Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Pogradec – Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Operacioni nga Komisariati i Policisë Pogradec, specialistët për hetimin e krimit, Policia Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare. Transportonte 11 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 35-vjeçari që u përpoq t’i shmangej Policisë, por u kap dhe u arrestua në flagrancë. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, në kuadër dhe në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, finalizuan me sukses operacionin “Destinacioni”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. B., 35 vjeç, banues në Tiranë. Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, se ky shtetas transportonte me mjetin e tij furgon, disa shtetas nga vendet e treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë, kanë organizuar punën, duke bërë lokalizimin dhe më pas kapjen e prangosjen e këtij shtetasi. Kapja e tij u bë pranë vendit të quajtur “Enkelana” dhe në momentin që ka ndërhyrë Policia ai ka tentuar të largohet, mos iu bindur urdhrit të punonjësve për të ndaluar, por pas ndjekjes së Policisë është kapur në vendin e quajtur “Gur i Kuq”. Në mjetin furgon që po drejtonte ky shtetas u konstatuan 11 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi I. B. iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt përfitimit. Po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Durrës – Plan masash për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, ndotjes akustike dhe krimeve ndaj pronës. Kontrolle masive nga strukturat e DVP Durrës, në kuadër të planit të masave për evidentimin e rasteve të ndotjes së mjedisit nga subjektet e ndryshme, ndotjes akustike, ndërtimeve pa leje, shfrytëzimit të pyjeve dhe lumenjve. Si rezultat i kontrolleve janë proceduar penalisht 5 shtetas, 2 për shkatërrim prone, 1 për shpërdorim toke dhe 2 për ndotje akustike e prishje të qetësisë publike. Në zbatim të planit të masave për kontrollet e subjekteve që operojnë në territorin e qarkut të Durrësit në mënyrë të jashtëligjshme, si dhe për kontrollin e mjeteve që kryejnë transporte me ngarkesa të ndryshme pa dokumentacionin përkatës, është ngritur grupi i Task Forcës, i përbërë nga strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Durrës, strukturat e Komisariatit të Durrësit dhe Krujës, strukturat e Policisë Rrugore dhe IKMT. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit: L. S., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në lumin Zezë, Nikël, është gjetur duke marrë inerte, me mjetin tip eskavator në pronësi të tij, i pa licencuar në QKB-ja, P. Rr., 65 vjeç, banues në Tiranë, pasi u konstatua duke punuar me mjetin e tij eskavator në shtratin e lumit Droje, Picrrakë, Krujë, E. Sh., 52 vjeç, banues në Shijak, pasi u konstatua në Shkallnur, duke bërë punime, tarraca me dhe, në pronë publike. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u proceduan penalisht shtetasit E. D., 32 vjeç dhe H. L., 24 vjeç, banues në Durrës, administratorë të dy lokaleve në lagjet nr. 1 dhe nr. 5, Durrës, pasi kanë vendosur muzikë të lartë, duke shkaktuar prishje të qetësinë publike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në ngarkim të shtetasit L. S., për veprat penale “Shkatërrim prone me mjete të tjera”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim taksash”, në ngarkim të shtetasit P. Rr., për veprën penale “Shkatërrim prone me mjete të tjera”, në ngarkim të shtetasit E. Sh., për veprën penale “Shpërdorim toke” dhe në ngarkim të shtetasve E. D., dhe H. L., për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Durrës – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit ekonomik. Kontrolle ndaj tregtarëve që tregtojnë mallra të ndryshme pa licencë dhe pa dokumentacionin përkatës. Procedohen penalisht 3 shtetas, për veprat penale “Mospagimi i taksave” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në kuadër të planit operacional kundër informalitetit, proceduan në gjendje të lirë shtetasit E. E., 35 vjeç, F. B., 34 vjeç dhe D. Rr., 43 vjeç, banues në Durrës. Këta shtetas u konstatuan në lagjen nr. 11, Durrës, në afërsi të postës qendrore, duke tregtuar telefona celularë dhe aksesorë të ndryshëm pa licencë dhe pa dokumentacionin përkatës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 6 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit A. V., 19 vjeç dhe D. M., 27 vjeç, banues në Sallmone, Flakë. Si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit e mitur A. V., 14 vjeç dhe E. Ç., 17 vjeç, banues në Sallmone. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datat 28.03.2020 dhe 21.06.2020, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin në një shtypshkronjë në pronësi të shtetasit R. Z. