Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 25 gusht 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Kontrolle të befasishme në Durrës, Lezhë, Mamurras e Elbasan, nga Forcat Speciale RENEA dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e policisë vendore. Kontrollet për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë apo të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale kundër personit dhe pronës. Janë ushtruar kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje apo përdorim të lëndëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve janë sekuestruar armë, municion luftarak, drogë, është vënë në pranga një person në kërkim me rrezikshmëri shoqërore, si dhe është goditur një rast i ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit të lojërave të fatit etj. Në Durrës, gjatë kontrollit në lagjen nr.14, Shkozet, është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, si dhe u procedua penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasi E. D., 43 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i shtetasit D. T. është bërë pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij “Range Rover”, para lokalit të shtetasit E. D., në kroskot është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me 13 fishekë. Në vijim të kontrolleve, në lokalin në përdorim të shtetasit E. D., janë gjetur çipsa dhe letra bixhozi. Gjithashtu, po gjatë kontrolleve në Durrës, është arrestuar në flagrancë shtetasi L. H., 24 vjeç, banues në Durrës, shpërndarës i lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi dozash lëndë narkotike dhe një peshore elektronike, ndërsa në banesë iu gjet një sasi fishekësh. Në Mamurras, gjatë kontrolleve të befasishme është kapur dhe ndaluar nga RENEA, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasi A. S., 36 vjeç, autor i plagosjes së 4-fishtë në 2017, i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal ‘’Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’’, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2017, në Laprakë, në bashkëpunim dhe me vëllain e tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri 4 shtetas. Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë, 21 persona me precedent të mëparshëm penal, të cilët ishin pa dokument identifikimi me vete. Policia e Shtetit garanton qytetarët se është e angazhuar maksimalisht dhe e vendosur për të luftuar me forcën e ligjit, veprimtarinë kriminale që cenon jetën dhe pronën e qytetarëve, si dhe për të zbardhur ngjarjet e ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve.  Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Vlorë/Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 21.08.2021, në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë, ku u gjet i vrarë me armë zjarri shtetasi Xh. B. Finalizohet operacioni policor i koduar “Babica”. Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës në Policinë e Shtetit. Vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, i dënuar disa herë më parë në fushën e krimeve kundër pronës.  Sekuestrohet arma e krimit me të cilën autori kreu vrasjen e 25-vjeçarit. Gjithashtu, sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 tjetër armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 2 aparate celular, një shumë parash dhe veshjet e përdorura nga autori i dyshuar gjatë vrasjes. Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes, në bazë të provave të grumbulluara nga hetimi i bërë nga grupi i posaçëm hetimor dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës, Forcën e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Babica”. Në kuadër të operacionit u bë e mundur që në zonën e “Bllokut”, Tiranë, të kapej dhe të arrestohej në flagrancë shtetasi Bledar Selmanaj, 39 vjeç, banues në Vlorë, autori i vrasjes me armë zjarri të shtetasit Xh. B, 25 vjeç, banues në Tiranë, ngjarje e ndodhur në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në momentin e arrestimit, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me 10 fishekë, 1 aparat celular dhe një shumë parash. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Bledar Selmanaj, në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, është gjetur e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular. Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i dyshuar, shtetasi Bledar Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën, të cilin dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta, me armë zjarri, mbrëmjen e datës 20.08.2021. Nga ana e Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Mirditë, Lezhë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Shërbimet e Policisë Mirditë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Arrëz, Njësia Administrative Kaçinar, Mirditë, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi Nikoll Ndreca, banues në fshatin Kaçinar, Mirditë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

DVP Fier – Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 2 prej të cilëve të shpallur në kërkim. Fier/Kapen 2 shtetas të shpallur në kërkim, një për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe një për falsifikim të dokumenteve. Lushnjë/Plagosi me thikë një shtetas, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë autori. Lushnjë/Zbardhet vjedhja në një banesë në fshatin Kolonjë, ndalohet autori i dyshuar.•Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, kapën shtetasin A. Xh., 48 vjeç, banues në Dërmënas, Fier. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Berat, me vendimin e datës 20.10.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. 48-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme.•Gjithashtu, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier u kap dhe u ndalua shtetasi Xh. B., 52 vjeç, banues në Fier, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 15.01.2020, e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.•Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës kishte shkuar i plagosur me thikë një shtetas, menjëherë është organizuar puna dhe është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit N. S., 29 vjeç, banues në Lushnjë. Ky shtetas, në lagjen “18 Tetori”, ka plagosur për motive të dobëta, me mjet prerës (thikë), shtetasin L. K., 56 vjeç, banues në Lushnjë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës me të cilën 29-vjeçari ka goditur shtetasin L. K.•Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, pas një pune hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Prokurorinë Lushnjë, u bë e mundur zbardhja e vjedhjes në banesën e shtetasit A. V., në fshatin Kolonjë, në vitin 2013. Si rezultat i punës hetimore u ndalua autori i dyshuar, shtetasi M. Sh., 43 vjeç, banues në Berat, i cili ka vjedhur në banesën e shtetasit A. V., shumën 2.050.000 lekë të rinj dhe 2 televizorë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vihen në pranga 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Q., 27 vjeç, i proceduar me parë për ndërtim të paligjshëm, pasi është konstatuar serish duke kryer punime në një objekt, jashtë lejes së marrë. Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë dhe dy punëtorët e tij. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. M., 25 vjeç, pasi në rrugën “Mihal Grameno” për motive të dobëta ka goditur me një mjet prerës shtetasin F. B., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.  Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. Ll., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit me të cilin qarkullonte iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Dhuna në familje” “Ngacmim seksual” “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Dhunim i banesës” i shtetasit S. G., 47 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” pasi dyshohet se i ka ofruar para një shtetaseje të mitur në këmbim të marrëdhënieve seksuale. Gjithashtu, ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike ndaj dy djemve të tij si dhe ka hyrë me forcë në banesën e një komshie të tij dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe ndaj saj. Gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një dorezë metalike. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: G. F.(Gj.) dhe E. H., 33 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 65 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 32 janë arrestuar në flagrancë dhe 36 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Tiranë; 1 rast i  “Plagosja e lehtë me dashje”, në Korçë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë; 2 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 3 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone me zjarr”, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe 1 për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Në Shkodër janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Shpërdormi i detyrës” dhe 1 tjetër, për prerje të paligjshme të pyjeve.

Në Durrës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, në Vlorë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.