Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 shtator 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Policia identifikon dhe vë në pranga autorin e zjarrvënies në fshatin Rreth-Libofshë, Fier. Shërbimet e Policisë së Rendit dhe Forca e Posaçme “Shqiponjat”,  me marrjen e njoftimit për zjarrin e rënë në tokat bujqësore dhe në disa sipërfaqe me ullinj të banorëve të fshatit Rreth-Libofshë, menjëherë kanë shkuar në ndihmë të banorëve të zonës duke punuar me mjete rrethanore për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve që si pasojë e erës së fortë u përhapën me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe, pasi në shumë drejtime zjarrfikësja nuk futej dot për shkak të terrenit të vështirë. Ndërkohë në vendngjarje shkoi grupi hetimor dhe falë veprimeve të shpejta të kryera nga strukturat hetimore të DVP Fier u bë e mundur identifikimi dhe shoqërimi në ambientet e policisë i autorit të dyshuar. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi B. M., në fshatin Rreth-Libofshë, dyshohet se duke djegur me zjarr disa ferra dhe barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë djegur qindra rrënjë ullinj të disa banorëve,  një sipërfaqe shumë e madhe me shkurre e pemë frutore si dhe janë rrezikuar banesat e këtij fshati. Në vijim të veprimeve hetimore, nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin B. M., banues në Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Kukës – Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje. Vihet në pranga 51-vjeçari që mbante armë zjarri dhe municion luftarak në banesë. Sekuestrohet një armë zjarri tip pushkë dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 51 vjeç, banues në fshatin Tejmoll. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pushkë, një sasi municioni luftarak dhe një palë dylbi. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës,  për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.

Dibër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve kundër personit. Kapet dhe ndalohet një 47-vjeçar i shpallur në kërkim, për veprën penale  “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, Forcat e Posaçme “Shqiponja”  dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, kanë lokalizuar në fshatin Tomin,  dhe vënë në pranga shtetasin L. Sh., 47 vjeç, banues në Dibër. Ky shtetas, më datë 31.08.2018, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për motive hakmarrje dyshohet se ka tentuar të vrasë me mjete prerëse shtetasin J. B.  Për shtetasin L. Sh., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg” në mungesë, si autor i dyshuar i kryerjes së veprës penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër,  për veprime të mëtejshme.

Lushnjë – Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë. Kapet në kohë rekord autori i plagosjes së 65-vjeçarit. Sekuestrohet municion luftarak dhe arma e zjarrit automatik me të cilën autori kreu krimin. Pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës ka shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi F. V., 65 vjeç, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe falë veprimeve të shpejta hetimore e profesionale dhe reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit, i cili është vëllai i 65-vjeçarit. Kronologjia: Shtetasi F. V., rreth orës 05:00, ka dalë jashtë banesës për tu kujdesur për bagëtitë e tij dhe është goditur me armë zjarri automatik nga largësia nga një person të cilin ai nuk arriti ta shikonte. Autori u largua nga vendngjarja dhe u fsheh në një banesë të braktisur në fshatin Ngurrëz e Vogël. Pas krehjes së zonës dhe veprimeve hetimore operacionale, Policia bëri të mundur kapjen e autorit bashkë me armën e zjarrit, një kallëp tritoli bashkë me ndezësin dhe fishekë luftarak. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi S. V. ka qëlluar me armë zjarri kundrejt vëllait të tij për motive pronësie. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore arrestuan për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” shtetasin S. V. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë – Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga autori. Në pranga dhe 8 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale, dy prej tyre të shpallur në kërkim. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të territori, kanë evidentuar dhe goditur 1 tjetër rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin “Mal Vilëz” Zall-Bastar. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë  u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. Gj., 59 vjeç. Gjithashtu, ky shtetas në momentin e ndalimit nga Policia, ka ofruar një shumë të konsiderueshme parash që mos kryheshin veprime në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin Vasfi Spaho, pasi Prokuroria e Rrethit Korçë, ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës Rrethit Korçë, ku i kanë mbetur për të vuajtur 5 vite burg për veprën penale “Mashtrimi”. Ekzekutimi i këtij vendimi do të bëhet nga DVP Korçë.  Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. J., 37 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së tij, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike heroinë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë ndalimin e shtetasit K. H., 19 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. L., 27 vjeç, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur ish-bashkëjetuesen e tij; A(F)., D, 37 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është konstatuar jashtë banese. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin e shtetasit të mitur R. V., 17 vjeç, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti të çastit, ka dëmtuar me një mjet prerës dy shtetas të mitur 15-vjeçar, të cilët ndodhën në spital, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: I. D., 38 vjeçe, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur; K. Z., 31 vjeç, pasi ditën e djeshme ka aksidentuar këmbësoren shtetasen R. M., 59 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Më datë 23.09.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasin P. S., 40 vjeç,  pasi pranë fshatit Kuç, Vorë, u konstatua duke transportuar lëndë drusore të llojit dushk dhe elqer, të dyshuara të prera në mënyrë të paligjshme. U sekuestrua mjeti bashkë më lëndën drusore. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 22 janë arrestuar në flagrancë dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës” dhe 1 në Fier; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, 2 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 1  në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 2 raste në Vlorë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë, 2 raste në Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 2 në Korçë dhe 1 në Lezhë.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Tiranë, 2 në Fier dhe 1 në Korçë.

NË Fier është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për shkatërrim prone me zjarr.

Në Vlorë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për shkatërrim prone me zjarr.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 1 në Vlorë dhe 1 në Fier.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 12 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.