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vjedhja e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Shtytja e të miturve në krim”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasit: G. Gj., 38 vjeç, banues në Krujë, pasi është konstatuar duke drejtuar motorin tip “Lifan” pa leje drejtimi; Dh. F., 49 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motoçikletën tip “Dayang” pa leje drejtimi; B. D., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar mjetin tip “Ford” në gjendje të dehur, ka goditur një mjet tjetër, duke i shkaktuar dëme materiale; Z. H., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi në Vardardhë, Sukth, duke drejtuar mjetin tip “Benz” është përplasur me mjetin tip “Ford” dhe si pasojë kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i mjetit “Ford”, shtetasi M. D., 24 vjeç dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja N. K., 25 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë organizuar disa pika kontrolli të lëvizshme për kontrollin e automjeteve dhe motoçikletave dhe kanë vendosur 41 masa administrative, për shkelje të ndryshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Vijojnë veprimet hetimore intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B. Shkon në tre numri i të arrestuarve të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë vrasje. Gjatë orëve të para të ditës së sotme është vënë në pranga një 26-vjeçare, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e shtetasit H. B. Më parë, si rezultat i reagimit në kohë dhe falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u identifikua, u kap dhe u vu në pranga dhe bashkëpunëtori tjetër, shtetasi S. M. Gjithashtu, falë punës profesionale të strukturave të DVP Tiranë dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me Policinë e Malit të Zi, mbi bazën e informacioneve të dhëna nga specialistët e Sektorit kundër Krimeve ndaj Personit në DVP Tiranë, u bë lokalizmi i vendndodhjes së autorit kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasit V. M., i cili u kap nga Policia e Malit të Zi. Nga strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës së pandërprerë hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B., është bërë ndalimi i shtetases A. L., 26 vjeç, banuese në Tiranë. Kjo shtetase dyshohet se është bashkëpunëtore në vrasjen e shtetasit H. B., së bashku me shtetasin V. M. (vëllai i shtetasit P. M., i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga shtetasi H. B.) dhe shtetasin S. M. (nipi i shtetasit P. M). Gjithashtu, në vijim të kontrolleve të shumta për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është vënë në pranga për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, shtetasi A. A. , të cilit i është gjendur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë me një krehër 7 fishekë. Strukturat e DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë ngjarje. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale ”Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetases A. L.
Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 6 persona, 2 prej tyre të shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 32 vjeç, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në bulevardin “Zhan Dark”, duke qarkulluar me një biçikletë të vjedhur. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 42 vjeç, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. M., 29 vjeç, pasi në rrugën “Anton Mazreku”, ka kanosur dhe ka përndjekur në mënyrë sistematike ish të fejuarën e tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit në kërkim H. L., 43 vjeç, pasi në banesë, në Linzë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj ish-bashkëshortes. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë ndalimi i shtetasit K. H., 40 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. D., 20 vjeç, pasi tek rrethrrotullimi i Saukut, është kapur në flagrancë duke drejtuar çiklomotorin pa lejen përkatëse. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 referuan materialet për shtetasen M. L., 53 vjeç, pasi në rrugën “Mihal Hanxhari”, qentë e saj, të cilët kanë qenë pa mbrojtëse e pa u lidhur, kanë kafshuar shtetasin G. N., gjatë kohës që ka qenë duke hyrë në banesën, duke i shkaktuar atij lëndime trupore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 102 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 74 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 3 autorë të ndaluar dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste: 6 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë, 1 në Kukës dhe 2 në Gjirokastër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Durrës, 2 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 12 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 3 në Durrës, 2 në Kukës, 3 në Korçë, 1 në Fier dhe në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mashtrimi”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Durrës, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 4 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.