Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 korrik 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Policia e Shtetit – Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për goditjen e grupeve mafioze në fushën e trafikimit të drogave të forta. Operacioni “Magma 2020”, për goditjen e pjesëtarëve të organizatës mafioze “Ndrangheta”. Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Shqipëri, Itali, Argjentinë e Costa Rica. Operacioni, falë bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe projektit I-CAN (Interpol – Bashkëpunim Kundër Ndrangheta-s). 6 persona të shpallur në kërkim janë arrestuar në Argjentinë, Shqipëri dhe Costa Rica. Në kuadër të këtij operacioni, nga Interpol Tirana, në bashkëpunim DVP Tiranë dhe me mbështetjen e FAST ALBANIA, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, shtetasi B. S., i quajtur “Xhaxhai”, përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Bellocco”. Shtetasi B. S. ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë. Po në kuadër të operacionit është bërë dhe arrestimi në Elbasan, më 26 maj 2020, i shtetasit A. C., i cili ka qenë i shpallur në kërkim.  Në të njëjtën kohë në Argjentinë u bë arrestimi i shtetasve: F. S., korrier dhe njeri i besuar i Ndrangheta-s, i cili bënte lidhjen mes Amerikës së Jugut dhe Kalabrisë. Ky shtetas kryente për llogari të organizatës kriminale, detyra të ndryshme operative dhe transport të dokumenteve sekrete; G. P., lindur në Romë, me emrin M. P., me banim në Buenos Aires, ishte personi që bënte lidhjet midis furnizuesve të drogës të Amerikës së Jugut dhe familjeve mafioze italiane. Gjithashtu merrej dhe direkt me eksportin e substancave narkotike; F. P., lindur në Argjentinë, bashkëpunëtor i ngushtë i F. M., i cili u arrestua edhe në operacionin e kryer në nëntor 2019. Shtetasi F. P., falë rrjetit të tij të bashkëpunëtorëve në Argjentinë, merrej sidomos me anashkalimin e kontrolleve doganore dhe pastrimin e parave. Me bashkëpunimin e Interpol San Hoze në Costa Rica u arrestua në qytetin Jaco, shtetasi F. D., lindur në Velletri/Itali, bashkëpronar i një hoteli Casino në Costa Rica. Ky shtetas ishte vendosur në Costa Rica dhe ishte bërë pikë referimi për organizatat kriminale. Roli i tij ishte që të bënte të mundur dërgimin e kokainës në Itali, si dhe u siguronte anëtarëve të organizatës bazën logjistike dhe akomodimin në Costa Rica. Ky operacion, i koordinuar me forcat e Policisë argjentinase, të Policisë shqiptare dhe asaj të Costa Ricas, si dhe me UCI Albania, dëshmon se qasja globale ndaj Ndrangheta-s, e arritur përmes projektit I-CAN dhe bashkëpunimit ndërkombëtar policor, është mënyra kryesore për të luftuar një kërcënim që ka ndotur në heshtje ekonominë e mbi 30 vendeve të botës dhe që duhet të luftohet përmes një veprimi të fuqishëm të rrjetit.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditën një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasin E. H., 20 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë ndalimit të mjetit me të cilin po qarkullonte, ka hedhur nga xhami i mjetit një sasi lënde narkotike të llojit cannabis sativa dhe një sasi lënde narkotike të llojit kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. P., 38 vjeç, sepse në banesë, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke e kërcënuar me fjalë për jetën. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. B., 57 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.52 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Finalizohet me sukses një tjetër operacion antikanabis. Gjatë operacionit u sekuestruan 26 kg kanabis, fara kanabisi dhe llamba e aksesorë të tjerë që do përdoreshin për të kultivuar kanabis. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacione të marra në rrugë policore dhe si rezultat i organizimit të shërbimeve për kontrollin e territorit, nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, u evidentua dhe godit një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Si rezultat, specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. M., 61 vjeç dhe L. M., 60 vjeçe (bashkëshortë), banues në fshatin Zharrëz, Patos. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 18 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe rreth 82 gr. fara cannabis sativa, ndërsa gjatë kontrollit në pronën e tyre, pranë banesës, u gjetën të kultivuara bimë cannabis sativa, të cilat u asgjësuan. Gjithashtu, gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë edhe shtetasi S. Rr., 35 vjeç, banues në Vlosh, Roskovec. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë dhe ambientet përreth saj, Policia gjeti dhe sekuestroi 8 kg cannabis sativa. Gjithashtu, nga kontrolli në ambientet e brendshme të banesës është konstatuar një ambient i përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera të cilat dyshohet se do të përdoreshin për të kultivuar bimë narkotike. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” në ngarkim të shtetasve Xh. M. dhe L. M., dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të shtetasit S. Rr.

Gjirokastër – Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në orët e para të datës 24.07.2020, në lagjen “Kodra e shtufit”. Kapet dhe vihet në pranga autori i ngjarjes. Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në lagjen “Kodra e shtufit”, në banesën e shtetasit  H. Sh., 80 vjeç (kati i parë i një pallati), ka hyrë nga dritarja e tualetit një shtetas dhe ka vjedhur 18.700 lekë. Ky shtetas, kur ka hyrë në banesë është pikasur nga të zotët e banesës, të cilët kanë tentuar ta ndalojnë, por pasi ka marrë lekët pa u shkaktuar dëmtime fizike dy bashkëshortëve, është larguar me shpejtësi. Falë punës së mirorganizuar hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi i autorit, kapja dhe shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera u bë ndalimi i shtetasit V. K., 32 vjeç, banues në lagjen “18 Shtatori” dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Fier – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kapën dhe ndaluan shtetasin E. B., 31 vjeç, banues në Lushnjë. (Punonjës i një fondacioni financiar jobankar). Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. 31-vjeçari, duke qenë oficer kredie në një fondacion financiar jobankar, me anë të falsifikimit të dokumentacionit, ka mashtruar shumë persona duke i pajisur me kredi në emrin e tyre dhe vlerën e këtyre kredive e ka përfituar vetë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 84 shtetas, konkretisht: 14 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 17 raste: 4 raste të “Kanosja” 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 1 në Fier; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 9 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 3 në Vlorë, 1 në Kukës dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 1 në Berat dhe 3 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 4 në Durrës dhe 3 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Tiranë dhe 2 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të monedhave, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vepra të turpshme”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndotja e ajrit”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë,  në Fier, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Dibër dhe 1 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.