Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 23 korrik 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier/Plagosi me armë zjarri në këmbë një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Në fshatin Ngjeqar, Roskovec, pas një konflikti për motive të dobëta, është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi E. H., 40 vjeç, i cili pasi mori mjekim në spitalin e Fierit, u largua për në banesë. Pas marrjes së informacionit menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat falë veprimeve të shpejta bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit U. S., 50 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij. Divjakë/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë proceduan penalisht shtetasit G. L., 68 vjeç, banues në Remas, Divjakë dhe A. P., 50 vjeç, banues në Babunjë, Divjakë, pasi janë konstatuar duke kryer ndërtime pa leje. Lushnjë/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë proceduan penalisht shtetasin M. B., pasi ka ndezur një zjarr për djegien e barërave të thatë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 70 rrënjë agrume në tokat e shtetasve L. K dhe A. H.    Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier proceduan penalisht shtetasin K. D., 55 vjeç, banues në Bishan, Fier, pasi duke drejtuar automjetin tip “Ford Focus” ka aksidentuar shtetasen G. Ç., 27 vjeçe, banuese në Fier, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në spitalin e Lushnjës ka shkuar për mjekim shtetasi P. M., 63 vjeç, banues në Berat, i cili dyshohet se është goditur nga një automjet, në fshatin Gurzë e Vogël. 63-vjeçari pasi mori mjekim u largua për në banesë. Policia po punon për identifikimin e drejtuesit të automjetit, i cili është larguar nga vendngjarja. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 53 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 u bë ndalimi i shtetasit F. Ç., 43 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: G. H., 34 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; D. H., 32 vjeç, pasi në bulevardin ‘Zhan Dark”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka përplasur këmbësoren, shtetasen V. Sh., 55 vjeç, e cila ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.  Më datë 22.07.2021, tek kthesa e Kamzës, gjatë një konflikti për motive të paqarta, dy persona ende të paidentifikuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë  ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit M. M., 31 vjeç, i cili pasi ka marrë mjekim ka dalë nga spitali. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Velipojë/Shkodër – Nga strukturat e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. J., 29 vjeç banues në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, për veprat penale “Përndjekja”, “Dhuna në familje”,“Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Kanosja“.  Për këtë shtetas ka bërë kallëzim shtetasja U. Rr., 23 vjeçe, banuese në lagjen “Qemal Stafa”, se është përndjekur dhe dhunuar fizikisht nga ky shtetas, i cili ka tentuar ta marrë me forcë duke e goditur, edhe babanë e saj, shtetasin R. Rr., 60 vjeç, banues në lagjen “Qemal Stafa”. Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin D. J., në rrugën nacionale Velipojë-Shkodër, në fshatin Berdicë. Në përfundimi të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 29-vjeçarit dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 113 penalisht shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 25 janë arrestuar në flagrancë dhe 79 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 11 raste, 2 raste në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 3 raste në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen  në gjendje të lirë; 2 raste në Tiranë ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 raste në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, ku autori është ndaluar dhe 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 19 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 12 raste, 1 në Tiranë, 2 në Fier, 7 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 3 në Tiranë, 1 në Fier, dhe 7 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 ën Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”, 1 në Durrës ehe në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Po në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, 1 për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe 1 për “Falsifikimi i dokumenteve”.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Korçë janë proceduar penalisht edhe 2 shtetas të tjerë, 1 për “Mbajtja pa leje e municionit luftarak” dhe 1 për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Në Fier është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Ushtrimi pa licence i veprimtarisë financiare”.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Janë proceduar penalisht 4  shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.