Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”. Në vijim të këtij operacioni goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Kapet duke transportuar 9 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit N. S., 37 vjeç, banues në fshatin Vodicë, Berat, i cili u kap në aksin rrugor rural Qafë Plloçë-Qukës, pranë fshatit Golik, duke transportuar me mjetin tip “Range Rover”, në drejtim të Tiranës, 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 1000-1200 euro iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.
Elbasan – Policia e Elbasanit vë në pranga administratorin e firmës ku u plagosën tre punëtorë, si pasojë e shpërthimit të gazit. Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një subjekt privat në ish-kombinatin metalurgjik Elbasan, në të cilin, gjatë kohës që po punonin në ambientet e firmës, nga shpërthimi i gazit u plagosën tre punonjës, shtetasit Q. M., O. B. dhe E. B., të tre banues në Elbasan, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën, bëjmë me dije se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka kryer të gjitha veprimet në vendngjarje. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin: Y. P., 54 vjeç, banues në Elbasan, administratori i firmës. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.
Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Gjithashtu, arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, goditën një tjetër rast. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit GJ. M., 47 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në autostradën Elbasan-Tiranë, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, kundrejt fitimit , 5 shtetas, emigrantë të paligjshëm. Për të shmangur shoqërimin në ambientet e Policisë, ky shtetas ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë dhe ka dëmtuar mjetin e Policisë. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. B., E. Sh. dhe B. V., pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur; K. C., 19 vjeçe, pasi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u kap duke drejtuar mjetin pa leje përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 5 raste të “Kanosja”: 1 në Tiranë, 1 në Dibër dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 2 në Durrës, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Berat, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Fier; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Durrës, 1 në Dibër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 10 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, në Berat, ku autori procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Pushtim toke”, 1 në Vlorë, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, 1 në Shkodër, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i monedhave”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të Shkatërrim prone”, 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë proceduar 3 shtetas, për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur/nën efektin e alkoolit, 2 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Fier.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Fier, 1 në Korçë dhe 1 në Berat.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.