Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Korçë – Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. D., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atyre Humane) dhe Xh. D., 35 vjeç (sekser), të dy banues në Korçë. Këta shtetas janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti, me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.
Durrës – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër. Shërbimet e Policisë Durrës, në kuadër të kontrolleve të shtuara në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe konstatimin e shtetasve që lëvizin në kundërshtim me ligjin, arrestuan në flagrancë shtetasin M. C., 34 vjeç, banues në Gramëz, Krujë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar një mjet në Tiranë, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Rrethit Krujë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. U procedua penalisht shtetasi G. D., 61 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se në ambientet e çerdhes private për fëmijë ku ai punon, ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije të mitur 2 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Morinë, Kukës – Policia Kufitare kap dhe vë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania. Arrestimi provizor i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimin në shtetin gjerman. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar N. B., 35 vjeç, banues në Vinarc, Kosovë. Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Dortmundit, Gjermani, ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.
Gramsh – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 6 shtetas të huaj nga vendet e treta. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, pas informacioneve të marra në rrugë operative se këta dy shtetas transportonin nga Korça, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë kapur dhe arrestuar shtetasit E. Gj., 24 vjeç, banues në Tiranë dhe S. H., 59 vjeç, banues në Gramsh. Arrestim i shtetasit E. Gj. u bë për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, ndërsa arrestimi i shtetasit S. H.(punonjës policie në IEVP Peqin), i cili ka qenë me uniformë policie në momentin e arrestimit, u bë për veprat penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë, në qytetin e Gramshit, duke transportuar me mjetin e tyre, 6 shtetas sirian, për të kaluar kufirin, me destinacion vendet e BE-së. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 4 aparate celular, një armë zjarri, stema dhe dokumenti i policisë i shtetasit S. H., si dhe mjetin me të cilin qarkullonin. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan vazhdojnë hetimet për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Mirditë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Streha e fundit”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Operacioni nga Komisariati Mirditë dhe forca e posaçme “Shqiponjat”. Bie në prangat e Policisë 48-vjeçari nga Mirdita, i dënuar me 10 vite burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rendit publik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, si dhe për kapjen e personave në kërkim, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë dhe forca e posaçme “Shqiponjat” në DVP Lezhë u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Streha e fundit”. Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Perlat i Epër, Mirditë, u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Viktor Lekgegaj, 48 vjeç, banues në Mirditë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë, në vitin 2019, e ka dënuar me 10 vite burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Shtetasi Viktor Lekgegaj, në vitin 2015, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, ka trafikuar lëndë narkotike kanabis në Kosovë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Vlorë – Vijon kontrolli masiv i territorit. Evidentohen dhe goditen dy raste të tentativës për kultivim të kanabisit. Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit masiv të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur dy raste të tentativës për kultivim të kanabisit. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit arrestuan në flagrancë shtetasit G. J., 57 vjeç dhe SH. SH., 31 vjeç te dy banues në fshatin Velçë, Selenicë. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se janë autorë të tentativës për kultivim të disa bimëve narkotike cannabis sativa të konstatuara në fshatin Velçë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprimet e mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 84 shtetas, konkretisht: 21 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 59 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 84 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 1 raste i “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Durrës, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, 1 në Elbasan dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autorë që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Elbasan, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 2 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, me 4 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit të dokumenteve, 1 në Elbasan dhe 2 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i kontrabandës, në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i korrupsionit, në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në Korçë.
Është evidentuar 1 rast i “Ngacmimi seksual”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Keqtrajtimi i të miturit”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 10 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.