Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 23 prill 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Mirditë – Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe lëvizte në qytet në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, kundërshtoi dhe kanosi me armë të ftohtë punonjësit e Policisë, vihet në pranga 46-vjeçari nga Mirdita. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në vijim të punës për zbatimin e masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID -19, si rezultat i kontrolleve të shtuara, kanë konstatuar duke lëvizur nëpër qytet, Rrëshen, shtetasin L. V., për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për kundërshtim të punonjësit të rendit publik. Në momentin që punonjësit e Policisë i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, 46-vjeçari ka kundërshtuar urdhrin e tyre dhe i ka kërcënuar me një mjet prerës (thikë) që të mos i afroheshin dhe ka tentuar të largohej, por është neutralizuar dhe prangosur nga shërbimet e Policisë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. V., 46 vjeç, banues në Mirditë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale në ngarkim të tij “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.

Vlorë – Goditet një tjetër rast i posedimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Përpunimi”. Sekuestrohen rreth 23 kg lëndë narkotike, e përpunuar në formë pluhuri dhe çokollate, një pajisje metalike që shërbente për përpunimin e lëndës narkotike, si dhe një sasi e konsiderueshme eurosh të përfituara nga aktiviteti kriminal. Arrestohet në flagrancë poseduesi. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ka finalizuar me sukses një tjetër operacion antidrogë të koduar “Përpunimi”. Në kuadër të këtij operacioni, nga shërbimet e Policisë u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit A. B., 44 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 44-vjeçarit, në lagjjen “24 Maji”, u gjet një sasi lënde narkotike, rreth 23 kg cannabis sativa, e përpunuar në formë pluhuri dhe çokollate, si dhe një pajisje prerëse metalike, e cila ka shërbyer për përpunimin e lëndës narkotike. Gjithashtu, po gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi prej 2500 eurosh, të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti kriminal në lidhje me pazaret e shitblerjes së lëndës narkotike. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 37 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 22 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Fier dhe 1 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Jaaë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 Në Durrës, 2 në Elbasan dhe 1 në Berat.

Është evidentuar dhe proceduar 1 drejtues mjeti që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Berat.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.