhe municion luftarak, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që mbajnë armë zjarri pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “ Kallmeti”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: M. Ll., banues në fshatin Kallmet, Lezhë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri automatik me 2 krehra, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Selenicë, Vlorë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Otima”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Forcat Speciale RENEA dhe Drejtoria e  Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre me precedent të mëparshëm kriminal.  Sekuestrohen 4 automjete, dy prej tyre të blinduara, 6 aparate celular, një shumë parash dhe një sasi lënde narkotike kanabis. Në vijim të kontrolleve të pandërprera në të gjithë qarkun Vlorë, si dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se në zonën e Otimës në Selenicë, persona me precedent kriminal kishin kultivuar bimë narkotike, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA dhe Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u finalizua operacioni policor i koduar “Otima”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve: F. Ll., 43 vjeç, banues në Selenicë (me precedent të mëparshëm kriminal), D. B., 54 vjeç, banues në Vlorë dhe E. C., 21 vjeç, banues në Librazhd. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar një numër të konsiderueshëm bimësh cannabis sativa në ambientet e banesës së shtetasit F. Ll. dhe në ambientet përreth një objekti po në pronësi të këtij shtetasi, në vendin e quajtur “Përroi i Otimës”, Selenicë. Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto ambiente, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kanabis, 4 automjete, dy prej tyre të blinduara, 6 aparate celular dhe një shumë parash. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjirokastër – Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasen R. Ç., 22 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase, duke drejtuar mjetin “Land Rover”, në aksin rrugor Muzinë-Jorgucat, është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P., 51 vjeç dhe për pasojë mjeti furgon ka rënë disa metra poshtë rrugës. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i furgonit, shtetasi B. P., banues së Sarandë, pasagjerët F. K., 77 vjeç, D. K., 72 vjeçe,T. F., 48 vjeçe, banuese në Ukrainë dhe O. F., 53 vjeç, banues në Ukrainë. Gjithashtu kanë mbetur të dëmtuara shtetaset G. D., 25 vjeçe, banuese në Tiranë (pasagjere në mjetin tip furgon), R. Ç. (drejtuese e mjetit “Land Rover”), A. K., 23 vjeçe dhe G. P., 22 vjeçe, banuese në Itali (pasagjere në mjetin “Land Rover”). Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut dhe rrethanave të aksidentit. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 25 janë arrestuar në flagrancë dhe 62 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 1 autor të ndaluar, 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Vlorë dhe 1 në Fier; 3 raste të  “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Kukës; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 1 autor të shpallur në kërkim dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 4 raste me 1 autor të ndaluar, 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen ne gjendje të lirë, si dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të “Ndërtimi pa leje”, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, në Durrës, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrim prone me zjarr”, 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 rast për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 7 shtetas, në Fier, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në Lezhë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, 1 për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe 1 për “Korrupsion aktiv”. Gjithashtu është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 tjetër, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për preje të paligjshme të pyjeve dhe 1 tjetër për falsifikim.

Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për “Falsifikimi i dokumenteve”dhe 1 tjetër për “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 raste aksidentesh, me 5 viktima dhe 17 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.