Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 26 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Vijon operacioni kundër krimeve mjedisore, zaptimit të pronës publike në plazhe, ndotjes së mjedisit dhe ndërtimeve pa leje. Kontrolle të shtuara në zonën bregdetare, nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT). Evidentohet te Shkëmbi i Kavajës, një rast i zaptimit të pronës publike dhe ndërtimit pa leje. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”. Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IKMT-në, te Shkëmbi i Kavajës,  para lokalit të shtetasit I. K. kanë konstatuar se ai kishte zaptuar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke, pronë publike plazh, duke e rrethuar me mur dhe plate betoni. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin shtetasin I. K., 66 vjeç, banues në Durrës. Ndërkohë, IKMT ka plotësuar dokumentacionin për prishjen e këtij ndërtimit brenda 5 ditësh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Devoll – Policia parandalon dhe godet një tjetër rast të tentativës për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve. Transportonin shtetas nga vendet e treta, kundrejt fitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve, vihen në pranga dy shtetas. Nga shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Kapshticë dhe shërbimet e Frontex-it, u godit një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve K. Z., 21 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”) dhe R. D., 37 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë në Maqedoni, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”). Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Korçë-Bilisht, në vendin e quajtur “Ura e Trenit”, me një mjet fuoristradë tip “BMË”, me drejtues shtetasin R. D., duke transportuar 2 shtetas të huaj (emigrantë të paligjshëm), të cilëve kundrejt fitimit prej 150 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Elbasan – Bie në prangat e Policisë një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar për trafik narkotikësh. Operacioni nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe autoriteteve policore italiane, u bë i mundur lokalizimi në Elbasan dhe arrestimi i shtetasit A. Ç., 48 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Reggio Calabrias, Itali, më datë 17.02.2020 i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafik narkotikësh” dhe “Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar nga Spanja drejt Italisë, një sasi lënde narkotike të llojit kokainë, me qëllim për ta shitur në Itali. Arrestimi provizor u krye me qellim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.

Tropojë/Informacion paraprak – Më datë 25.05.2020, në fshatin Sopot, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit I. B. Nga të shtënat nuk ka asnjë person të lënduar. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për kapjen e autorëve.

OFL, 26 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve E. B., banues në Shkodër, person nën hetim, pasi ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”. Gjithashtu, Gjykata e Bolonjës (Itali) e ka dënuar me 9 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni, e kryer në bashkëpunim” dhe E. P., banues në Shkodër, person nën hetim, pasi ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 23 janë arrestuar dhe 49 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Durrës; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Dibër dhe 1 në Fier; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Korcë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Durrës, 1 në Berat dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, në Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin pa leje drejtim, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.