Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Shkodër/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes me armë dhe me dhunë, së pronës dhe pasurisë.Kapet dhe vihet në pranga, një shtetas i shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë, në disa banesa, të shumave të mëdhaja të parave (në lekë dhe në paund) dhe të sendeve me vlerë.I ndaluari, me precedent të theksuar kriminal për vjedhje me armë dhe me dhunë, në Shkodër dhe në Lezhë, si dhe i dënuar në Belgjikë, për transport të lëndëve narkotike.Zbardhen dhe dokumentohen një sërë vjedhjesh me dhunë, të ndodhura më parë, në qytetin e Shkodrës.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Shkodër, mbështetur nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një personi me precedent të theksuar kriminal, të shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Përsëritësi”.Në kuadër të këtij operacioni, u kap në qytetin e Shkodrës, dhe u vu në pranga shtetasi P. F., 39 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, i cili ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje me dhunë.Ky shtetas dyshohet se më datë 25.09.2022, në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vjedhur me dhunë, në banesën e shtetases A. J., 46 vjeçe, 1500 paund, bizhuteri dhe sende të tjera, me vlerë.Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas ndalimit të këtij shtetasi, është bërë e mundur zbardhja e disa vjedhjeve të tjera me dhunë, të cilat dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dhe konkretisht:•Më datë 11.09.2022, në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë hyrë me forcë, në banesën e shtetases F. D., dhe i kanë marrë një shumë parash.•Më datë 23.10.2022, gjatë natës, në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë hyrë me forcë, në banesën e shtetasit R. B., 59 vjeç, ku kanë marrë me dhunë, rreth 600 000 lekë dhe sende me vlerë.Nga veprimet hetimore rezultoi gjithashtu, se shtetasi P. F. ishte kthyer deportiv nga Belgjika, ku kishte kryer dënimin, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.39-vjeçari është edhe me precedent të theksuar kriminal, për vjedhje me armë dhe me dhunë, në Shkodër dhe në Lezhë, në periudhën kohore 2009-2014, ku dhe ka kryer disa vite burgim.Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, bashkëpunëtorë të këtij shtetasi, si dhe për zbardhjen e dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura ndër vite, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Përmet-Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga, një 25-vjeçar, i kërkuar si bashkautor i plagosjes së rëndë, me sende të forta, të 3 shtetasve, ngjarje e ndodhur më 28.10.2022.Autori tjetër i kësaj plagosjeje (babai i të ndaluarit), u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, menjëherë pas ngjarjes.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë, si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara, si dhe duke u mbështetur në inteligjencën informative, bënë të mundur kapjen në qytetin e Tiranës, dhe ndalimin e shtetasit J. N., 25 vjeç, banues në Përmet.25-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi më datë 28.10.2022, në bashkëpunim me babanë e tij, shtetasin K. N. (të arrestuar menjëherë pas ngjarjes), janë konfliktuar në vendin e quajtur “Agjencia”, Përmet, me 3 shtetas të tjerë, të cilët i kanë plagosur rëndë, me sende të forta.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Katrori”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.Qarkullonin me automjet, në të cilin mbanin 2 armë zjarri pistoleta, vihen në pranga 4 shtetas, 3 prej tyre me precedentë kriminalë, në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.Policia gjen edhe 2 armë zjarri kallashnikovë që i posedonte njëri prej personave të arrestuar.Sekuestrohen gjithësej, në kuadër të këtij operacioni, 4 armë zjarri (2 pistoleta dhe 2 kallashnikovë).Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Katrori”.Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit: B. M., 33 vjeç; K. K., 28 vjeç; K. V. (K.), 32 vjeç dhe R. M., 22 vjeç.Shërbimet e Policisë ndaluan në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, automjetin tip “Range Rover” me të cilin qarkullonin këta 4 shtetas. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehëra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit.Në vijim të operacionit “Katrori”, u ushtrua kontroll edhe në banesat e këtyre shtetasve dhe si rezultat, në banesën e shtetasit të arrestuar R. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikovë dhe një sasi municioni luftarak.Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 4 armë zjarri, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 5 aparate celulare dhe automjeti me të cilin lëviznin 4 të arrestuarit.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 13 janë arrestuar, 38 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të ndaluar.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, është evidentuar 1 rast, me 4 shtetas të arrestuar.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 4 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 11 raste, 6 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të ndaluar dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Gjithashtu, janë evidentuar: 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; nga 1 rast i veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Keqtrajtimi i kafshës”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe është evidentuar 1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të arrestuar dhe 2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve”, me 1 shtetas të ndaluar dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilëve 6 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 15 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të arrestuar dhe me 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.