Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 26 janar 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Buna”, nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me Interpol Tirana, për kapjen e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.  Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 41-vjeçari i dënuar për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, nga strukturat e DVP Shkodër u kap dhe u ndalua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi Bledar Cafi, 41 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Zyra Qendrore e Interpol Tirana. Gjykata e Triestes/Itali, me vendimin e datës 04.06.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 2 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”, parashikuar nga Dekreti Presidencial “Për drogat” në Itali. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Berat – Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. L., 19 vjeç, banues në Berat. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin R. L. (i ndaluar nga Policia tri ditë më parë), ka vjedhur disa zgara hekuri, në lagjen Uznovë. Gjithashtu, nga verifikimet e kryera, shtetasi E. L. rezulton të jetë autor i dy vjedhjeve të ndodhura më parë, konkretisht: Në datën 03.01.2021, në fshatin Moravë, dyshohet se ka vjedhur 1 televizor dhe 1 laptop në servisin e shtetasit L. B.; Në datën 22.01.2021, në fshatin Orizaj dyshohet se ka vjedhur 1 televizor, 1 hard disk dhe 1 sharrë dore në dyqanin e shtetasit F. Rr.; Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin F. R., 25 vjeç, banues në Berat. Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë iu gjetën 4 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme hetimore.

Durrës – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Sekuestrohen 9 doza më lëndë narkotike kokainë, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Procedohen penalisht për shkak të moshës, 3 shtetas, si autorë të dyshuar të 15 vjedhjeve të ndodhura në qytetin e Durrësit.   Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. C., 22 vjeç, banues në Durrës. Gjatë patrullimit, Forcat e Posaçme “Shqiponja” e kanë konstatuar këtë shtetas në afërsi të banesës së tij dhe gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur 9 porcione me lëndë narkotike të dyshuar si kokainë dhe një peshore elektronike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, proceduan penalisht për shkak të moshës shtetasit e mitur R. G., 16 vjeç, L. O., 17 vjeç dhe K. P., 15 vjeç, banues në Durrës. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 25.01.2021, në lagjen nr. 15, Durrës, dyshohet se kanë vjedhur një derë në magazinën e shtetasit P. E. Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të 14 vjedhjeve të ndodhura më parë në qytetin e Durrësit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në ngarkim të shtetasit E. C., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe në ngarkim të shtetasve R. G., L. O., dhe K. P., për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim. Krujë – Më datë 25.01.2021, në orën 17:00, në fshatin Mallkuç, Krujë, në afërsi të banesës së tij, është vetëplagosur në këmbë, me armë gjahu (të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente), shtetasi D. K., 42 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Moskallëzim krimi”.

Dibër – Me datë 25.01.2021, në lagjen Treg, Peshkopi, janë konfliktuar disa persona dhe si pasojë ka mbetur i lënduar, dyshohet me send të mprehtë, shtetasi T. T., rreth 23 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital. Në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar në Komisariat disa persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Klienti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen rreth 800 gramë kokainë, 1 automjet dhe 1 aparat celular. Vihen në pranga 2 shtetas, posedues dhe shpërndarës të lëndës narkotike. Njëri nga të arrestuarit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës së pandërprerë për kapjen e personave që qarkullojnë me lëndë narkotike apo merren me shpërndarjen e tyre dhe të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë shpallur në kërkim, pas një pune hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Klienti”. Si rezultat u bë arrestimin në flagrancë i shtetasve: B. S.(Z)., 35 vjeç, i shpallur në kërkim për llogari të DVP Dibër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”; A. A., 33 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi B. S.(Z)., me anë të lidhjeve të tij shoqërore siguronte sasi të mëdha lënde narkotike të llojit kokaine, të cilën ia jepte më pas shtetasit A. A., që ta shiste në doza të vogla, te klientë të ndryshëm në qytetin e Tiranës, me sasi nga 100 gramë deri në 1 kg, kundrejt vlerës 45 euro për gram. Në vendin e quajtur “21 Dhjetori”, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtyre shtetasve, u gjet një sasi me rreth 800 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku 1 aparat celular dhe një automjet që autorët e përdornin për shpërndarjen e lëndës narkotike. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetases R. H., 30 vjeçe, banuese në Durrës. Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë pasi në bazë të pamjeve filmike rezulton si autorja e vjedhjes së një shume parash në portofolin e shtetasit K. D., i cili ka qenë i shtruar në spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë nga COVID-19. Pas kallëzimit të bërë për këtë ngjarje, nga djali i të ndjerit, shtetasi F. D., 25 vjeç, i cili ka deklaruar se nga llogaria bankare e të atit ishte tërhequr shuma 60.000 lekë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit. Në bazë të provave filmike ka rezultuar se edhe shuma e parave është tërhequr nga shtetasja R. H., infermiere në spitalin infektiv, e cila ka pranuar autorësinë e ngjarjes, që është bërë mediatike edhe nga emisioni investigativ “STOP”. Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjygjësor Tiranë, për veprime hetimore të mëtejshme, për veprat “Vjedhja” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 filluan procedimin penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë ”, ndaj shtetasve të mitur me iniciale R. B., 14 vjeç dhe G. S., 14 vjeç, pasi në mënyrë të vazhdueshme kanë kërcënuar dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit G. A., 16 vjeç, me qëllim dhënien e parave.

Vlorë/Informacion paraprak – Sot, rreth orës 10:00, në spitalin e Vlorës, ka shkuar i plagosur (dyshohet me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta), shtetasi M. M., banues në Vlorë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë krehjes së zonës, në aksin rrugor Vlorë- Selenicë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur i markës “Land Rover”, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit të ngjarjes. Vijon krehja e zonës nga shërbimet e DVP Vlorë, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Has-Tropojë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Has arrestuan në flagrancë shtetasin A. J., 26 vjeç, banues në fshatin Gajrep, Has, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës dhe është kapur nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, duke lëvizur në qytetin e Krumës.  Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin H. A., 56 vjeç, banues në fshatin Mejdan, Tropojë. Arrestimi i tij u bë pasi, në aksin rrugën Bajram Curri – Qafë Morinë, duke drejtuar automjetin tip ’’Volkswagen’’, në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin tip ’’Audi’’ me drejtues shtetasin S. H., duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Tepelenë – Më datë 25.01.2021, rreth orës 11:10, në aksin rrugor Memaliaj-Tepelenë, mjeti kamion tip “Skania” me drejtues shtetasin Nj. A., rreth 37 vjeç, banues në Dibër, është përplasur me mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin L. M.,  rreth 35 vjeç, banues në Tepelenë. Për pasojë është dëmtuar rëndë drejtuesi i mjetit tip “Benz”, shtetasi L. M., i cili është transportuar në spitalin rajonal Gjirokastër. Gjatë kontrollit në mjetin e shtetasit L. M., shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 15 janë arrestuar dhe 43 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Vlorë 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste: 2 në Tiranë, me 1 autor të ndaluar dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë, 1 në Fier, 1 ën Shkodër dhe 2 në Vlorë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendej të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Durrës dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 2 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbime publik”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 3 viktimë dhe 7 të dëmtuar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 8 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 3 në Korçë, 1 në Kukës dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.