Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Korçë – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje Arrestohet në flagrancë 28-vjeçari, i cili qarkullonte me armë zjarri në brez. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë lokalizuar në lagjen nr.17, shtetasin I.Q, 28 vjeç dhe kanë ushtruar kontroll ndaj tij dhe automjetit që drejtonte, tip “Mercedes Benz”. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 28-vjeçarit, Policia i gjeti në brez, një armë zjarri pistoletë me fishekë, të cilat i posedonte pa lejen e organeve përkatëse. Shtetasi I.Q, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municionit” dhe materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Lezhë – Policia Rrugore e qarkut vazhdon patrullimet dhe monitorimet, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndëshkohen administrativisht 5 drejtues mjetesh për përdorim të fenelinave të Policisë, si dhe një tjeter drejtues për përdorim të logos “Hetimi Tatimor”. Nga punonjësit e Policisë Rrugore në Qarkun Lezhë janë marrë masa administrative për nenin 175/4 të Kodit Rrugor, që parashikon heqjen e Lejes së Drejtimit nga 6-12 muaj për 6 drejtues automjetesh, pasi janë konstatuar se gjatë drejtimit të mjetit kanë pasur në përdorim fenelinë Policie dhe logo “Hetimi Tatimor”. Policia Rrugore e Lezhës do vijojë kontrollet e pandërprera, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, si dhe evidentimin e shkelësve të Kodit Rrugor.
Shkodër – Një tjetër person në kërkim në prangat e policisë. Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, autor i ngjarjes së ndodhur më datë 26.12.2016, si dhe arrestohet një person tjetër për përkrahje të autorit të krimit. Nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirëorganizuar në lagjen “Daniel Matlia”, Shkodër, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim S.D, 30 vjec, banues në lagjen “10 Korriku”, Shkodër. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim, mbetur në tentative” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”. Ky shtetas më datë 26.12.2016, tek rrethrrotullimi në dalje të unazës lindore të qytetit Shkodër, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin S.M, duke e lënë të plagosur rëndë. Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A.Ç. 31 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të metejshme.
Tiranë – Qarkullonte me armë zjarri pa leje në automjet, arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit Nr.1. Vihet në pranga 28-vjeçari për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohet armë zjarri pistoletë, krehër dhe fishekë luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete, në bazë të informacioneve në rrugë operative se një shtetas qarkullonte në mjetin e tij me armë zjarri me vete, në rrugën “Tefta Tashko”, falë reagimit në kohë bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D.R., 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Gjatë kontrollit, Policia i gjeti në çantën e dorës një armë zjarri tip TT pistoletë me krehëra me fishekë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.
Tiranë – Vijon puna për parandalimin e vjedhjeve të motoçikletave, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas i cili kryente vjedhje motoçikletash. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale motoçikleta e vjedhur së fundmi. Zbardhet dhe 1 vjedhje tjetër e ndodhur më parë, e cila dyshohet se është kryer nga ky shtetas. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe arrestimin e autorëve, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga kallëzimet për një shtetas që dyshohej se kryente vjedhje motoçikletash në Tiranë, kanë organizuar punën duke bërë të mundur gjetjen e këtij shtetasi. Si rezultat i punës së mirëorganizuar nga shërbimet policore u bë i mundur arresti në flagrancë i shtetasit I.D., 44 vjeç, banues në Allias, Tiranë , i dënuar më parë për vjedhje. Në vijim të hetimeve, bazuar edhe në provat e grumbulluara dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 1 vjedhjeje motoçiklete, të ndodhur gjatë muajit maj të këtij viti në Tiranë. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 25 janë arrestuar në flagrancë, 6 janë ndalur dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndalur 4 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 1 në Shkodër, 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 3 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Lezhë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë, 1 në Dibër; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Kukës, klu autori është arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe 7 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 4 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Fier, me 2 autorë të ndaluar.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Berat, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, në qarkun Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 6 në qarkun Tiranë, 1 në Fier, 2 në Shkodër.
Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, në Korçë, i cili është arrestuar në flagrancë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.